I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak ka konfirmuar se të hënën do të zhvillohet takimi mes shefave të ekipeve negociatore të këtyre dy vendeve.
Koordinator shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, në nivel ekspertësh është Skender Hyseni, derisa pala serbe përfaqësohet nga Marko Gjuriq.
Ai ka thënë se temë e diskutimit do të jenë pretendimet financiare dhe ato pronësore.
"Tema e Asociacionit nuk do të jetë në agjendë pasi njëra palë nuk është e gatshme për të diskutuar. Mirëpo kjo gjë duhet të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, siç është arritur pajtueshmëri gjatë takimit të liderëve”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Kryeministri Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media më herët të enjten, tha se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumice serbe është e mbyllur dhe se nuk do të diskutohet më për të.
"Kjo temë nuk diskutohet, sepse është mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe pastaj marrëveshja tjetër me parime e vitit 2015 që në fakt e përmirëson marrëveshjen e viti 2013. Pra, kjo nuk është temë që hapet në procesin e dialogut", tha Hoti.
Hoti nuk ka konfirmuar nëse takimi i ardhshëm në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i paraparë për 28 shtator, do të mbahet apo jo.
"Nuk e di a do të mbahet takimi në Bruksel a jo, do ta shihet në ditët e ardhshme, por ne jemi të vendosur që të çojmë përpara procesin e dialogut sepse është interes strategjik i Kosovës, i rajonit dhe Evropës që sa më shpejt të përmbyllet kjo çështje mes Kosovës dhe Serbisë dhe rajoni të udhëtojë drejt integrimeve evropiane", tha Hoti.
Serbia e gatshme të vazhdojë dialogun me Kosovën në Bruksel
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten në një adresim për media, tha se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë dialogun me Kosovën në Bruksel, por theksoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është temë e pashmangshme.
Ai këto komente i bëri duke u përgjigjur në pyetjen nëse do të vazhdojë dialogu më 28 shtator.
Vuçiq shtoi se pala serbe do të insistojë që të diskutohet për temën e Asociacionit.
Në BE kanë pohuar se për të diskutuar për këtë temë, sikur edhe për çështjet e lidhura me pretendimet financiare dhe pronësore, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq ishin pajtuar gjatë takimit të tyre të mbajtur para dy javësh.
Vetë Hoti, më 7 shtator në Bruksel, kur është mbajtur takimi i fundit me presidentin serb Aleksandar Vuciq, kishte konfirmuar se atë ditë janë diskutuar dy tema të ndjeshme, obligimet financiare, që nënkupton dëmet e luftës, borxhin publik dhe se pala serbe e ka shtruar çështjen e Asociacionit.
Hoti ka deklaruar atë ditë se për këto dy çështje do të diskutohet edhe në takimet e ardhshme në Bruksel.
“Kemi një marrëveshje të vitit 2015 që është arritur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Është shtruar kjo marrëveshje në tavolinë për zbatimin e saj dhe ne tash do të diskutojmë si pjesë të marrëveshjes përfundimtare, duke mos e bërë asnjë veprim derisa nuk e përmbyllim marrëveshjen finale”, pati thënë Hoti.
Për temat pronësore dhe financiare delegacionet e të dyjave vendeve në nivel të ekspertëve biseduan javën e kaluar dhe BE-ja paralajmëroi se në ditët në vijim do të diskutohet për çështjen e “aranzhimeve për komunitetet joshumicë”.
Delegacioni i Serbisë, siç kishin konfirmuar edhe palët në dialog, kishte insistuar që për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të diskutohej edhe në takimin e fundit të ekspertëve, por pala kosovare kishte refuzuar një gjë të tillë.
Pas atij takimi, shefi i delegacionit të Serbisë në dialog, në kuadër të nivelit të ekspertëve, Marko Gjuriq kishte thënë se Serbia do të shqyrtojë pjesëmarrjen në takimet e radhës dhe do ta kushtëzojë atë me gatishmërinë e Prishtinës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicës serbe. Gjuriq ishte shprehur se Serbia pret që BE-ja dhe vendet anëtare, të bëjnë presion mbi Prishtinën zyrtare lidhur me këtë çështje.
Disa burime diplomatike pohojnë se, nëse delegacioni i Kosovës vazhdon të kundërshtojë që të diskutohet për “aranzhimet për komunitetet joshumicë”, atëherë do të jetë e vështirë që të organizohet takimi ndërmjet Hotit dhe Vuçiqit.
“Nuk mund të bisedohet vetëm për temat të cilat i dëshiron njëra palë, e të mos diskutohet edhe për temat që paraqet pala tjetër”, ka thënë një burim diplomatik në Bruksel.
Krasniqi: Serbia vazhdon retorikën e njëjtë me kushtëzimin e dialogut
Analistja politike, Jeta Krasniqi nga Instituti i Demokratik i Kosovës, konsideron se shteti i Serbisë është duke vazhduar me retoriken e njëjtë si edhe më herët, duke e kushtëzuar dialogun me Kosovën.
"E kemi parë se e ka kushtëzuar atë me taksën. Ne momentin kur u hoq taksa e kushtëzoi atë më masat e reciprocitetit dhe tani duket se është duke e kushtëzuar me hapat e tjerë, siç është kjo e temës së Asociacionit të komunave me shumicë serbe", tha Krasniqi.
Krasniqi konsideron se tash në ketë moment, çështja nuk duhet të shihet e të lidhet vetëm me çështjen e asociacionit, por edhe me atë siç thotë ajo, që Serbia nuk do që ta njohë pavarësinë e Kosovës.
"Kjo besoj se është esenca e gjithë këtij procesi, ku Serbia në mënyrë të vazhdueshme do ta tregojë veten se është e gatshme për dialog, ta nxjerr Kosovës si palën jo konstruktive në ketë proces, por ajo nuk është e gatshme që ta njoh Kosovën dhe është duke gjetur mënyrën si ta shtyjë në pafundësi ketë proces dhe ta nxjerr Kosovën si palë jokonstruktive", tha Krasnqi.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më tutje, detajet konkrete janë harmonizuar me parimet/elementet e përgjithshme nga marrëveshja e vitit 2015.
Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumice serbe do të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit (të vitit 2013), të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe të shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës (v.j. Atifete Jahjaga), kurse Marrëveshja mbi parimet (për themelimin e Asociacionit, e arritur më 2015), nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.
Në fakt, është e diskutueshme që Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumica. Janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë.