Reuters
Ukraina ka thënë të martën se i ka rrëzuar gjashtë raketa hipersonike ruse, Kinzhal, brenda një nate të vetme.
Diçka e tillë mund të shënojë kthim të madh mbrapa në përpjekjet e Moskës që të zhvillojë një armë të pandalshme të gjeneratës së re.
Ende nuk është e qartë se cilat sistemet ajrore për mbrojtje i ka përdorur Kievi për t’i rrëzuar raketat, mirëpo javën e kaluar, ushtria e ka konfirmuar se Ukraina e ka rrëzuar një raketë Kinzhal, duke e përdorur sistemin Patriot, të prodhuar nga Shtetet e Bashkuara.
Çfarë është sistemi raketor Patriot?
Patriot është sistem raketor tokë-ajër, i ndërtuar nga kompania Raytheon Technologies Corp.
Patriot konsiderohet një prej sistemeve ajrore më të avancuara në arsenalin e armëve amerikane.
Ky sistem është përdorur për herë të parë në fushëbetejë në Luftën e Gjirit, më 1991.
Sistemi ka shërbyer si mbrojtje për Arabinë Saudite, Kuvajtin dhe Izraelin, dhe më vonë është përdorur gjatë pushtimit amerikan në Irak, më 2003.
A mundet sistemi Patriot t’i rrëzojë raketat hipersonike?
Sistemi Patriot është dizajnuar para se armët hipersonike të dërgoheshin në fushëbetejë.
Raytheon nuk është deklaruar publikisht nëse sistemi është efektiv kundër raketave me shpejtësi hipersonike (pesë herë më të shpejta sesa shpejtësia e zërit).
Ndonëse SHBA-ja ka thënë se sistemi Patriot e ka rrëzuar raketën Kinzhal, ende nuk dihet nëse raketa ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi hipersonike në atë moment.
Edhe pse raketa ruse Kinzhal mund të arrijë shpejtësi prej 12.350 kilometra në orë, “deklarata e Rusisë se Kinzhal është raketë 'hipersonike' mund të jetë fakt mashtrues, pasi pothuajse të gjitha raketat balistike arrijnë shpejtësi hipersonike, në një pikë gjatë fluturimit të tyre”, ka thënë Qendra për Studime Strategjike Ndërkombëtare, në një raport të marsit 2022.
Si funksionon sistemi Patriot?
Patriot është sistem mobil që zakonisht përfshin një radar të fuqishëm, stacione kontrolluese, gjeneratorë të fuqishëm, stacione lansimi dhe pajisje tjera mbështetëse.
Sistemet kanë kapacitete të ndryshme, varësisht prej llojit të interceptorit që përdoret – raketës që niset për ndalje të raketës tjetër.
Interceptori paraprak PAC-2, përdor një kokë luftarake shpërthyese, derisa familja e raketave PAC-3 përdor teknologji më të avancuar - qëllo për të shkatërruar.
Ende nuk është e qartë se çfarë lloji të sistemeve Patriot janë dërguar në Ukrainë, mirëpo ka shumë mundësi që Kievi posedon të paktën disa interceptorë të rinj PAC-3 CRI.
Radari i sistemit Patriot e ka një rreze mbi 150 kilometra, sipas NATO-s.
Sa kushton?
Një sistem i vetëm Patriot besohet se kushton mbi 1 miliard dollarë.
Si i ndihmon Ukrainës sistemi Patriot?
Ukraina ka thënë se i duhen më shumë sisteme ajrore mbrojtëse, për t’i luftuar sulmet ruse me raketa dhe dronë.
Shtetet e Bashkuara ia kanë ndarë Ukrainës edhe disa sisteme kombëtare të avancuara tokë-ajër (NASAMS).
Ndonëse sistemi Patriot është i dizajnuar për të rrëzuar raketat balistike dhe kërcënime tjera ajrore, ai mund të rrëzojë edhe dronët “kamikazë” të Rusisë, të cilët përdoren shpesh për të goditur infrastrukturën kritike të Ukrainës.
Mirëpo, përdorimi i sistemeve Patriot për këta dronë – që besohet se kushtojnë mijëra dollarë - do të përbënte strategji shumë të kushtueshme të luftës.
Sa përdoret ky sistem?
Raytheon i ka krijuar më shumë se 240 sisteme Patriot dhe ato aktualisht përdoren nga 18 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Për këtë sistem ka pasur shumë kërkesë edhe në Lindje të Mesme, për shkak të kërcënimit që përbën Irani në rajon.
Sipas Raytheon, sistemi ka shkatërruar më shumë se 150 raketa balistike, prej vitit 2015.