Ndërlidhjet

Hong Kongu përjashton katër ligjvënës pro-demokracisë


Foto arkiv nga protestat pro-demokracisë në Hong Kong.
Foto arkiv nga protestat pro-demokracisë në Hong Kong.

Katër ligjvënës pro-demokracisë në Hong Kong janë përjashtuar pak kohë pasi organi vendimmarrës i Kinës miratoi një rezolutë që lejonte skualifikimin e ligjvënësve të cilët kishin mbështetur pavarësinë e qytetit.

Masa po shihet si një përpjekje tjetër nga Kina për të kufizuar liritë e Hong Kongut.

Ligjvënës të tjerë pro-demokracisë pritet të japin dorëheqje në formë proteste.

Grupi i ligjëvënsve u kishte bërë thirrje zyrtarëve amerikanë të sanksionojnë ata që janë përgjegjës për shkelje të pretenduara të të drejtave të njeriut në Hong Kong.

Ligjvënësit pro-demokracisë së qytetit kanë 19 vende në legjislaturën me 70 vende.

Rezoluta e re e miratuar nga Komiteti i Përhershëm i Kongresit Popullor Kombëtar të Kinës thotë se ligjvënësit duhet të skualifikohen nëse mbështesin pavarësinë e Hong Kongut, refuzojnë të njohin sovranitetin e Kinës, u kërkojnë forcave të huaja të ndërhyjnë në punët e qytetit ose në mënyra të tjera të kërcënojnë sigurinë kombëtare, transmeton BBC.

Rezoluta gjithashtu lejon qeverinë e Hong Kongut të largojë drejtpërdrejt ligjvënësit, pa pasur nevojë t'i drejtohet gjykatave.

Masa e re vjen pasi Kina në fund të qershorit prezantoi një ligj të gjerë të sigurisë kombëtare në Hong Kong që kriminalizonte "shkëputjen, përmbysjen dhe bashkëpunimin me forcat e huaja".

Ligji u miratua pas disa muajve të protestave pro-demokracisë dhe anti-Pekinit.

Në bazë të këtij ligji kanë ndodhur disa arrestime të aktivistëve dhe kryesisht janë heshtur protestuesit.

Hong Kong ishte një koloni britanike deri në vitin 1997 kur u kthye në kontrollin kinez.

Nën parimin e "një vendi, dy sisteme" territori supozohej të ruante më shumë të drejta dhe liri sesa pjesa tjetër e Kinës deri në vitin 2047.

Si një rajon i posaçëm administrativ, Hong Kongu do të kishte sistemin e tij ligjor, parti të shumta politike dhe të drejta, duke përfshirë lirinë e tubimit dhe fjalën e lirë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG