Qeveritë në gjithë botën kanë shfrytëzuar pandeminë e koronavirusit, si arsye për të zgjeruar vëzhgimin online si dhe mbledhjen e informacioneve, më pas censurimin e fjalës kritike dhe ndërtimin e sistemeve teknologjike për kontroll shoqëror, thuhet në raportin më të ri të organizatës që merret me demokraci dhe të drejta të njeriut, Freedom House.
Liria në Internet më 2020, është raport që ka përfshirë 65 shtete, të cilat përbëjnë 87 për qind të përdoruesve të internetit në gjithë botën.
Raporti fokusohet në zhvillimet që kanë ndodhur në periudhën qershor 2019 - maj 2020.
Qarkullimi i shpejtë i inteligjencës artificiale dhe mbikëqyrja biometrike - me qëllim të adresimit të krizës së shëndetit publik - ka krijuar rreziqe të reja për të drejtat e njeriut. Aplikacionet e telefonave të mençur për gjurmim apo vëzhgim të masës së karantinës, janë prezantuar në 54 prej 65 shteteve që janë përfshirë në këtë raport.
Aty është thënë se pak shtete kanë mekanizma për mbrojtje të të dhënave personale kundër praktikave abuzive nga shteti apo sektori privat.
Liderët politikë janë duke shfrytëzuar pandeminë si pretekst për të censuruar lajmet që nuk janë në të mirë të tyre, që të arrestojnë kritikë apo grupe fetare e etnike. Në të paktën 45 shtete, aktivistët, gazetarët dhe pjesëtarë të publikut, janë arrestuar apo akuzuar me padi penale për fjalimet online të lidhura me pandeminë.
Qeveritë në të paktën 28 shtete kanë censuruar faqet online dhe postime në rrjetet sociale për të shtypur statistika të pafavorshme shëndetësore, pretendime për korrupsion dhe përmbajtje tjetër të lidhur me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Asnjë qeveri nuk ka pasur qasje më agresive ndaj krizës së shëndetit publik sesa Kina, e cila është kthyer në abuzuesen më të keqe të lirisë në internet për të gjashtin vit me radhë.
Autoritetet kineze kanë kombinuar mjetet e teknologjisë së lartë dhe asaj të ulët për të menaxhuar shpërthimin e koronavirusit, mirëpo edhe për të luftuar përdoruesit në internet nga shpërndarja e informacionit prej burimeve të pavarura, të cilat mund të sfidojnë narrativën zyrtare.
Pandemia është duke normalizuar një lloj të autoritarizmit digjital, të cilin e ka synuar për një kohë të gjatë Partia Komuniste Kineze.
Ky vit ka qenë edhe dëshmitar i “copëtimit” të nismës, dikur të ngadaltë por tani të përshpejtuar, për “sovranitet kibernetik”, pasi shumë shtete janë duke vendosur kufizime për rrjedhën e informacionit nëpër kufijtë e tyre kombëtarë.
Si liderët demokratë, ashtu edhe ata autokratë kanë vendosur bllokada arbitrare në aplikacione popullore të huaja, të cilat u kanë ofruar mundësi kompanive që të ruajnë të dhëna në serverët lokalë dhe në përgjithësi kanë dështuar të krijojnë zgjidhje transnacionale që do të ruanin internetin të hapur, të lirë dhe të sigurt.
Ky raport mat nivelin e lirisë në internet në 65 shtete. Secili shtet fiton pikë, ku 100 përbën vendet me internetin me të lirë dhe 0 me kufizimet më të mëdha. Nga 0 deri në 39 pikë, vendet konsiderohen si jo të lira, 40 deri në 69 mesatarisht të lira dhe 70 deri në 100, të lira.
Vlerësimet besohen në analizimin e këtyre kategorive:
- problemet në qasje, duke përfshirë kufizimet infrastruktore, ekonomike dhe politike
- kufizimet në përmbajtje, duke analizuar rregulloret ligjore në përmbajtje
- shkeljet në të drejtat e përdoruesve; këtu analizohen mbrojtjet ligjore dhe kufizimet në fjalën e lirë, vëzhgimet dhe privatësia.
Në mesin e vendeve me internet të lirë në botë janë: Islanda, Estonia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Hungaria, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Australia, Japonia, Argjentina, Gjeorgjia, Armenia.
Vendet me kufizimet më të mëdha në internet janë: Kina, Vietnami, Pakistani, Mianmari, Tajlanda, Sudani, Ruanada, Etiopia, Turqia, Irani, Siria, Rusia, Arabia Saudite, Kuba, Venezuela e tjera.
Ndër gjetjet kryesore të raportit janë:
- Liria në internet ka shënuar rënie për të 10-in vit me radhë. Prej 65 shteteve që janë përfshirë në raport, në 26 është përkeqësuar gjendja derisa 22 kanë shënuar përparim. Mianmari, Kirgizia, India, Ekuadori dhe Nigeria kanë përjetuar rëniet me të mëdha gjatë periudhës që është kryer analiza për raport.
- Liria në internet është përkeqësuar në Shtetet e Bashkuara për të katërtin vit me radhë. Në kohën e protestave historike kundër padrejtësive në baza racore dhe në mbështetje të Lëvizjes, Jetët e njerëzve me ngjyrë kanë vlerë, rritja e mbikëqyrjes nga autoritetet federale dhe ato për zbatim të ligjit ka kërcënuar liritë e garantuara me kushtetutë dhe shumë njerëz janë përballur me akuza të paligjshme penale për aktivitete në platforma online, të lidhura me protestat. Urdhrat ekzekutivë për rregullim të mediave sociale, të publikuara gjatë dhe pas periudhës së mbuluar nga Freedom House, kanë rrezikuar rolin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara si lidere globale sa i përket lirisë në internet.Për më shumë, sfera online e SHBA-së është vërshuar edhe nga dezinformatat e politizuara, përmbajtja nxitëse dhe dezinformatat e rrezikshme, disa prej të cilave janë propaganduar nga vetë presidenti amerikan, Donald Trump, thekson raporti.
- Qeveritë janë duke shfrytëzuar pandeminë si pretekst për të shtypur fjalën e lirë dhe qasjen në informacion. Autoritetet kanë censuruar raportimin e pavarur në 28 shtete dhe kanë arrestuar kritikët që janë deklaruar në platforma online në 45 shtete. Në të paktën 20 shtete, pandemia është cituar si arsyetim për të vendosur kufizime në fjalën e lirë. Banorët e të paktën 13 shteteve kanë përjetuar mbyllje të internetit, pasi qeveritë u kanë ndaluar disa grupeve të popullsisë qasjen në informacion thelbësor, në mënyrë mizore si ajo e ndëshkimit kolektiv.
- Kriza e shëndetit publik është duke shtruar rrugën për vëzhgim shtetëror në të ardhmen. Në të paktën 30 shtete, qeveritë janë duke përmendur pandeminë kur kryejnë vëzhgime masive, në bashkëpunim me ofruesit e shërbimeve të telekomunikimit dhe kompani tjera. Aplikacionet e telefonave të mençur për gjurmim dhe zbatim të masave të karantinës janë prezantuar në të paktën 54 shtete, me pak apo aspak mbrojtje kundër abuzimit. Autoritetet janë duke shfrytëzuar edhe teknologji të identifikimit të fytyrës dhe vendimmarrjen automatike, me masa mbrojtëse minimale për ruajtje të privatësisë apo parandalim të abuzimit policor.
- “Sovraniteti kibernetik” është në rritje. Autoritetet ruse kanë miratuar legjislacionin për të izoluar shtetin nga interneti global gjatë emergjencave kombëtare, derisa Qeveria e Iranit ka ndërprerë lidhjet ndërkombëtare në mënyrë që të fshehë përgjigjjen e dhunshme të policisë ndaj protestave masive. Ligjvënësit në Brazil, Pakistan dhe Turqi kanë miratuar apo kanë shqyrtuar rregullore që u kërkojnë kompanive të mos lejojnë daljen e të dhënave nga shteti, duke u garantuar kështu agjencive për zbatim të ligjit qasje më të lehtë në informacion të ndjeshëm.
Së fundmi, qeveritë e SHBA-së dhe Indisë kanë urdhëruar bllokim të aplikacioneve të popullarizuara, që janë në pronësi të Kinës, mirëpo pavarësisht pse këto veprime kanë qenë si përgjigjje për siguri dhe shqetësime për të drejtat e njeriut, ato kanë qenë arbitrare dhe disproporcionale, andaj edhe kanë legjitimuar thirrjet e zyrtarëve kinezë që secili shtet të mbikëqyrë “internetin e vet kombëtar”.
Facebook Forum