Ndërlidhjet

Kosnett takon Lajçakun, riafirmon mbështetjen për dialogun


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, takoi të hënën të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të cilit i riafirmoi “mbështetjen e SHBA-së për një proces bashkëpunuës dialogu, të udhëhequr nga BE-ja”.

“Qëllimi ynë: një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe integrim më i thellë euro-atlantik, nga i cili përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë”, tha Kosnett, transmeton Ambasada amerikane përmes një postimi në Facebook.

Lajçak arriti të hënën në Kosovë, ku takoi edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Kurti, më herët, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk do të jetë në mesin e prioriteteve të Qeverisë së tij.

Sipas raportimeve të mediave në Prishtinë, Kurti, edhe pas takimit me Lajçakun, tha se nuk e mohon rëndësinë e dialogut me Serbinë, por shtoi se ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe i sinqertë.

Kurti tha se “nuk është në presion të kohës” dhe nuk dha datë se kur mund të rifillojë dialogu.

Lajçak vazhdon vizitën në Kosovë të martën, me një takim me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, të paraparë për në orët e mëngjesit.

Video:

Fiaskoja e një harte me “status neutral”
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:16 0:00

Këtë muaj bëhen dhjetë vjet prejse Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat e drejtpërdrejta për normalizimin e marrëdhënieve.

Bisedimet ndërmjetësohen nga BE-ja dhe mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

Ato do të duhej të përfundonin me një marrëveshje të detyrueshme gjithëpërfshirëse.

Lajçak ka thënë më herët se “Bashkimi Evropian është i bindur se normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është absolutisht i mundur”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG