Ndërlidhjet

Afganistani me teprica të mjaltit


Një bletar afgan duke treguar mjaltin në Kandahar në tetor. Foto: EPA-EFE
Një bletar afgan duke treguar mjaltin në Kandahar në tetor. Foto: EPA-EFE

Bletaria në Afganistan është bërë shumë më shumë se hobi, sidomos gjatë dy dekadave të fundit. Për shumë fermerë afganë, mjalti është mjet për jetesë.

Por, me dobësimin e ekonomisë, muajve të fundit, ai është shndërruar në një artikull luksi.

Mjalti afgan tani konkurron me importe më të lira dhe shumë bletarë vendas nuk mund ta shesin.

Ghancha Gul është kultivuese e njohur e këtij produkti, e cila, përveç tjerash, ka ofruar vende pune edhe për shumë gra.

E njohur si “nëna e bletëve”, ajo ka fermën në provincën perëndimore të Heratit, tash e 13 vjet. Shpesh e veshur me veshje burrash, për të shmangur diskriminimin, ajo ka udhëtuar nga tregu në treg për të shpërndarë mjaltin e saj.

"Dikur shisja mes 30 e 40 kilogramë mjaltë çdo muaj, por tani shes 10 deri 15 kilogramë", thotë Ghancha Gul. Këto ditë, shpjegoi ajo, "në vend që të blejnë mjaltë, njerëzit blejnë oriz dhe vaj".
"Dikur shisja mes 30 e 40 kilogramë mjaltë çdo muaj, por tani shes 10 deri 15 kilogramë", thotë Ghancha Gul. Këto ditë, shpjegoi ajo, "në vend që të blejnë mjaltë, njerëzit blejnë oriz dhe vaj".

Biznesi ka qenë i mirë me vite, thotë ajo për Shërbimin afgan të Radios Evropa e Lirë.

Por, kështu ka qenë përpara se talibanët ta merrnin pushtetin në vitin 2021, shton Gul.

Rikthimi i talibanëve ka shkaktuar krizë të madhe ekonomike, pasi shumë investitorë dhe donatorë të huaj janë tërhequr.

Kriza ka prodhuar pastaj inflacion të lartë dhe papunësi masive - gjë që ka ndikuar në të ardhurat e familjeve dhe preferencat e tyre për blerje.

Fermerët janë goditur rëndë edhe nga thatësira dhe përmbytjet, ndërsa rritja e mprehtë e çmimeve të ushqimeve, karburanteve dhe plehrave ka rritur shumë edhe kostot e tyre të operimit.

“Dikur kam shitur 30-40 kilogramë mjaltë çdo muaj, por tani shes 10-15 kilogramë”, thotë Gul.

Këto ditë, sipas saj, njerëzit “në vend që të blejnë mjaltë, blejnë oriz dhe vaj”.

Rritja e prodhimit

Gjatë dy dekadave të fundit, komuniteti ndërkombëtar ka bërë përpjekje për t’i dhënë hov industrisë së bletarisë në Afganistan, si alternativë ndaj kultivimit të lulëkuqes së opiumit.

Herati është bërë një prej qendrave të industrisë së prodhimit të mjaltit - me rreth 800 ferma dhe rreth 3.000 punëtorë, prej të cilëve 10 për qind gra.

Ndërmarrjet e bletarisë kanë bërë bujë edhe në provincën lindore të Nangarharit dhe në provincat jugore të Helmandit dhe Kandaharit.

Mjaltë e ekspozuar në një vitrinë në Herat.
Mjaltë e ekspozuar në një vitrinë në Herat.

Duke e parë si mënyrë efektive për zbutjen e varfërisë në zonat rurale dhe njëkohësisht si siguri ushqimore, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së e ka mbështetur këtë industri me programe trajnimi dhe me sigurimin e pajisjeve, si rroba e koshere.

Qeveria talibane, e cila është përballur me një ekonomi në rënie të lirë dhe një sërë fatkeqësish mjedisore që kanë goditur sektorin e bujqësisë, e ka mbështetur gjithashtu bletarinë.

Vitin e kaluar, autoritetet talibane e kanë zgjeruar këtë industri me më shumë se 400 ferma të reja bletësh në Helmand.

Me qëllim rritjen e industrisë, janë hapur tregje eksporti në vende të ndryshme, si: Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe, India, Irani dhe Pakistani.

Prodhimi i mjaltit i ka rezistuar thatësisë që ka shkatërruar sektorin bujqësor të Afganistanit në vitet e fundit, por tregu i eksportit është zvogëluar, duke bërë që bletarët të konkurrojnë me importe më të lira nga Pakistani dhe Irani - vende që përpiqen t’ua shesin produktet e tyre afganëve.

