Ndërlidhjet

Sasho Mijallkov dënohet me 12 vjet burgim


Sasho Mijallkov më 26 shkurt.
Sasho Mijallkov më 26 shkurt.

Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar me 12 vjet burgim, Sasho Mijallkovin, ish-shefin e policisë sekrete të Maqedonisë së Veriut.

Ai, së bashku me disa ish-bashkëpunëtorë të tij, është shpallur fajtor për veprën penale “Bashkim kriminal”, “Përgjime të paligjshme” dhe “Shkatërrim të pajisjeve për përgjim”.

Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, dy drejtues të lartë në Drejtorinë e Sigurimit dhe Kundërzbulimit janë dënuar me nga 15 vjet burgim.

Ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska u dënua me 4 vjet burgim, ndërsa Vlladimir Vallerov, Silvana Zllatkova dhe Vasil Isakovski, të gjithë punonjës në shërbimin sekret janë dënuar me nga 2 vjet burgim.

“Të akuzuarit shpallen fajtorë për përgjim masiv të paligjshëm, me një qëllim të vetëm dhe motiv për të vendosur kontroll të plotë politik, ekonomik dhe kontroll të përgjithshëm në jetën e përditshme duke shkelur në drejtat elementare të njeriut. Viktimat, përkatësisht të dëmtuarit janë politikanë, gazetari, personalitete nga jeta politike ekonomike e biznesi që kanë ndikim në shoqëri. Ata kishin për qëllim të kishin kontroll mbi të gjithë, jo vetëm mbi kundërshtarët politikë, por mbi të gjitha ata që kanë ndikim, përfshirë edhe bashkëpunëtorët e tyre. Të gjithë përgjonin dhe madje nuk e dinin nëse edhe vetë përgjohen”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Penale në Shkup.

“Përgjimet janë kryer përmes pajisjeve dhe sistemit që ekzistonte në Ministrinë e Punëve të Breshme për ndjekjen e komunikimeve, sisteme që duhet të shërbimin për sigurinë dhe të drejtat të qytetarëve dhe të shtetit në përgjithësi... Këto pajisje ishte shkatërruar menjëherë pas informacioneve se bisedat e përgjuara tashmë ishin të kapshme për opinionin e gjerë me nisjen e publikimit të tyre duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej më shumë se një milion euro”, thuhet më tej në vendim.

Në bazë të akuzës për rastin e koduar si “Target-Fortesa”, Sasho Mijallkov, i cili ka qenë në krye të Drejtorisë për Siguri Kombëtare, ka përgjuar në mënyrë të paligjshme mbi 4.000 numra të telefonit, apo rreth 20.000 persona, pa pasur vendim gjyqësor për përgjime të tilla.

Ish-drejtori i policisë sekrete maqedonase, Sasho Mijallkov, të martën ishte dorëzuar në Prokurorinë e Shkupit, për të marrë vendimin e arrestit shtëpiak, pas dy ditë kërkimesh intensive nga policia, e cila shpalli edhe fletarrestim ndërkombëtar.

Edhe pse Mijallkov tha se është dorëzuar vetë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se kjo është bërë e mundur falë angazhimit të policisë dhe personalisht vetë atij.

Opozita kërkoi interpelancë për ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski.

Afera e përgjimeve ishte zbuluar në vitin 2015 nga Zoran Zaev, i cili atë kohë ishte në opozitë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG