Ndërlidhjet

Ker-Lindsay: Kosova, fokus i politikës së jashtme serbe


Harta e vendeve të Ballkanit Perëndimor, fotografi nga arkivi.
Harta e vendeve të Ballkanit Perëndimor, fotografi nga arkivi.

Serbia nuk iu bashkohet rezolutave të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në dënimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga vendet autokratike përfshirë, Rusinë dhe Kinën, sepse llogaritë në mbështetjen e tyre për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën për Ekonomi dhe Shkenca Politike të Londrës dhe ekspert i çështjeve politike në Ballkanin Perëndimor.

Serbia nuk iu është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër zyrtarëve bjellorusë për shtypjen e protestuesve kundër regjimit të Alyaksandr Lukashenkas.

Në dy vitet e kaluara ajo nuk ishte në mesin e vendeve demokratike në Kombet e Bashkuara që dënuan shkeljet e të drejtave të njeriut të komunitetit Rohingya në Kinë. Ajo nuk reagoi as kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut të ujgurëve, pakicës myslimane në Mianmar. Beogradi po voton gjithashtu kundër rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Krime dhe Sevastopol, të cilat dënojnë shkeljen e të drejtave të njeriut në gadishullin ukrainas nga Rusia.

Veprimet e tilla të Serbisë James Ker-Lindsay më së shumti e sheh si pasojë të problemit të pazgjidhur të Kosovës.

Politika e jashtme e Serbisë është rezultat i çështjes së Kosovës

James Ker-Lindsay: Mendoj se shumë prej këtyre janë kryesisht rezultat i çështjes së Kosovës. Tashmë është e qartë se Serbia e kundërshton pavarësinë e Kosovës, prandaj tani po lufton për të parandaluar shtetet nga njohja e Kosovës, por edhe për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Prandaj, sigurisht, për të parandaluar që çështja t’i referohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ajo ka nevojë për veton ruse dhe kineze në Këshillin e Sigurimit, duke pasur parasysh që Britania e Madhe, Franca dhe Shtetet e Bashkuara - të cilat e kanë njohur Kosovën - mbështesin aplikimin e saj për anëtarësim në OKB. Në këtë kuptim, ne shohim sesi Kosova zë një vend të madh në politikën e jashtme të Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni faktin se Serbia nuk i dënon shkeljet e të drejtave të njeriut në vende të ndryshme të botës?

James Ker-Lindsay.
James Ker-Lindsay.

James Ker-Lindsay: Keni plotësisht të drejtë. Ky veprim sigurisht që nuk duket mirë, por mendoj se ka një mirëkuptim nga shumë anë se kjo është si rezultat i pozitës në të cilën Serbia tani gjendet, për shkak të Kosovës. Dhe, derisa çështja e Kosovës të zgjidhet me vendosmëri dhe plotësisht, Serbia do të ketë nevojë për mbështetjen e Rusisë, do të ketë nevojë për mbështetjen e Kinës. Keni të drejtë, kjo nuk pasqyron një imazh të mirë të Serbisë, por, siç thashë, mendoj se ekziston një mirëkuptim i përgjithshëm se e gjitha është pjesë e situatës në të cilën ndodhet Serbia. Pastaj, ky nuk është vetëm një problem i Serbisë, por është gjithashtu një problem i Bashkimit Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Zyrtarët e BE-së shpesh thonë se Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në. Përkundër kësaj, Serbia ende reziston. Sipas një studimi të fundit nga Organizata Joqeveritare - Qendra për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, Serbia ka nivel dukshëm më të ulët të përafrimit të politikës së jashtme me BE-në sesa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Nga 91 deklaratat për çështje të politikës së jashtme të lëshuara nga Bashkimi Evropian gjatë vitit 2019, Serbia mbështeti vetëm 52. Sipas mendimit tuaj, a ekziston një pavendosmëri nga ana e Bashkimit Evropian për të dënuar Serbinë për këtë?

James Ker-Lindsay: Në qarqet e Bashkimit Evropian do të ketë shumë zhgënjim për shkak të pozitës me të cilën përballet Serbia. Ne e dimë që Serbia duhet të përshtasë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë sepse është pjesë e procesit të pranimit të saj në BE, por ka gjithashtu një mirëkuptim pse kjo nuk po ndodh akoma.

Unë mendoj se, në fakt, Bashkimi Evropian e kupton plotësisht se sa më shumë sfida që do t'i paraqiste Serbisë për shkak të kësaj, ka aq më shumë gjasa që ta shtyj atë edhe më shumë në duart e Rusisë dhe Kinës. Nëse Bashkimi Evropian do ta detyronte Beogradin të merrte një vendim, ai do ta dinte që Serbia nuk ka mundësi të kundërshtojë Rusinë dhe Kinën - për shkak të Kosovës. Dhe në këtë mënyrë i rikthehemi sërish problemit të njëjtë. Unë mendoj se ka një mirëkuptim të përgjithshëm se pse është kaq e rëndësishme që përfundimisht dhe plotësisht të zgjidhet çështja e Kosovës, në mënyrë që të prishet mbështetja e pafund e Serbisë në Moskën dhe, në një farë mase, në Pekinin.

Nëse do të ekzistonin disa rrethana të tjera, nëse nuk do të ishte në pyetje Kosova, dhe nëse Serbia do të vepronte kështu, unë mendoj se atëherë Bashkimi Evropian ndoshta do të ishte shumë më i drejtpërdrejtë dhe do t'i thoshte Serbisë - dëgjoni, nëse doni të anëtarësoheni në Bashkimin Evropian, atëherë duhet të harmonizoni politikën tuaj të jashtme me bllokun.

Ballkani Perëndimor do ta kompletojë BE-në

Radio Evropa e Lirë: A është e rrezikuar perspektiva evropiane e Serbisë?

James Ker-Lindsay: Mendoj se kjo duhet të shikohet në disa aspekte. Bashkimi Evropian tani është vërtet i brengosur për mundësinë e shmangies nga vlerat demokratike. Pranon shtetet në radhët e saj, dhe pastaj ato bëhen gjithnjë e më pak liberale dhe gjithnjë e më pak demokratike. Raste të tilla janë: Hungaria dhe Polonia. Brukseli është thellësisht i shqetësuar në lidhje me këtë sepse BE-ja ka qenë shumë e suksesshme në kuptimin që vendet kualifikohen duke u bërë gati për anëtarësim, por strukturat e saj nuk kanë treguar sukses në parandalimin e disa prej vendeve të pranuara t’iu kthehen tendencave autoritare.

Është nxjerrë mësim nga këto përvoja, dhe Serbia, si dhe vendet e tjera kandidate, do të jenë nën mbikëqyrje shumë më të madhe të BE-së. Në fakt, ne tashmë po e shohim këtë në veprim: procesi i zgjerimit është bërë shumë më i vështirë dhe i ndërlikuar. Nga ana tjetër, megjithatë, ekziston një mirëkuptim që procesi i zgjerimit të BE-së nuk mund të zbatohet në mënyrë rigoroze në Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor nuk shihet si një rajon në të cilin BE-ja do të zgjerohet, por si një rajon me të cilin Bashkimi Evropian do të kompletohet, si pjesë e hartës evropiane. Rajoni është i rrethuar nga vendet anëtare të BE dhe natyrisht do të pranohet në bllok. Dhe pasi është kështu, atëherë nuk ka kuptim të pranojmë Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe ta lëmë Serbinë, sepse Serbia është një vend jashtëzakonisht i rëndësishëm në atë rajon, jo vetëm politikisht por edhe ekonomikisht, është i rëndësishëm si një qendër për lidhjet e transportit në të gjithë rajonin. Në të gjitha mënyrat, Serbia është në qendër të asaj që duhet të jetë strategjia e përgjithshme evropiane për Ballkanin Perëndimor. Dhe pikërisht kjo i ndërlikon gjërat. Mendoj se ekziston një dëshirë e sinqertë e të gjithë liderëve evropianë që të përpiqen të ndihmojnë Serbinë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, megjithëse ka gjithashtu shqetësime në lidhje me gjendjen aktuale në Serbi.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë prisni nga administrata e presidentit të ardhshëm të SHBA-së Joe Biden në lidhje me Ballkanin Perëndimor?

James Ker-Lindsay: Kam disa mëdyshje se kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, nën administrimin e Bidenit, mund të kthehen shumë zëra të vjetër. Mënyra për të bërë përparim në këtë rajon nuk është aspak kthimi i zërave të vjetër pro-shqiptar ose pro-serb. Ajo që i duhet rajonit tani janë politikanë që nuk janë as pro-serbë dhe as pro-shqiptarë, por ata që do të mbështesin integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, të cilët janë të gatshëm të gjejnë zgjidhje të arsyeshme, të realizueshme dhe të qëndrueshme për çështjet e mbetura në rajon, siç janë Serbia dhe Kosova dhe Bosnje dhe Hercegovina. Nëse BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, në një mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të ekuilibruar për të trajtuar këto probleme, atëherë unë mendoj se mund të shohim disa gjëra të mahnitshme që do të ndodhin nën administratën e Bidenit.

Përgatiti; Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG