Ndërlidhjet

Shqipëria siguron 1 milion vaksina kundër COVID-19


Vaksina kineze kundër koronavirusit.
Vaksina kineze kundër koronavirusit.

Qeveria e Shqipërisë ka siguruar 1 milion doza vaksinash kineze Sinovac kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, pas negociatave me një kompani turke të autorizuar për distribuimin e këtyre vaksinave.

Nga kontrata e nënshkruar të enjten në Stamboll mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kompanisë turke “Keymen Ilaç Sanayive Ticaret”, parashikohet që fillimisht të blihen 500 mijë doza, të cilat pritet të dërgohen në Shqipëri gjatë dy muajve të ardhshëm.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama në Facebook, i cili bashkë me ministrat Arben Ahmetaj dhe Ogerta Manastirliu, ishte në Stamboll për të nënshkruar marrëveshjen.

Duke ndarë drejtpërdrejt pamjet nga Aeroporti i Stambollit, ku po bëhej ngarkimi i një sasie vaksinash, Rama theksoi në Facebook se në kthim qeveria do të sigurojë 192 mijë dozat e para, të parapara sipas marrëveshjes.

“Stamboll - Kemi siguruar 1 milion vaksina të tjera. Kontraktuam për momentin gjysmë milioni doza brenda 60 ditësh. Sjellim sot në Tiranë 192 mijë”, shkruan Rama.

Rama ka shprehur gatishmërinë për të vaksinuar në Kukës, 11,000 pjesëtarë të stafit shëndetësorë të Kosovës.

Prej 11 janarit, kur Shqipëria nisi fushatën e vaksinimit, qeveria ka mundur të importojë 90 mijë doza vaksinash kundër COVID-19, prej së cilave pak më shumë se gjysma (rreth 54 mijë) janë injektuar për stafin mjekësor, të moshuarit dhe arsimtarët.

Për të nisur vaksinimin masiv të popullsisë, qeveria ka deklaruar se do të shtojë kapacitetet për të mundësuar deri në 10-15 mijë vaksinime në ditë.

Shqipëria vaksinon mjekët e Kosovës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:11 0:00

Në Shqipëri disa ditë më parë kanë mbërritur 10 mijë doza të vaksinës ruse “Sputnik V” kundër sëmundjes COVID-19. Ndryshe, nga deklaratat fillestare, kur Rama tha se Shqipëria nuk do të pranojë vaksina ruse dhe kineze, disa ditë më parë, qeveria i hapi rrugë marrjes së vaksinave nga Rusia dhe Kina.

Shqipëria ka filluar procesin e vaksinimit në fillim të muajit janar. Deri tani, në këtë vend janë vaksinuar stafi mjekësor, grupet që konsiderohen më të rrezikuara, dhe personat mbi moshën 80 vjeç.

Ky shtet ka kontratë me kompaninë amerikane Pfizer, për sigurimin e mbi 500.000 dozave të vaksinës. Aktualisht, Tirana zyrtare po ashtu ka siguruar afër 40.000 doza të vaksinës së kompanisë AstraZeneca.

Prej paraqitjes së rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri në muajin mars të vitit 2020, rreth 122.000 persona janë infektuar me koronavirusin e ri.

Prej tyre 2.171 pacientë kanë vdekur.

Në Kukës, më 20 dhe 21 mars u vaksinuan mjekët nga Kosova, me premtimin e Qeverisë shqiptare që ky proces do të vazhdojë, dhe se stafi mjekësor i Kosovës do të ndihmohet nga Shqipëria.

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë që nuk ka siguruar asnjë vaksinë kundër koronavirusit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG