Ndërlidhjet

Irani fajëson SHBA-në dhe Izraelin për vrasjen e shkencëtarit bërthamor


Mohsen Fakhrizadeh,
Mohsen Fakhrizadeh,

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka bërë thirrje për hakmarrje pas vrasjes së një shkencëtari afër Teheranit më 27 nëntor.

Khamenei ka bërë thirrje për “përcjellje të këtij rastit të krimit dhe të ndëshkimit të atyre që janë përgjegjës”, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare.

Në po të njëjtën ditë, presidenti iranian, Hasan Rohani ka thënë se Izraeli ka vepruar si “mercenar” për Shtetet e Bashkuara, lidhur me vrasjen e një shkencëtari iranian afër Teheranit.

Rohani po ashtu ka prezantuar përgjigjje “në kohën e duhur”.

“Edhe një herë, duart e liga të arrogancës globale, me regjimin uzurpator zionist si mercenar, u njollosën me gjakun e një djali të këtij kombi”, ka thënë Rohani në faqen e tij zyrtare më 28 nëntor.

“Arroganca globale” është shprehje që shpesh përdoret nga zyrtarët iranianë për t’iu referuar Shteteve të Bashkuara “derisa regjimi uzurpator zionist”, është referencë për Izraelin.

Shkencëtari bërthamor, Mohsen Fakhrizadeh, është vrarë afër Teheranit më 27 nëntor, në një sulm që kërcënon përshkallëzimin e tensioneve në mes të Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Udhëheqësi i agjencisë bërthamore të Iranit, Ali-Akbar Salehi, është zotuar që vrasja e Fakhrizadehit nuk do të dëmtojë programin bërthamor iranian.

Irani ka fajësuar menjëherë Izraelin për vrasje, derisa ka sugjeruar se Shtetet e Bashkuara kanë qenë të përfshira në mënyrë direkte ose jodirekte në sulm.

Agjencia izraelite e lajmeve, N12, ka raportuar se qeveria ka alarmuar të gjitha ambasadat që ka në botë, duke bërë thirrje për siguri të lartë, pas deklaratës së Iranit.

Ministria e Jashtme izraelite ka mohuar që të komentojë rreth çështjeve të sigurisë.

“Rruga e Fakhrizadehut është duke u vazhduar edhe me më shumë intensitet”, është cituar të ketë thënë Salehi sipas mediave iraniane.

Vrasja ka ndodhur kur një kamion me pajisje ndezëse ka shpërthyer afër veturës që ka bartur Fakhrizadehun në qytetin Absard, afër Teheranit, kanë raportuar mediat shtetërore.

Kur vetura është ndalur, të paktën pesë sulmues të armatosur janë përleshur me armë zjarri me pjesëtarët e sigurisë së shkencëtarit.

Ministri i Jashtëm Iranian, Mohammad Javad Zarif ka pretenduar se “ka shenja serioze për rol të Izraelit” në vrasje.

Ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian “që t’iu japë fund standardeve të turpshme të dyfishta dhe të dënojë këtë akt të terrorizmit shtetëror”.

Izraeli nuk është deklaruar për vrasjen e Fakhrizadehut, ashtu sikurse Pentagoni, Shtëpia e Bardhë, Departamenti amerikan i Shtetit, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA).

E përditshmja amerikane, The New York Times, duke cituar një zyrtar amerikan dhe dy zyrtarë të inteligjencës, ka thënë se Izraeli qëndron mbrapa sulmit ndaj shkencëtarit, ndonëse nuk është bërë e qartë nëse SHBA-ja ka pasur njohuri për këtë operacion.

Kryeministri izrealit, Benjamin Netanyahu ka përmendur emrin e Fakhrizadeh në një prezantim më 2018, teksa ka zbuluar një mori dokumentesh të vjedhura rreth aktiviteteve të dyshuara bërthamore të Iranit, duke thënë: “Mbajeni në mend këtë emër”.

Për Izraelin ka dyshime që një kohë të gjatë për kryerje të një serie vrasjesh të shkencëtarëve bërthamorë iranianë, dhe operacione tjera, duke shfrytëzuar udhëzimet e dhëna nga grupi opozitar në ekzil, Mujahedin-e Khalq (MEK).

Vrasja e Fakhrizadeh, të cilin shërbimet perëndimore të inteligjencës e kanë konsideruar si organizatorin në hije të programit të fshehur bërthamor në Iran, mund të dëmtojë qëllimet e presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden për të përmirësuar marrëdhëniet tejet të përkeqësuara me Iranin, kur të nisë presidencën në muajin janar.

Biden ka thënë se ai do të tentojë të rikthehet në marrëveshjen bërthamore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Presidenti aktual amerikan, Donald Trump ka larguar Shtetet e Bashkuara nga kjo marrëveshje në maj të vitit 2018.

Zyrtarët iranianë kanë thënë se ky shtet do të hakmerret për sulmi ndaj Fakhrizadeh.

Këshilltari ushtarak i Khameneit, është zotuar për të nisur “sulme si stuhi ndaj vrasësve të këtij martiri”.

“Në ditët e fundit të jetës politike të aleatit të tyre (presidentit Donald Trump) zionistët synojnë të rrisin presionin ndaj Iranit dhe të krijojnë luftë”, ka thënë Hossein Dehghan përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Fakhrizadeh ka udhëhequr të ashtuquajturin program Amad, të cilin Izraeli dhe Perëndimi thonë se ka qenë operacion ushtarak që ka vlerësuar mundësinë e ndërtimit të një arme bërthamore.

Teherani ka thënë se programi i tij bërthamor është paqësor.

Vëzhguesit e kësaj Agjencie aktualisht monitorojnë qendrat bërthamore iraniane, të cilat janë të përfshira në marrëveshjen e vitit 2015.

Këtë marrëveshje Irani e ka shkelur gradualisht, pas largimit të SHBA-së nga kushtet e saj.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka bërë thirrje për përmbajtje, derisa të shtunën një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë ka bërë thirrje për “përmbajtje nga secili hap që mund të rezultojë me përshkallëzim më të madh të situatës”.

“Disa javë para se administrata e re amerikane të marrë detyren, është e rëndësishme që të ruajmë hapësirën për bisedime me Iranin, në mënyrë që mospajtimet për programin bërthamor të Iranit të zgjidhen përmes negociatave”, është thënë në deklaratë.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG