VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i opozitës shqiptare, VLEN, thanë se kanë arritur pajtueshmëri për “shtyllat kryesore” gjatë një takimi të shtunën për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.
Në një komunikatë për media pas takimit në Shkup, këto dy parti njoftuan se takimi mes liderëve partiakë ka zgjatur rreth tre dhe se ata janë pajtuar për parimet e përgjithshme të bashkëpunimit.
“Integrimi evropian, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit do të jenë shtyllat bazë të punës së qeverisë së re”, thuhet në komunikatën e përbashkët pas takimit të mbajtur mes delegacionit të VMRO DPMNE-së, të kryesuar nga Hristijan Mickoski, dhe drejtuesve të koalicionit VLEN, Arben Taravari, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi.
Drejtuesit e dy kampeve politike kanë bërë të ditur se, nga java e ardhshme, bisedimet do të vazhdojnë mes grupeve të punës “për të gjitha çështjet deri në finalizimin e bisedimeve për bashkëqeverisje”.
VMRO DPMNE-ja i fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare më 8 maj dhe në përbërjen e re parlamentare do t’i ketë 58 deputetë nga 120 sa ka Parlamenti i Maqedonisë së Veriut.
Koalicioni opozitar shqiptar VLEN ia doli t’i fitojë 13 ulëse në Parlament dhe drejtuesit e tij kanë thënë se “janë përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve në qeverinë e ardhshme”.
Mickoski pritet që, pas inaugurimit të presidentes së re të shtetit Gordana Silanovska Davkova, ta marrë mandatin për formimin e kabinetit të ri qeveritar.
Ndërkohë, Fronti Evropian, i cili drejtohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) deri tani në pushtet, pretendon se përfaqësuese legjitime e shqiptareve, duke qenë se i ka fituar 19 ulëse në Parlament në zgjedhjet e 8 majit. Pjesë e këtij koalicioni ishin edhe partitë turke, rome dhe boshnjake.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha të shtunën në një mbledhje të Frontit Evropian në Shkup se partitë shqiptare duhet të respektojnë një dokument, që sipas tij, është nënshkruar nga të gjitha partitë se “kusht për pjesëmarrjen në qeverinë e re do të jetë miratimi i ndryshimeve kushtetuese me qëllim vazhdimin e procesin të anëtarësimit të vendit në BE”.
“Ne, partitë politike të nënshkruara më poshtë, duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhet vendi, ndiejmë detyrimin se jemi të vendosur që tani dhe në të ardhmen të bashkëpunojmë dhe bashkëqeverisim vetëm me ato parti politike që pranojnë të mbështesin ndryshimet kushtetuese për integrimin e vendit në BE”, tha Ahmeti duke prezantuar dokumentin e partive shqiptare.