Ndërlidhjet

Gjykata Kushtetuese dënon ashpër ndërhyrjen në pavarësinë e saj institucionale


Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka dënuar ashpër, atë që e ka konsideruar ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni, teksa ka përmendur se po ndjek me shqetësim “diskursin politik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti dhe kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike”.

Sipas kësaj Gjykate, këta zyrtarë duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese dënon po aq ashpër edhe përfoljen e gjyqtarëve individualë, si persona që kanë autorizime apo përgjegjësi vendimmarrëse individuale në këtë çështje”, është thënë në reagimin e kësaj gjykate.

Kjo Gjykatë u është referuar diskutimeve rreth rastit të dërguar nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë gjykatë, për të interpretuar kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për dekretim të Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për formim të qeverisë së re.

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Thaçit deri më 29 maj derisa të marrë vendim për ligjshmërinë e këtij vendimi.

Vendimi i Thaçit ka ardhur pas rrëzimit të qeverisë, tashmë në detyrë të udhëhequr nga Kurti, përmes një mocioni të organizuar nga LDK-ja.

Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Pas këtij vendimi, Thaçi dhe Kurti kanë shkëmbyer një varg letrash, mirëpo në asnjërën prej tyre nuk është prezantuar emri i mandatarit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për formim të qeverisë së re, siç ka kërkuar presidenti i Kosovës.

Kur është përmendur së fundmi Gjykata Kushtetuese nga presidenti dhe kryeministri?

Kyeministri Kurti ka përmendur po të martën Gjykatën Kushtetuese, kur ka pretenduar se është kërcënuar nga, siç është shprehur ai, e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare".

Në shkresën e kësaj Garde, të publikuar nga Kurti, Lëvizja Vetëvendosje konsiderohet organizatë kriminale, derisa thuhet se pas informatave për organizim të protestave në Prishtinë më 29 maj, njësitet e Gardës në fjalë “do të jenë gjithandej dhe ku do të paraqitet nevojë do t’i dalim në mbrojtje vendit”.

Megjithatë, Kurti ka thënë se kërcënimet nuk i janë drejtuar atij.

“Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër”, ka deklaruar ai.

Autoritetet e rendit deri më tani nuk kanë marrë ndonjë veprim në raport me pohimet e Kurtit për këto kërcënime.

Dhe kjo nuk ka qenë hera e parë që Kurti ka përmendur Gjykatën Kushtetuese, pas dërgimit të lëndës në këtë institucion nga partia që ai udhëheq.

Ndonëse në fillim të këtij muaji kishte thënë Kosova duhet të shkojë në zgjedhje, ai ka thënë më 18 maj se, Gjykata Kushtetuese, duhet të punojë në qetësi, pasi sipas tij ajo i ka aktgjykimet nga rastet e mëhershme.

“Ekzistojnë përvoja dhe praktikat e mëhershme. E kemi Kushtetutën tonë dhe le të punojë në qetësi për vendim profesionale e meritor”, është shprehur Kurti.

Thaçi në anën tjetër ka thënë më 15 maj në një konferencë për media se pas vendimit të Kuvendit të Kosovës, për votimin e mocionit të mosbesimit të Qeverisë Kurti, ‘askush nuk mund të mbajë të uzurpuar asnjë zyre të institucioneve të vendit’.

Përfshirja e Komisionit të Venecias

Kurti, i është drejtuar edhe Komisionit të Venecias në lidhje me kompetencat e presidentit të Kosovës në shpërndarjen e kuvendit dhe në kompetencat e tij për propozimin e mandatarit për kryeministër të Kosovës.

Mirëpo ky Komision ka kërkuar që Kurti të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentit të Kosovës, Thaçi për formim të qeverisë së re.

Komisioni Evropian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit i njohur si Komisioni i Venecias, është një organ këshillues dhe jo obligativ mbi çështjet kushtetuese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG