Anzhelika Medvedyeva mezi arriti të regjistronte pamjen e djalit të saj të vetëm shtrirë në tokë, i vdekur para saj dhe një pellg gjaku pranë tij nga plagët e plumbave, kur u dëgjuan të shtëna të tjera.
Dy të shtëna goditën bashkëshortin e saj, Andriy, teksa ai çmendurisht kërkoi ndihmë për të sjellë trupin e Denisit brenda derës së ndërtesës të banesës së tij. Ai bërtiti dhe ra i vdekur pak metra larg djalit të tij, kujton Medvedyeva.
“Nuk mund të besoja se ata të dy kishin vdekur, se nuk mund të bëja asgjë për t'i shpëtuar”, tha Medvedyeva, një refugjate nga qyteti i shkatërruar ukrainas i Mariupolit, për Radion Evropa e Lirë në Lituani, ku është strehuar me nusen e saj, Valerian, dhe mbesën 16-muajshe, Karolinan.
Tragjedi si ajo që shpartalloi familjen e Medvedyevas po ndodhin çdo ditë në Ukrainë, ndërsa Rusia po ecën përpara gati katër muaj pasi filloi një pushtim në shkallë të gjerë më 24 shkurt, duke vrarë civilë dhe duke dëbuar të mbijetuarit.
Shtrirja e vuajtjeve të civilëve ka qenë veçanërisht ekstreme në Mariupol, një qytet port industrial në Donbas që ishte shtëpia e më shumë se 400,000 banorëve para se të kthehej në rrënoja nga sulmet e pamëshirshme ruse në tre muajt e parë të ofensivës.
Kapja e Mariupolit ishte vendimtare për dy nga qëllimet e dukshme të presidentit rus, Vladimir Putin - marrjen e kontrollit të plotë mbi Donbasin dhe vendosjen e një “ure tokësore” midis Rusisë dhe Krimesë, gadishullit ukrainas të Detit të Zi që Rusia e pushtoi në 2014.
Rusia ka dërguar deri në 20 mijë ushtarë në betejën për Mariupolin dhe kanë sulmuar qytetin me bomba, raketa e artileri të rëndë, ditën dhe natën. Mes caqeve të goditura kanë qenë edhe një numër ndërtesash banimi, spitale dhe një teatër ku qindra të rritur dhe fëmijë ishin strehuar.
Për disa ditë të pushtimit, trupat ruse kishin rrethuar qytetin, duke ndërprerë komunikimet, ujin dhe gazin dhe duke shkaktuar një krizë të madhe humanitare në qytet.
Për rreth një muaj, familja Medvedyev u mblodh në banesën e Denisit dhe Valerias në qendër të Mariupolit, duke besuar fillimisht se atje ishte më e sigurt se në periferi, ku jetonin Anzhelika dhe Andriy.
Por, në mes të marsit, derisa bombardimet në qendër të qytetit u intensifikuan dhe betejat u shpërndanë në rrugë, Denisi, i cili ishte 26 vjeç, u bë pesimist.
“Ky është fundi, ne nuk do të mbijetojmë”, tregon nëna e tij se i kishte thënë ai më 19 mars, rreth katër javë pas rrethimit më vdekjeprurës që Evropa ka parë në të paktën dy dekada.
Ndërtesa ngjitur me ta ishte dëmtuar rëndë nga luftimet, pjesa e jashtme e saj ishte nxirë nga zjarri e tymi.
Duke e ditur se ndërtesa e tyre mund të ishte e radhës, ata përgatitën pako emergjente që përmbanin rroba, shishe uji në mënyrë që të mund të mbulonin shpejt fytyrat e tyre në rast se do të detyroheshin të kalonin nëpër tymin ngufatës.
Andriy dhe Denisi ishin pjesë e ekipit të vullnetarëve në mesin e banorëve të mbetur të pallatit, të cilët vëzhgonin për ndonjë shenjë zjarri. Me shumë apartamente të braktisura nga banorët që ikën nga pushtimi, një zjarr mund të përhapej shpejt në ndërtesë.
Medvedyevët e dinin se ishte e rrezikshme të dilje jashtë. Ata kishin parë shumë trupa civilësh të shtrirë në rrugë - disa viktima të djegura të sulmeve të bombardimeve ruse, të tjerë të vrarë duke u përpjekur të merrnin ujë nga puset ose lumi.
Skena në rrugë ishte aq e tmerrshme sa Andriy dhe Denisi ndonjëherë nuk pranonin të përshkruanin çfarë kishin parë kur bënin rrugët e tyre të rrezikshme për nevojat themelore, tha Medvedyeva.
Të mbijetuarit e masakrës në Mariupol dhe pjesë të tjera të vendit thonë se forcat ruse akuzojnë në mënyrë rutinore civilët ukrainas, veçanërisht burrat, se punojnë për njësitë e mbrojtjes lokale ose kanë ndihmuar ushtrinë e tyre me informacione, duke i nxjerrë ata nga rrugët për t'i marrë në pyetje. Ndonjëherë ata edhe vriteshin.
Kur Denisi dyshoi se kishte zjarr në ndërtesë në fund të marsit, ai mori Andriyn dhe të dy dolën jashtë për të parë se nga cili apartament mund të vinte.
Ky ishte momenti kur plumbat e parë goditën Denisin, tha Medvedyeva. Pas pak minutash, Andriy u qëllua dhe ra përtokë para syve të saj.
Numri i saktë i civilëve të vrarë në Mariupol ende nuk dihet. Viktimat janë varrosur pa u identifikuar në varreza masive dhe Rusia nuk i ka lejuar organizatat ndërkombëtare të hyjnë në qytet, i cilin tani kontrollohet nga forcat ruse.
Qyteti i shkatërruar është një nga shumë vende në Ukrainë ku Kievi zyrtar, qeveritë perëndimore dhe grupet globale të të drejtave të njeriut kanë akuzuar Rusinë se ka kryer krime lufte.
Medvedyeva, 49 vjeç, u lind dhe u rrit në rajonin e Krasnodarit të Rusisë jugore nga prindër me origjinë armene dhe ukrainase. Ajo jetonte në Mariupol për gati 30 vjet.
Ajo tha se jeta kishte filluar të përmirësohej në qytet, përtej luftës mes forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në Donbas, që kishte nisur në vitin 2014. Forcat e mbështetura nga Rusia ishin përpjekur, por nuk arritën të kapnin Mariupolin, qytetin e dytë më të madh në rajonin e Donjeckut.
“Gjatë [tetë] vjetëve të fundit, ne u mësuam që jeta të ishte e mirë në qytet. Ai po zhvillohej, po bëhej më i bukur”, tha ajo. Por tani, shtoi ajo, sulmet ruse e kanë kthyer Mariupolin në një “varrezë”.
Si shumë banorë të Mariupolit, Medvedyeva nuk arriti t’i merrte trupat e të dashurve të saj dhe t'i varroste për shkak të luftimeve intensive.
Forcat ruse morën trupat e dekompozuar të Andriyt dhe Denisit një javë pasi u vranë, i ngarkuan në një kamion me kufoma të tjera dhe i çuan në një vend të panjohur, tha ajo.
Në pamundësi për t'u larguar për në territorin e kontrolluar nga Ukraina për shkak të rrethimit të qytetit nga forcat ruse, Medvedyeva i çoi Valerian dhe Karolinan në Krasnodar, ku ende jetojnë prindërit e saj.
Ajo tha se nuk donte të qëndronte në Rusi, pavarësisht lutjeve të prindërve të saj, pas asaj që i ndodhi familjes së saj.
“Unë e di qëndrimin e djalit tim ndaj Rusisë dhe ai nuk do të më falte kurrë nëse do ta çoja fëmijën e tij atje për të jetuar”, tha ajo.
Medvedyeva shkoi në Lituani, ku po ndihmon duke u kujdesur për Valeriyan, 26 vjeçe, dhe Karolinan.
"Nuk kam kohë të mendoj për dhimbjen time", tha ajo, duke shtuar se po kërkon punë dhe strehim të qëndrueshëm për t’u siguruar që Valeria dhe Karolina të kenë kujdesin e duhur dhe të jenë të lumtura.
“Unë ende dua që ne të kemi një mundësi për një jetë, përndryshe do të mendoj se [burri dhe djali im] vdiqën pa asnjë arsye”, tha ajo.
Bazuar në raportimin e Inna Kuznetsova, korrespondente e shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë
Facebook Forum