Sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan, Donald Trump, takohet të premten në mëngjes me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një ceremoni nënshkrimi me ta, si edhe në një takim trepalësh, transmeton Zëri i Amerikës.
Njoftimi i së enjtes në mbrëmje i Shtëpisë së Bardhë nuk e përcakton se çfarë do të nënshkruhet, nëse bëhet fjalë për një marrëveshje, dhe nuk është e qartë se çfarë do të përmbajë ajo.
Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë njëra nga pikat në takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë të enjten. Vuçiq tha se "nuk ka dyshim se sot dhe sonte njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë temë, sepse unë e kam bërë të qartë se nuk mund ta pranojmë atë".
Nikoqirë të këtij takimi, që u paralajmërua se në fokus ka bashkëpunimin ekonomik, ishin këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O'Brien dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Pas takimit, këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, tha se në Uashington, u zhvilluan bisedime “shumë të mira” ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe paralajmëroi vazhdimin e bisedimeve edhe gjatë së premtes.
“Bisedime shumë të mira këtë pasdite me liderët e Kosovës dhe Serbisë. Ata bënë përparim të vërtetë. Normalizimi ekonomik nënkupton vende pune për të rinjtë. Bisedimet do të vazhdojnë nesër”, thuhet në postimin në Twitter të Këshillit për Siguri Kombëtare.
Hoti: Kemi bërë një hap të madh drejt përmbylljes së marrëveshjes finale
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se këto bisedime paraqesin një hap drejt marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa takimin e së enjtes në Uashington e cilësoi si historik.
“Kemi bërë një hap të madh drejt përmbylljes së marrëveshjes finale”, shtoi ai.
Hoti tha se në bisedimet që janë zhvilluar të enjten në Uashington është bërë përparim ekonomik dhe shtoi se të premten pritet të prezantohet marrëveshja për temat ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Unë një gjë mund t’ju them, marrëveshje të dëmshme për Kosovën, të papranueshme për Kosovën, asnjëherë nuk kanë ardhur dhe nuk do të vijnë nga Shtëpia e Bardhë. E kemi bërë një progres të madh në çuarjen përpara të bashkëpunimit ekonomik dhe jemi një hap më afër përmbylljes së çështjes”, theksoi ai.
"Për çdo gjë që flasim me Serbinë qëllimi ynë është njohja reciproke", deklaroi Hoti.
Vuçiq: Në dokumentin e SHBA-së, pika për njohjen e ndërsjellë
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë edhe më 4 shtator në Uashington.
"Dokumenti i parë, të cilin e kishim, mbante titullin 'Normalizimi ekonomik'. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara na e ndanë dokumentin. Ajo letër për ne nuk ishte fare e lehtë dhe në të ishte pika për njohjen e ndërsjellë, gjë që për ne nuk është risi. Thashë se këtë nuk mund ta pranojmë dhe administrata e Trumpit u tregua e drejtë, e kuptoi që ne nuk mund ta pranojmë", deklaroi Vuçiq.
Ai falënderoi nikoqirët amerikanë që “ishin të gatshëm t’i dëgjojnë vërejtjet e Serbisë”.
Presidenti serb konfirmoi që në një moment, gjatë bisedimeve, kishte arritur edhe Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump, që është gjithashtu edhe këshilltare e tij.
“Se a do të ketë takime në nivel edhe më të lartë, këtë nuk mund ta thotë askush ende. Kjo varet nga ajo se çfarë do të ndodhë gjatë mbrëmjes”, theksoi Vuçiq.
"Me Ivanka Trumpin është biseduar për zhvillimin e ndërmarrësisë në Ballkan, veçanërisht për ndërmarrësinë e grave në Beograd dhe Prishtinë", ka thënë Vuçiq dhe ka shtuar që ekziston mundësia që ajo ta vizitojë këtë hapësirë.
Grenell demanton ofertën për njohje
I dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, më herët e ka përgënjeshtruar një medium, i cili ka raportuar se ai i ka paraqitur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, një dokument për nënshkrimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
"E pavërtetë", ka shkruar Grenell në profilin e tij në Twitter.
Gjatë një pauze në mes të takimeve në Uashington, ministri i Financave i Qeverisë së Serbisë, Sinisha Malli, i cili ishte pjesë e delegacionit të Serbisë, u ka thënë gazetarëve që Serbia, gjatë bisedimeve, “po lufton për çdo fjali dhe për çdo fjalë”.
“Temat ekonomike, është e dukshme që nuk janë përparësi, ashtu siç kemi pritur. Pika e dhjetë e listës që na është prezantuar, flet për njohjen e ndërsjellë, ndërkaq të 16 pikat janë politike dhe jo ekonomike, të cilat i kemi pritur”, tha Malli.
Ai vlerësoi që presioni ndaj delegacionit serb është “i madh”.
“Deri më tash, ky është propozimi më i keq që e kemi parë në historinë e bisedimeve tona me shqiptarët. Por, nuk do të sprapsemi dhe do të luftojmë”, theksoi Malli gjatë një deklarate për gazetarë para Shtëpisë së Bardhë.
Të mërkurën O’Brien ka thënë se diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.
"Do të kemi një diskutim të enjten, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse palët janë të interesuara të bien dakord mbi zhvillimin ekonomik, Shtetet e Bashkuara e dinë se si ta bëjnë këtë dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë", ka deklaruar, në kushte anonimiteti, një këshilltar i lartë i presidentit amerikan, gjatë një bisede me gazetarë të martën.
"Ne jemi të përqendruar kryesisht në zbatimin e marrëveshjeve, për të cilat kemi rënë dakord tashmë - për linjën ajrore, hekurudhën dhe autostradën. Këto marrëveshje do të na lejojnë të ndërtojmë zhvillimin ekonomik ", ka thënë një zyrtar i administratës amerikane, duke shtuar se këto marrëveshje, të cilat nuk janë zbatuar ende, do të diskutohen këtë javë.
Megjithatë, sipas tij, bisedimet do të zhvillohen për "çdo çështje" për të cilën palët bien dakord.
"Ne do të testojmë nëse ekziston dëshira nga ana e palëve për të folur në lidhje me këto çështje. Mendoj se do të paraqesim pothuajse çdo çështje, por do të varet nga ata nëse duan të shkojnë më tej", tha ai.
Takimi në Uashington-një hap drejt marrëveshjes përfundimtare
Pajtimi i arritur mbi normalizimin e transportit
Letra e shprehjes së interesit për linjën ajrore Prishtinë – Beograd, është nënshkruar më 20 janar në Berlin. Delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi, me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë, Grenell dhe O'Brien, kanë nënshkruar marrëveshje me kompaninë gjermane, “Lufthansa”, e cila do të operojë në këtë linjë.
Rrjedhimisht ky korridor do të shkurtojë edhe kohën e fluturimit. Distanca rrugore nga Prishtina në Beograd është 350 kilometra, rreth katër orë me makinë.
Linja ajrore Prishtinë – Beograd synon të normalizojë hapësirën ajrore dhe trafikun ajror në Kosovë. Vendosja e kësaj linje, sipas një komunikate për media të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, mund të bëhet pas aranzhimeve mes autoriteteve të aviacionit dhe NATO-s në kuadër të mekanizmit për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit Perëndimor.
Sipas kësaj letre të interesit, Aeroporti i Beogradit mund të shfrytëzohet edhe si destinacion për pasagjerë për të udhëtuar në shtete të ndryshme të Evropës dhe botës.
Fluturimet ajrore në mes Kosovës dhe Serbisë u ndërprenë në vitin 1999. Atë kohë, Serbia humbi kontrollin mbi Kosovën pas bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 që si synim kishin mbrojtjen e popullatës civile dhe dëbimin e forcave serbe, duke i dhënë kështu fund luftës në Kosovë.
Më pas, më 14 shkurt, delegacionet nga Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell kanë nënshkruar në Mynih të Gjermanisë dy letra të shprehjes së interesit, atë për autostrada dhe atë për hekurudha përmes së cilave të dy vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.
Këto pajtime mes Kosovës dhe Serbisë janë arritur në kohën kur dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishte pezulluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia.
Sa i përket transportit rrugor, autoritetet kompetente në Prishtinë, vite më parë, kanë pohuar se e kanë të përgatitur projektin për autostradën Prishtinë - Merdare - Nish, projekt ky që mund të vazhdohet në kuadër autostradës që aktualisht lidh Kosovën me Shqipërinë. Kurse, në të ardhmen ajo mund t’i lidhë të tri vendet.
Transporti hekurudhor në Kosovë paraqitet si një prej sistemeve më të dobëta në rajon. Aktualisht, në qarkullim janë vetëm dy linja nëpër të cilat kalojnë trenat e Kosovës. Linja Prishtinë - Hani i Elezit dhe ajo Prishtinë -Pejë. Të dy linjat bëjnë vetëm transportin e udhëtarëve.
Ndryshe, udhëheqësi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, ka deklaruar të mërkurën se rikthimi i dialogut këtë javë në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë, është hap pozitiv, ndonëse ka përmendur se zgjidhja përfundimtare duhet të përfshijë disa parime kyçe.
Ai ka thënë se ndonëse nuk ka asgjë të keqe për rritje të ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik, konflikti politik kërkon zgjidhje politike.
Ndryshe, takimi në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë, është i dyti i tillë i thirrur nga Uashingtoni.
Takimi i planifikuar më 27 qershor është anuluar pak ditë para mbajtjes, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka qenë i ftuar në takimin e Uashingtonit.
Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq do të takohen në Bruksel të hënën, ndërsa gjatë kësaj fundjave do të zhvillohen bisedime në nivel të ekspertëve.
Facebook Forum