Ndërlidhjet

Kush, kur dhe si? Programi britanik i vaksinimit kundër COVID-19


Ilustrim.
Ilustrim.

Rregullatorët britanikë janë bërë të parët që kanë miratuar vaksinën për koronavirus, të zhvilluar nga kompania amerikane, Pfizer dhe ajo gjermane, BioNTech, për përdorim urgjent.

Meqë testimet e vaksinave kanë treguar 95 për qind efikasitet, ekziston interes i madh rreth asaj se si planifikon të realizojë Mbretëria e Bashkuar programin më të madh për imunizim në dekada. Shihni më poshtë se çfarë dihet deri më tani për planin britanik të vaksinimit.

Sa vaksina ka Mbretëria e Bashkuar?

Jo mjaftueshëm. Mbretëria e Bashkuar ka porositur 40 milionë doza, të cilat mund të imunizojnë 20 milionë persona, meqë secili prej tyre duhet të marrë dy doza në periudhë 21-ditore. Pasi Mbretëria e Bashkuar do të imunizojë personat mbi moshën 16-vjeçare, kjo nënkupton se ky shtet duhet të gjejë vaksinë për 53 milionë personat tjerë që janë në gjendje të marrin vaksinat, transmeton agjencia e lajmeve AP.

Kur do të nisë vaksinimi?

Plani është që vaksinimi të nisë në fillim të javës së ardhshme, pasi të arrijnë dozat e para nga Belgjika. Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, ka thënë se 800,000 doza do të arrijnë javën e ardhshme, dhe miliona tjera në javët në vijim. Mirëpo vaksina vazhdon të jetë eksperimentale, derisa testimi finale të përfundojë.

Si do të funksionojë vaksinimi?

Nuk do të jetë proces i drejtpërdrejtë. Meqenëse vaksina duhet të ruhet dhe të transportohet në temperaturë -70 gradë Celsius, ekzistojnë pengesa logjistike. Fatmirësisht vaksina është e qëndrueshme në temperature normale të frigoriferit, në mes të 2 dhe 8 gradë Celsius për disa ditë, që nënkupton se mund të ruhet lokalisht përpara se të shpërndahet. Mbretëria e Bashkuar synon të përdorë Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë për të vaksinuar njerëzit, duke përfshirë qendrat lokale, dhe sidomos ato që janë të krijuara për vaksinim.

Si funksionon vaksina e Pfizer dhe BioNTech?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:49 0:00

Sa gjatë do të marrin kohë përpjekjet për vaksinim?

Të paktën disa muaj. Pasi Mbretëria e Bashkuar nuk ka mjaftueshëm vaksina të prodhuara nga Pfizer dhe BioNTech, do t’i duhet të sigurojë më shumë vaksina. Dy vaksina tjera janë duke u vlerësuar. Njëra nga kompania amerikane, Moderna, ka pasur shkallë të përafërt të efikasitetit sikurse ajo e Pfizer/BioNTech.

Një tjetër vaksinë nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania farmaceutike britanike, AstraZeneca, ka pasur shkallë më të ulët të efikasitetit dhe është shumë më e lirë sesa dy vaksinat tjera. Mbretëria e Bashkuar ka blerë 100 milionë doza të vaksinës së kompanisë AstraZeneca, e cila nëse miratohet, pritet të shpërndahet për personat që nuk janë pjesë e fazës së parë të Britanisë për imunizim.

A do ta bëjë Britania të detyrueshme vaksinën?

Jo. Marrja e vaksinës do të jetë mbi baza vullnetare, mirëpo qeveria dhe trupat tjerë për kujdes shëndetësor janë duke bërë thirrje që secili ta marrë atë. Nuk do të ketë masa paraprake për ata që tashmë kanë tejkaluar sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi dhe nuk do të ketë testime për këtë virus, para se të marrë dikush vaksinën.

Kush do të vaksinohet në fillim?

Kategoritë më të ndjeshme. Komiteti i pavarur për Vaksinim dhe Imunizim, që këshillon Qeverinë britanike për imunizimin, ka thënë se ata që kanë qenë më së shumti në rrezik për vdekje nga COVID-19, do të jenë në listën e prioritetit. Prandaj, të moshuarit, personat në shtëpi kujdesi dhe ofruesit e kujdesit për ta, do të jenë të parët që do të vaksinohen duke u pasuar nga personat mbi moshën 80-vjeçare dhe punëtorët shëndetësorë.

Kush është në radhë pas tyre?

Të gjithë banorët e moshës 75-vjeçare e më të vjetër, do të jenë në radhë për vaksinim sipas Komitetit të pavarur për Vaksinim dhe Imunizim. Më pas do të jenë në listë ata që kanë 70 vjet, si dhe personat që konsiderohet se janë “jashtëzakonisht të brishtë”. Përgjatë fazës së parë të programit të imunizimit, Britania ka krijuar nëntë grupe të ndara për ata që kanë 50 vjet e tutje. Në përgjithësi, ky vend shpreson se 90-99 për qind e njerëzve që janë në rrezik për vdekje nga COVID-19, do të vaksinohen përgjatë fazës së parë të imunizimit.

A është përfundimtar plani i vaksinimit?

Jo. Komiteti i Përbashkët për Vaksinim dhe Imunizim ka pranuar se shkalla e programit të vaksinimit është e pashembullt dhe se fleksibiliteti operacional është i nevojshëm. Ekzistojnë pyetje të qarta që duhet përgjigjur rreth asaj sesi vaksina e kompanisë Pfizer do të transportohet në shtëpitë e kujdesit, marrë parasysh se duhet të ruhet dhe transportohet në temperatura jashtëzakonisht të ulëta.

Çfarë rreth qasjes për grupet e goditura rëndë?

Teksa procesi i vaksinimit fillon të marrë formë, Komiteti i Përbashkët për Vaksinim dhe Imunizim është duke këshilluar ofruesit lokalë të shërbimeve shëndetësore dhe liderët e komuniteteve që të mbajnë të hapur sytë për pabarazitë eventuale shëndetësore, të lidhura me etninë, apo qasjen në kujdes shëndetësor. Studimet kanë treguar një numër disproporcional të njerëzve nga shtëpitë e varfra dhe nga minoritetet etnike që kanë vdekur nga shpërthimi i koronavirusit në Britani. Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar gati 60,000 viktima me koronavirus, shifrën më të lartë në Evropë, të lidhur me pandeminë.

Pas marrjes së dy dozave, sa gjatë duhet pritur për krijim të imunitetit?

Brenda një muaji. Të dhënat nga testimet, që kanë përfshirë më shumë se 40,000 persona në gjithë botën, kanë treguar përgjigje të ngjashme të imunitetit, pa marrë parasysh moshën, racën apo shtetin prej nga kanë qenë vullnetarët. Një imunitet i pjesshëm krijohet pas dozës së parë, mirëpo rregullatorët britanikë presin që njerëzit të bëhen imunë shtatë ditë pas marrjes së dozës së dytë. Ende nuk është bërë e qartë sa gjatë do të jenë imunë personat që vaksinohen.

Cili është plani afatgjatë?

Ekzistojnë një numër përgjigjjesh që do të bëhen publike vetëm kur të nisë testimi, siç është shembull ndikimi në shkallën e bartjes së infektimit. Po ashtu, ende nuk dihet sa do të zgjasë imuniteti dhe nëse njerëzit do të duhet të marrin doza vjetore të vaksinës, siç është rasti me gripin sezonal. Nuk dihet ende si do të zhvillohet koronavirusi dhe nëse do të përjetojë ndryshime. Mbretëria e Bashkuar do të krijojë një program monitorimi, ndërkohë që njerëzve do t’iu bëhet thirrje që të kontribuojnë në ndërtim të informacionit. Gjëja e parë do të jenë efektet anësore. Ato pritet të jenë modeste, duke zgjatur një ditë apo diçka e ngjashme dhe të barabarta me ato pas marrjes së vaksinave tjera.

Çfarë rreth atyre që janë skeptikë ndaj vaksinave?

Agjencia britanike për Ilaçe dhe Produkte të Kujdesit Shëndetësor, që ka autorizuar vaksinën e kompanisë Pfizer, insiston se nuk është kaluar asnjë fazë e testimit të vaksinës dhe procesi i imunizimit do të tregojë se vaksina është e sigurt dhe efektive. Qeveria britanike po ashtu ka dhënë shenja se do ta luftojë dezinformimin dhe besohet se do të rekrutojë vazhdimisht persona të respektuar për prezantuar fushatën kombëtare të imunizimit.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG