Termocentrali më i madh bërthamor i Evropës u godit nga bombardimet ruse herët të premten, duke shkaktuar një zjarr dhe duke rritur frikën për një fatkeqësi që mund të prekë të gjithë Evropën qendrore për dekada të tëra, si shkrirja në centralin e Çernobilit më 1986.
Shqetësimet u zbehën pasi autoritetet ukrainase njoftuan se zjarri ishte shuar dhe ndonëse kishte dëmtime në ndarjen e reaktorit, siguria e njësisë nuk u ndikua.
Por, edhe pse centrali bërthamor i Zaporizhjas ka një dizajn të ndryshëm nga ai i Çernobilit dhe është i mbrojtur nga zjarri, ekspertët e sigurisë bërthamore dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike paralajmërojnë se lufta brenda dhe rreth këtyre objekteve paraqet rreziqe ekstreme.
Një shqetësim i madh, i ngritur nga Rregullatori shtetëror bërthamor i Ukrainës, është se nëse luftimet ndërpresin furnizimin me energji të centralit bërthamor, ai do të detyrohet të përdorë gjeneratorë me naftë më pak të besueshëm, për të siguruar energji emergjente për sistemet operative të ftohjes.
Një dështim i këtyre sistemeve mund të çojë në një fatkeqësi të ngjashme me atë të uzinës japoneze të Fukushimës, kur një tërmet masiv dhe cunami në vitin 2011 shkatërruan sistemet e ftohjes, duke shkaktuar shkrirje në tre reaktorë. Pasoja e kësaj, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, do të ishte shumë e përhapur dhe e tmerrshme.
“Nëse ka një shpërthim, ky është fundi për të gjithë. Fundi për Evropën. Evakuimi i Evropës”, tha ai në një fjalim emocionues në mes të natës, duke u bërë thirrje vendeve të bëjnë presion mbi udhëheqjen ruse për t'u dhënë fund luftimeve pranë uzinës.
“Vetëm veprimi urgjent i Evropës mund t’i ndalojë trupat ruse. Mos lejoni vdekjen e Evropës nga një katastrofë në një central bërthamor”, tha ai.
Çfarë ndodhi?
Pasi morën qytetin port strategjik të Hersonit, forcat ruse u zhvendosën në territorin pranë Zaporizhjas dhe sulmuan qytetin e afërt të Enerhodarit për të hapur një rrugë për në uzinë, të enjten vonë.
Nuk ishte menjëherë e qartë se si u godit termocentrali, por kryebashkiaku i Enerhodarit, Dmytro Orlov, tha se një kolonë ushtarake ruse ishte parë duke u drejtuar kah objekti bërthamor dhe se të shtëna të forta u dëgjuan në qytet.
Zëdhënësi i uzinës, Andriy Tuz, i tha televizionit ukrainas se të premten herët në mëngjes, predhat ranë drejtpërdrejt mbi objektin dhe i vunë flakën një prej gjashtë reaktorëve të tij.
Fillimisht, zjarrfikësit nuk mundën t'u afroheshin flakëve, sepse po qëllohej në drejtim të tyre, tha Tuz.
Pasi foli me autoritetet ukrainase të premten, Rafael Grossi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), tha se u godit një ndërtesë pranë reaktorëve dhe jo reaktori.
“Sistemet e sigurisë së gjashtë reaktorëve në termocentral nuk u prekën fare dhe nuk ka pasur asnjë lëshim të materialit radioaktiv,” tha ai.
“Megjithatë, siç mund ta imagjinoni, operatori dhe rregullatori na kanë thënë se situata natyrisht vazhdon të jetë jashtëzakonisht e tensionuar dhe sfiduese”.
Në fillim të kësaj jave, Grossi kishte paralajmëruar se IAEA ishte "shumë e shqetësuar" nga forcat ruse që kryenin operacione ushtarake kaq afër.
Ai shtoi se puna në dhe përreth objekteve bërthamore në Zaporizhzhia apo objekte tjera bërthamore në Ukrainë nuk guxon të ndërpritet nga konflikti armatosur, sikurse nuk duhet të pengohen edhe njerëzit që punojnë aty.
Çfarë mund të ndodhte?
Reaktori që u godit ishte jashtë funksionit (offline), por ende përmban karburant bërthamor shumë radioaktiv. Katër nga gjashtë reaktorët e tjerë tani janë hequr nga funksioni, duke e lënë në funksion vetëm një.
Reaktorët në termocentral kanë kupola të trasha prej betoni, të cilat do t'i kishin mbrojtur ata nga zjarri i jashtëm nga tanket dhe artileria, tha Jon Wolfsthal, i cili shërbeu gjatë administratës së presidentit amerikan, Barack Obama, si drejtor i lartë për kontrollin e armëve në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Në të njëjtën kohë, një zjarr në një central bërthamor nuk është kurrë një gjë e mirë, tha ai.
“Ne nuk duam që termocentralet tona bërthamore të sulmohen, të jenë në zjarr dhe të mos ekzistojë mundësia që reaguesit e parë të kenë qasje në to”, tha ai.
Një tjetër rrezik në objektet bërthamore janë pishinat ku ftohen shufrat e karburantit të shpenzuar, të cilat janë më të ndjeshme ndaj granatimeve dhe që mund të shkaktojnë lëshimin e materialit radioaktiv.
Ndoshta problemi më i madh, megjithatë, është furnizimi me energji elektrike i termocentralit, tha Najmedin Meshkati, një profesor inxhinierie në Universitetin e Kalifornisë Jugore, i cili ka studiuar fatkeqësinë e Çernobilit dhe atë të Fukushimës, duke ngritur një shqetësim të shprehur edhe nga Wolfsthal dhe të tjerët.
Humbja e energjisë mund ta detyrojë centralin të mbështetet në gjeneratorët e emergjencës me naftë, të cilët nuk janë të besueshëm dhe mund të dështojnë ose të mbeten pa karburant, duke shkaktuar një ndërprerje të punës së stacionit, që do të ndalonte edhe qarkullimin e ujit të nevojshëm për të ftohur rezervuarin e karburantit të shpenzuar, tha ai.
"Ky është shqetësimi im i madh - më i madh", u shpreh ai.
David Fletcher, profesor i Universitetit të Sidneit në Shkollën e tij të Inxhinierisë Kimike dhe Biomolekulare, vuri në dukje se mbyllja e reaktorëve nuk do të ndihmonte nëse sistemi i ftohjes dështon.
“Shqetësimi i vërtetë nuk është një shpërthim katastrofik siç ndodhi në Çernobil, por dëmtimi i sistemit të ftohjes, i cili kërkohet edhe kur reaktori është i mbyllur”, tha ai.
"Ishte ky lloj dëmtimi që çoi në aksidentin e Fukushimës", sipas tij.
Çfarë shqetësimi mbetet?
Ukraina është shumë e varur nga energjia bërthamore, me 15 reaktorë në katër stacione që ofrojnë rreth gjysmën e energjisë elektrike të vendit.
Në vazhdën e sulmit në Zaporizhja, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe të tjerë kërkuan që menjëherë t’u jepet fund luftimeve atje.
Pas një bisede me kryeministrin ukrainas, Denys Shmyhal, drejtori i IAEA-s, Grossi, u bëri thirrje të gjitha palëve që të "përmbahen nga veprimet" që mund të vënë në rrezik termocentralet bërthamore të Ukrainës.
Shmyhal u bëri thirrje vendeve perëndimore që t’i mbyllin qiejt mbi centralet bërthamore të vendit.
“Është një çështje e sigurisë së të gjithë botës!”, tha ai në një deklaratë.
Ukraina është, gjithashtu, shtëpi e ish-uzinës bërthamore të Çernobilit - ku radioaktiviteti ende rrjedh - që u mor nga forcat ruse.
Në një thirrje drejtuar IAEA-s për ndihmë në fillim të kësaj jave, zyrtarët ukrainas thanë se stafi i Çernobilit ishte mbajtur nga ushtria ruse pa rotacion dhe se ai është shumë i lodhur.
Grossi në fillim të kësaj jave i bëri thirrje Rusisë që të lejojë stafin e Çernobilit "të bëjë punën e tij në mënyrë të sigurt dhe efektive".
Gjatë luftimeve në fundjavë, zjarri rus goditi gjithashtu një objekt të depozitimit të mbetjeve radioaktive në Kiev dhe një strukturë të ngjashme në Harkiv.
Të dyja përmbanin mbetje të nivelit të ulët, por Grossi tha se incidentet duhet të shërbejnë si një paralajmërim.
"Dy incidentet nxjerrin në pah rrezikun që objektet me material radioaktiv mund të pësojnë dëmtime gjatë konfliktit të armatosur, me pasoja potencialisht të rënda", tha ai.
James Acton, bashkëdrejtor i Programit të Politikës Bërthamore në Institutin "Carnegie Endowment for International Peace", tha se çelësi i thjeshtë për t'i mbajtur objektet të sigurta, është përfundimi i menjëhershëm i çdo operacioni ushtarak rreth tyre.
"Në rrethana normale, gjasat që një reaktor të humbasë fuqinë dhe të dëmtohen gjeneratorët e emergjencës me naftë dhe të mos riparohen në mënyrë adekuate shpejt, janë shumë-shumë të vogla. Por, në një luftë, të gjitha këto dështime të ndryshme që duhet të ndodhin që një reaktor të dëmtohet dhe shkrihet - gjasat që të gjitha të ndodhin - bëhen shumë më të mundshme sesa në kohë paqeje", tha Acton.
Mitsuru Fukuda, një profesor në Universitetin Nihon në Tokio dhe ekspert në menaxhimin e krizave dhe sigurisë, tha se sulmi në Zaporizhja ngre pyetje më të gjera për të gjitha vendet.
"Shumë prej nesh nuk prisnin që ushtria e një vendi të respektuar të ndërmerrte një hap kaq të egër", tha ai.
“Tani që (presidenti rus Vladimir) Putin e ka bërë këtë, jo vetëm Ukraina, por komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Japoninë, duhet të rivlerësojnë rrezikun e të pasurit të centraleve bërthamore si objektiva të mundshme të kohës së luftës”.
Facebook Forum