Përpjekjet për të stimuluar tregtinë e bletarisë në Afganistan kanë pasur sukses, me mijëra koshere që prodhojnë mjaltë sot. Por, ndonjëherë suksesi të godet.
Përpjekjet për të stimuluar tregtinë e bletarisë në Afganistan kanë pasur sukses, me mijëra koshere që prodhojnë mjaltë sot. Por, ndonjëherë suksesi të godet.

Vetëm në Helmand, prodhimi i mjaltit është rritur “ndjeshëm” vitin e kaluar, pas një sezoni të thatësisë në vitin 2021, që ka përfunduar me 40 tonë mjaltë të prodhuar, ka thënë zëvendësdrejtori i Departamentit të Bujqësisë në këtë rajon, Mawlawi Zainullah Zahid.

Në Herat, zyrtarët kanë thënë se prodhimi këtë vit mund të dyfishohet në 150 tonë, edhe pse shumë bletarë dhe përpunues të mjaltit e kanë reduktuar atë.

Provincat e tjera të Afganistanit kanë raportuar rritje të ngjashme të prodhimit në vitet e fundit. Katër vjet më parë, më 2019, prodhimi në gjithë Afganistanin ka kapur 2.150 tonë mjaltë.

Kujt t’ia shesin?

Khalil Ahmadi Bahmanesh, një bletar nga Herati, thotë se gjysma e rendimentit të tij nga sezoni i kaluar, ka mbetur e pashitur. Ai thotë se nuk mund të konkurrojë me importet nga Irani.

“Ne prodhojmë mjaltë të mirë, por mjalti iranian, me cilësi të dobët, ngop tregun e Heratit”, thotë ai.

“Mjalti iranian shitet me një çmim të lirë dhe i bën njerëzit të hezitojnë ta blejnë mjaltin tonë”, thotë Bahmanesh për Radion Evropa e Lirë.

Mohammad Aref, i cili, më shumë se një dekadë më parë, ka hapur fermën e tij të bletarisë në qarkun Karukh të Helmandit me vetëm dy koshere, tani ka më shumë se 400.

Ai thotë se prodhimi i tij është rritur më shumë se 40 për qind gjatë sezonit të kaluar, por se nuk ka qenë në gjendje ta shesë, për shkak të konkurrencës iraniane.

“Kur nuk ka klientë, ne detyrohemi t’i shmangim investimet në sezonin e ardhshëm, ta transferojmë kapitalin tonë në një sektor tjetër, ose ta ndalojmë fare”, thotë Aref.

Shir Agha menaxhon 160 koshere bletësh në Helmand. "Nuk ka shitje. Mjalti ka mbetur ende nga viti i kaluar. Nuk ka treg", thotë ai.
Shir Agha menaxhon 160 koshere bletësh në Helmand. "Nuk ka shitje. Mjalti ka mbetur ende nga viti i kaluar. Nuk ka treg", thotë ai.

Shir Agha, i cili menaxhon 160 koshere në Helmand, thotë se ka më shumë se 3.000 kilogramë mjaltë që nuk mund t’i shesë.

“Nuk ka shitje. Na ka mbetur mjaltë nga viti i kaluar. Nuk ka treg. Ne ndëshkohemi nga mjalti që vjen nga Irani dhe Pakistani”, thotë Agha.

Sipas prodhuesve, një kilogram mjaltë afgane kushton rreth 11 dollarë, ndërsa sasia e njëjtë e mjaltit iranian shitet për 1.70 dollarë deri në 4.50 dollarë.

Aziz Naseri, i cili drejton një dyqan mjalti në Lashkargah - kryeqytet i provincës së Helmandit - thotë se është detyruar t’i ulë përgjysmë çmimet për mjaltin afgan.

“Situata ekonomike e njerëzve është e keqe”, thotë ai.

Seyyed Masoom Sadat, udhëheqës i Departamentit të Bujqësisë në Herat, thotë se provinca është më se e pavarur dhe se nuk ka nevojë për importe të mjaltit, por rregullat e tregtisë ndërkombëtare, sipas tij, e pengojnë eliminimin e konkurrencës.

“Ne nuk mund ta ndalojmë importin e mjaltit iranian, për shkak të anëtarësisë [së Afganistanit] në Organizatën Botërore të Tregtisë”, thotë Sadat.

Zyrtarët e bujqësisë në Herat kanë thënë se po punojnë për të gjetur tregje të përshtatshme për t’i rritur shitjet e mjaltit.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG