Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 6 korrik, ka vazhduar gjykimi për rastin e vrasjes së liderit të Iniciativës qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq, ku Prokuroria Speciale, paraqiti Marina Ivanoviq, bashkëshorten e kurorëzuar të Oliver Ivanoviqit, si palë të dëmtuar.
Megjithatë, ajo deklaroi se nuk ishte e gatshme për fjalën hyrëse, sepse kishte menduar se po vinte në gjyq si dëshmitare,. Lidhur me këtë, gjykatësi i tha asaj se mund të paraqiste deklaratën e saj në një nga seancat e ardhshme.
Në anën tjetër, avokatët mbrojtës protestuan, duke pretenduar se Marina Ivanoviq është ish-gruaja e Oliver Ivanoviqit dhe se kur ai u vra, ishte i martuar me Milena Popoviqin.
Avokatët e mbrojtjes kërkuan që procesi gjyqësor të shtyhet derisa të përcaktohet pala e dëmtuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviç, gjë të cilën gjykatësi e refuzoi, duke shpjeguar se gjatë gjykimit mund të paraqiten edhe të tjerë, si palë e dëmtuar. Ai tha se nuk kishte nevojë të shtyhej gjykimi dhe i tha Marina Ivanoviqit që të përgatitej për seancën tjetër për fjalën hyrëse.
"Nëse pala e dëmtuar nuk bashkohet me ndjekjen penale, kjo mund të merret si një rrethanë lehtësuese", tha gjykatësi.
Paraprakisht, të akuzuarit Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq u deklaruan përsëri të pafajshëm për vrasjen e Oliver Ivanoviç. Sidoqoftë, Zharko Jovanoviq u deklaruan fajtor për posedim të paautorizuar të armëve.
Tre të akuzuarit e tjerë, Zvonko Veselinoviq, Milan Radoiçiq dhe Zhelko Bojiq, janë në arrati.
Prokurori Burim Qerkini ka thënë se gjatë gjykimit do të ketë prova të qarta për organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
“Ata që kanë kryer vrasjen nuk gjenden para gjyqit, identiteti i tyre edhe më tej është i panjohur”, ka thënë Qerkini, por ka gjithashtu ka theksuar që Prokuroria Speciale do të provojë se të akuzuarit, të cilët janë të pranishëm në gjykim, morën pjesë në heqjen e pengesave për vrasje, keqpërdorimin e pozitës zyrtare, si dhe kanë marrë pjesë në bashkëpunim me personat që e kryen vrasjen.
Gjithashtu, prokurori deklaroi se një nga të akuzuarit, Dragisha Markoviq, i ka transmetuar informacione një zyrtari të policisë në Serbi.
Bazuar në aktakuzën e tretë të ngritur nga Zyra e Prokurorit Special, të akuzuarit ngarkohen se që nga viti 2014 e deri në vitin 2018 kanë qenë pjesë grupit kriminal, të udhëhequr nga Zhelko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radojçiq dhe se në vazhdimësi kanë tentuar që ta vendosin nën kontrollin e tyre Mitrovicën e Veriut.
Pretendohet që të akuzuarit kanë ndihmuar me vetëdije dhe me qëllim grupin kriminal, me qëllim të kryerjes së veprës penale, vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Prokurori Burim Qerkini gjithashtu ka folur edhe për provat që do të paraqiten gjatë gjykimit, disa prej të cilave janë gëzhojat e gjetura në vendin e djegies së automjetit, nga i cili u qëllua Oliver Ivanoviqin, pamjet e kamerës që mbulonin pjesën e qytetit ku ndodhi vrasja, si dhe provat nga zyra e partisë ku punonte Ivanoviq.
“Do të vazhdojmë me dëshmitë e dëshmitarëve, të cilët do të konfirmojnë dyshimin e bazuar mirë se të lartpërmendurit (të akuzuarit) janë pjesë grupit kriminal të organizuar mirë dhe se kanë punuar për vrasjen e Ivanoviqit, si dhe që kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale pas vrasjes së tij”, ka thënë prokurori Qerkini.
Ai theksoi se dëshmitarët do të jenë të mbrojtur për shkak të sigurisë së tyre, por që secili prej tyre do të vërtetojnë të gjitha ato që qëndrojnë në aktakuzë.
Në afat prej tre vjetësh, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza lidhur më rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, por përveç që të akuzuarit janë deklaruar dy herë lidhur me fajësinë, procesi gjyqësor nuk ka përparuar më tej.
Aktakuza e parë është ngritur në dhjetor të vitit 2019 dhe në fund të po atij muaji, prokurori i atëhershëm Sylë Hoxha, paraqiti një aktakuzë të dytë të ndryshuar. Më pas, në nëntor të vitit 2020, është ngritur edhe aktakuza e tretë, pasi që Gjykata e Apelit në Prishtinë e kishte kthyer aktakuzën e mëparshme për plotësim.
Oliver Ivanoviq është vrarë më 16 janar të vitit 2018. Ai ishte qëlluar gjashtë herë në shpinë, para hapësirës së objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut. Ai drejtonte Iniciativën Qytetare ‘Liri, Demokraci, Drejtësi’ (SDP), që ishte subjekti kryesor opozitar serb në Mitrovicën e Veriut.