Ndërlidhjet

Nis procedura për shkarkim të Trumpit pas sulmit ndaj Kongresit


Trupat e Gardës Kombëtare duke ruajtur ndërtesën e Kongresit amerikan.
Trupat e Gardës Kombëtare duke ruajtur ndërtesën e Kongresit amerikan.

Dhoma e Përfaqësuesve ka nisur një debat me emocione të thella, teksa synon të shkarkojë presidentin amerikan, Donald Trump për shkak të rolit të tij në sulmin ndaj Kongresit nga një turmë e mbështetësve të tij.

Ndërkohë, në Partinë Republikane janë thelluar edhe më shumë ndasitë.

Seanca e 13 janarit është iniciuar nga demokratët, që kanë shumicën në këtë trup, pasi nënpresidenti amerikan, Mike Pence ka injoruar apelin e tyre një ditë më parë për të aktivizuar Amedamentin e 25-të, ashtu që Trump të shpallet “i paaftë për të ushtruar fuqitë dhe detyrat e tij në zyrë”.

Artikulli për shkarkim të Trumpit – që akuzon këtë të fundit për nxitje të kryengritjes – duket se ka mbështetjen e disa republikanëve, vetëm disa javë para se presidenti amerikan të largohet nga detyra.

Shumica e votave për shkarkim të Trumpit, do të rezultonte me gjykim në Senatin e kontrolluar nga republikanët, ndonëse nuk është e qartë nëse një gjykim i tillë do të mund të realizohet derisa të skadojë mandati i Trumpit.

Lideri i shumicës në Senat, republikani Mitch McConnell, i ka thënë demokratit Chuck Schumer se ai nuk ka gatishmëri për të organizuar seancë urgjente për të shqyrtuar largimin e Trumpit nga zyra, pas përfundimit të procedurave në Dhomën e Përfaqësuesve, ka thënë një zëdhënës i McConnellit.

Ndërkohë që ligjvënësit diskutojnë për këtë çështje, Garda Kombëtare dhe zyrtarë policorë kanë rrethuar ndërtesën e Kongresit për të ofruar mbrojtje.

Garda Kombëtare ruan Kongresin
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:32 0:00

Në sulmin e 6 janarit, kanë mbetur të vdekur pesë persona, përfshirë në zyrtar policor.

“Ne jemi duke debatuar për një masë historike në një skenë aktuale krimi, dhe nuk do të arrinim deri këtu nëse nuk do të ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara”, ka thënë kongresisti demokrat, Jim McGovern.

Ai ka akuzuar Trumpin për "rritje të zemërimit të turmës së dhunshme” dhe ka thënë se “është mrekulli që nuk kanë vdekur më shumë persona”.

“Nuk do ta harroj kurrë çfarë kam parë kur kam shikuar në sytë e atyre sulmuesve në këto hapësira. Kam parë djallëzi”.

Trump bën thirrje që të mos ketë dhunë

Zyra për media e Shtëpisë së Bardhë ka lëshuar një komunikatë nga presidenti amerikan Donald Trump.

“Lidhur me raportimet për më shumë demonstrata, ju bëj thirrje që të mos ketë dhunë, të mos ketë shkelje të ligjit, dhe të mos ketë vandalizëm të çfarëdo lloji”, është cituar të ketë thënë ai.

Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

“Kjo nuk është ajo në të cilën besoj unë dhe as Amerika. U bëj thirrje të gjitha amerikanëve të ndihmojnë në uljen e tensioneve dhe të qetësojnë gjakrat. Faleminderit”, ka thënë mes tjerash Trump.

Pelosi: Kjo gjë duhet të na thyejë zemrat të gjithëve

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka thënë se procedura e shkarkimit të Trumpit nuk është e motivuar në bazë partiake.

“Presidenti duhet të dënohet nga Senati, i cili do të sigurojë se republika do të jetë e sigurt nga ky njeri, i cili është kaq i vendosur për të shkatërruar gjërat që i duam dhe na mbajnë bashkë”, ka thënë ajo.

Pelosi ka thënë se i thyhet zemra që është pjesë e një tjetër procedure shkarkimi.

“Ma thyen zemrën. Kjo gjë duhet të na thyejë zemrat të gjithëve”.

“Unë qëndroj përpara jush si zyrtare e kushtetutës, si grua, si nënë, si gjyshe, si vajzë – vajzë, babai i së cilës ka shërbyer me krenari në këtë Kongres”.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Ajo u ka bërë thirrje ligjvënësve për vëmendje.

“Amerikanët e mi të dashur, nuk mund t’i ikim historisë. Le ta përmbushim detyrën tonë dhe të nderojmë besimin e këtij kombi”.

Drejtuesi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, i cili thotë se ai është kundër procesit të shkarkimit, thuhet se do të lejojë anëtarët republikanë të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre, ndërsa partia përpiqet të gjejë drejtimin e saj.

Ndër aleatët më të afërt të Trump në Kongres, McCarthy ishte midis atyre që i bëri jehonë presidentit, duke thënë "procesi i shkarkimit në këtë kohë do të kishte efektin e kundërt të bashkimit në vendin tonë".

Procesi i shkarkimit pritet të tërheqë mbështetjen e disa republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, duke përfshirë kongresisten, Liz Cheney.

Në një deklaratë më 12 janar, kongresistja tha se Trumpi "thirri turmës, e mblodhi atë dhe ndezi flakën e këtij sulmi". Ajo sugjeroi që Trump mund të kishte ndërhyrë për të ndaluar mbështetësit e tij, por ai nuk e bëri.

"Asnjëherë nuk ka pasur një tradhti më të madhe nga një president i Shteteve të Bashkuara ndaj zyrës së tij dhe betimit për Kushtetutën", tha Cheney.

Edhe pse procesi i shkarkimit është pothuajse e sigurt se do të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve, masa nuk pritet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave në Senat, të nevojshme për ta shkarkuar atë.

Në një zhvillim që do të ndryshonte në mënyrë dramatike rezultatin, The New York Times raportoi se udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell u tha bashkëpunëtorëve se ai beson se Trump bëri një shkelje dhe se ai mbështet lëvizjen e demokratëve.

McConnell beson se përpjekja e shkarkimit do ta bëjë më të lehtë spastrimin e presidentit nga partia, tha Times.

Më herët më 12 janar, Trump mohoi çdo përgjegjësi për dhunën e javës së kaluar dhe i quajti përpjekjet për ta shkarkuar atë një "vazhdim i gjuetisë së shtrigave".

Ai tha se përpjekjet për ta hequr atë nga posti ishin "duke shkaktuar një rrezik të jashtëzakonshëm për vendin dhe po shkaktojnë zemërim të jashtëzakonshëm".

Ai u tha gazetarëve se "unë nuk dua asnjë dhunë."

Gjatë një vizite në kufirin SHBA-Meksikë, Trump tha se "tani është koha që kombi ynë të shërohet dhe është koha për paqe dhe për qetësi".

Pak përpara trazirave të 6 janarit në Kongres, Trump mbajti një fjalim të zjarrtë duke u bërë thirrje mbështetësve të marshonin në drejtim të ndërtesës.

Fjalimi u zhvillua derisa një sesion i përbashkët i Kongresit do të mblidhej për të numëruar dhe certifikuar zyrtarisht votat e Kolegjit Zgjedhor që do të konfirmonin humbjen e tij ndaj presidentit të zgjedhur, Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka paralajmëruar për "protesta të armatosura" përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, më 20 janar.

Agjencia federale e zbatimit të ligjit tha se “protestat e armatosura” mund të planifikohen në të 50 kryeqytetet e shteteve dhe në ndërtesën e Kongresit, nga data 16 janar deri së paku më 20 janar.

Trump, i cili thotë se nuk do të marrë pjesë në inaugurim, ende kundërshton rezultatin e zgjedhjeve. Mes shqetësimeve për dhunë të mundshme në ditën e inaugurimit, në një lëvizje të pazakontë, udhëheqësit e lartë të ushtrisë lëshuan një qarkore për të gjithë anëtarët e shërbimit, duke e quajtur trazirën në Kongres një veprim anti-demokratik, kriminal dhe se e drejta për fjalën e lirë askujt nuk i jep të drejtë kryej dhune. Memorandumi gjithashtu u kujtoi anëtarëve ushtarakë që Joe Biden u zgjodh president i ardhshëm në mënyrë të rregullt.

Përgatitë​n: Krenare Cubolli, Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG