Mbërritja e një avioni të tipit Antonov An-124 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, më 6 maj, nxiti kureshtjen e shumëkujt në Kosovë.
Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, konfirmoi më 8 maj për Radion Evropa e Lirë se njëri prej aeroplanëve më të mëdhenj në botë për transportin e mallrave, "transportoi materiale mbështetjeje logjistike për kontingjentin gjerman" në këtë mision.
Paraprakisht, Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë i tha REL-it se, “si çështje parimore dhe pavarësisht nga pyetja specifike, nuk komenton transportet ushtarake”, si dhe përgjigjja e saj nuk përbën as konfirmim e as mohim në lidhje me këtë fluturim.
Ajo, megjithatë, tha se forcat e armatosura gjermane përdorin shërbimin e transportit të kompanisë Antonov.
“Kapacitetet e Antonov Logistics SALIS GmbH [përdoren] për dërgimin dhe furnizimin e forcave gjermane në kontekstin e mbrojtjes kombëtare dhe mbrojtjes së aleancës, menaxhimit të krizave ndërkombëtare dhe menaxhimit të rreziqeve dhe krizave kombëtare”, i tha REL-it një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes.
Radio Evropa e Lirë kërkoi të enjten informacione edhe nga Aeroporti i Prishtinës në lidhje me ardhjen e fluturakes së madhe të prodhimit ukrainas, por nuk mori përgjigje.
Fluturimi i aeroplanit me regjistrimin UR-82008 nuk ka figuruar në regjistrat e fluturimeve komerciale online.
Ministria e Mbrojtjes në Kosovë ka thënë se nuk ka informacione zyrtare lidhur me këtë fluturim.
Fotografi i njohur kosovar, Arian Mavriqi, e ka fotografuar dhe e ka xhiruar uljen e aeroplanit gjigant, i cili në Kosovë është parë edhe në të kaluarën.
Edhe entuziastë të aviacionit, vendës e të huaj, po ashtu kanë publikuar fotografi e video të uljes së Antonov An-124 në aeroportin që ndodhet 17 kilometra larg kryeqytetit kosovar, duke aluduar se aeroplani është nisur nga një bazë ajrore në Gjermani.
Për çfarë përdoren aeroplanët Antonov?
Sipas të dhënave zyrtare, të publikuara nga vetë kompania ajrore, Antonov Airlines është një degë e Antonov Company, me seli në Kiev, Ukrainë.
Ndërmarrja shtetërore ukrainase operon një flotë të gjerë avionësh që transportojnë mallra, duke përfshirë pesë avionë të tipit An-124 Ruslan, që mund të bartin ngarkesa deri në 150 tonë.
Dy prej këtyre aeroplanëve përdoren zyrtarisht përmes kompanisë Antonov Logistic SALIS GmbH, për të ofruar shërbime transportuese për NATO-n dhe vendet e Bashkimit Evropian për dërgimin e “mallrave emergjente në situata të krizës”.
Sipas informacioneve në ueb-sajtin e kompanisë, shërbimet përgjegjëse për planifikimin e transportit dhe mirëmbajtjes së avionëve janë zhvendosur përkohësisht në Lajpcig të Gjermanisë, për shkak të luftës në Ukrainë.
Fluturimet e mëparshme në Kosovë
Aeroplani i kompanisë Antonov nuk erdhi për herë të parë në Kosovë të mërkurën.
Vetë Aeroporti i Prishtinës kishte publikuar fotografi të këtij aeroplani, kur ai kishte mbërritur në Kosovë më 2016.
Ndërkaq, grupi BBKRspotters, i cili publikon pamje të fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës, kishte publikuar një video të uljes së këtij aeroplani në “Adem Jashari” në janarin e vitit 2024.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacione nga vetë kompania e fluturimeve Antonov për fluturimin e djeshëm, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.