Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit e ka pranuar se nuk mund ta formojë Qeverinë e re të Kosovës pa përfshirjen e një partie shqiptare - opsion që më herët e kishte përjashtuar, duke thënë se preferonte një ekzekutiv vetëm me pakicat joserbe. Megjithatë, njohësit thonë se partia e Kurtit është vonuar në nisjen e bisedimeve për koalicionin qeverisës, teksa edhe përfshirja e një partie më të vogël shqiptare në ekzekutiv, sipas tyre, do të prodhonte një qeveri të brishtë.
Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të. Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!
Fituesja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të mund ta formojë qeverinë pa një koalicion me partitë shqiptare. Ky subjekt nuk e ka mbështetjen e plotë të partive joshumicë, por edhe sikur ta kishte, kjo nuk do të mjaftonte për ta formuar ekzekutivin.
Këtë fakt e ka pranuar të martën nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, që tha se formimi i qeverisë së re s’mund të bëhet pa përfshirjen e partive shqiptare në një koalicion qeverisës.
Sipas tij, aktualisht ekzistojnë dy skenarë: votimi i një qeverie të re deri në zgjedhjen e presidentit të ri – prill 2026 – apo votimi i një ekzekutivi afatgjatë.
Për të dy skenarët kërkohen 61 vota të deputetëve.
*Video: Nga refuzimi i bashkëpunimit në dërgimin e ftesave për Qeverinë e re
LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka fituar 48 ulëse në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës, 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me Nisma Socialdemokrate ka tetë deputetë.
Kurti e ftoi për bisedime LDK-në e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, por oferta u refuzua. Gjatë fushatës, Kurti nuk i ka kursyer fjalët për këtë parti dhe si duket LDK-ja këtë gjë nuk e ka harruar. Po ashtu, LVV-ja kishte thënë se preferon një qeveri vetëm me pakicat joserbe.
A u vonua LVV-ja me konsultimet për ekzekutivin e ri?
Politologu Dritëro Arifi vlerëson se LVV-ja ka “humbur kohë”, pasi është dashur t’i fillojë bisedimet me partitë e tjera parlamentare për formimin e qeverisë së re menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare.
“Nga këndvështrimi im, është dashur që më 10 shkurt të fillojnë negociatat me partitë parlamentare, që të shohin se në cilat pikat pajtohen nga aspekti programor. Por, LVV-ja ka bërë të kundërtën”, thotë ai.
Ai beson se nevojitet “një koalicion më i madh shqiptar”, për ta krijuar “një momentum të mirë për t’i bërë ballë edhe ndryshimeve të mëdha gjeopolitike që po ndodhin, por edhe reformave që janë të rëndësishme për mirëqenien e qytetarit”.
Emir Abrashi nga organizata joqeveritare Demokracia Plus thekson se një qeveri e re mund të formohet me mbështetjen e komuniteteve pakicë joserbe, vetëm nëse edhe Nisma e Fatmir Limajt bëhet pjesë e koalicionit qeverisës.
Bashkëpunimi me partitë shqiptare, “i domosdoshëm”
Për dallim nga partitë e tjera shqiptare – që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë – Limaj ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti. As PDK s’ka vija të kuqe, por është shprehur se preferon një ekzekutiv pa LVV-në.
Megjithatë, Abrashi thekson se një qeveri e tillë nuk do të ishte e qëndrueshme dhe do të përballej me vështirësi në miratimin e ligjeve në Kuvend.
“Pyetja e parë e madhe me të cilën do të përballej ajo do të ishte zgjedhja e presidentit vitin e ardhshëm,” thotë ai, duke kujtuar se për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota të deputetëve – në dy rundet e para, e më pas kërkohen vetëm 61.
“Mbështetja e njërës prej partive më të mëdha opozitare do të jetë e domosdoshme, përndryshe do të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme. Megjithatë, retorika e Kurtit në të kaluarën lë pak hapësirë për marrëveshje”, thekson Abrashi.
Komunitetet joshumicë
Në Kuvendin e Kosovës, nga 120 ulëse, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë: 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet e tjera.
As të 10 votat e komuniteteve joserbe, që tradicionalisht e kanë mbështetur koalicionin qeverisës, Kurti s’i ka të sigurta, edhe pse shumica kanë thënë se do ta votonin një ekzekutiv të udhëhequr nga ai.
E nëntë votat që i ka Lista Serbe, as që merren në konsideratë. Kjo parti, që nga themelimi i saj më 2013, ka qenë pjesë e të secilës qeveri, pasi ka fituar gjithmonë të gjitha ulëset e rezervuara për serbët.
Kësaj radhe ekziston bazë ligjore që Lista Serbe të përjashtohet nga qeveria, pasi një deputet e ka fituar Partia serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit.
Abrashi vlerëson se Lista Serbe nuk do të luajë rol të rëndësishëm në formimin e qeverisë së re dhe si arsye përmend përfshirjen e drejtpërdrejtë të ish-nënkryetarit të saj, Millan Radoiçiq, në sulmin e armatosur në Banjskë.
Ai shton se Lista Serbe nuk është partnere e besueshme, sepse prej më shumë se dy vjetësh i bojkoton institucionet e Kosovës.
“Është imperativ që komuniteti serb të gjejë një mënyrë për përfaqësim më të shëndetshëm në institucionet e Kosovës, në mënyrë që të shmanget një skenar ku ndonjë parti e madhe politike në Kosovë mendon se nuk është e mundur asnjë lloj bashkëpunimi me përfaqësuesit e tyre”, thekson ai.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, një post ministri në Qeverinë është i rezervuar për komunitetin serb dhe një tjetër për komunitetet tjera joserbe. Nëse ekzekutivi më shumë se 12 ministri, atëherë emërohet edhe një ministër tjetër nga radhët e komuniteteve joshumicë.
Zgjedhja e këtyre ministrave bëhet në konsultim me partitë parlamentare. Nëse emërohet dikush jashtë partive parlamentare, atëherë kërkohet miratimi nga shumica e deputetëve nga komuniteti që i përket ministri.
Nëse LVV-ja s’arrin t’i sigurojë 61 vota, atëherë është në dorën e presidentes Vjosa Osmani që të mandatojë partinë që e siguron se i ka votat për ekzekutivin. PDK-ja ka thënë se është e gatshme për këtë përgjegjësi, nëse i vjen radha. Por, edhe nëse mandatari i dytë dështon, atëherë kosovarët sërish do t'iu drejtohen kutive të votimit.
Por, para zgjedhjes së Qeverisë, fillimisht le të presim zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.
Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).
Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:
- Rrëfimi i një siriani në Kosovë: “Si i ika luftës, por mbeta i burgosur në Prishtinë”
- Paradoksi i tregut të patundshmërive: Mbi 180 mijë banesa të zbrazëta
- "Jemi në siklet": Pasojat për bizneset kosovare pas vendosjes së tarifës nga SHBA-ja
Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.