Ndërlidhjet

Mosmarrëveshje rreth riaktivizimit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë thënë se në plan të parë e kanë shëndetin e qytetarëve dhe më pas do të fokusohen në organizimin e zgjedhjeve parlamentare.

Por, njohësit e çështjeve politike thonë se mosmarrëveshjet rreth riaktivizimit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, dëshmojnë se partitë politike janë të fokusuara që pas lehtësimit të masave kundër koronavirusit, të mundohen që të pozicionohen sa më mirë karshi votuesve.

Javën e kaluar, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut arriti një nismë për riaktivizimin e këtij organi – tashmë të shpërbërë – me qëllim që në një seancë plenare, deputetët të konfirmojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për dy herë radhazi nga ana e presidentit të shtetit Stevo Pendarovski, më 18 mars dhe 16 prill.

Kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi, gjatë një prononcimi për media, hodhi poshtë kërkesën e Lidhjes Socialdemokrate për riaktivizimin e organit legjislativ, duke thënë se në muajin shkurt, deputetët ua kthyen mandatin qytetarëve.

Ndërkaq, socialdemokratët kanë deklaruar se do të përdorin të gjitha mekanizmat juridikë për rikthimin e kuvendit, pasi siç shprehen ata, vendit i duhet një mekanizëm kontrollues për vendimet që merren në këtë kohë.

Në anën tjetër, partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE po insiston që liderët politikë të takohen me presidentin e vendit dhe të merren vesh për mbajtjen e zgjedhjeve dhe vazhdimit të mandatit të qeverisë teknike, që aktualisht po udhëheq me ekzekutivin e vendit.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trendafill Ivanovski, tha për Radion Evropa e Lirë se paqartësitë ligjore në këtë kohë po synohen që të kamuflohen dhe liderët e partive politike po dëshirojnë të paraqiten para publikut se janë për interesat e qytetarëve dhe jo të partive që përfaqësojnë.

“Nëse shihet nga aspekti ligjor, edhe pala që po kërkon mbajtjen e seancës plenare është në të drejtë dhe ai tabor politik që është kundër mund të jetë në të drejtë, por antagonizmat e skajshëm edhe më shumë po e rëndojnë situatën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit”.

“Pra, duhet një qasje më serioze, si nga ana e kreut të kuvendit, Talat Xhaferi i cili nuk mund të shkojë me qëndrime të forta, ashtu edhe nga socialdemokratët, të cilët, nëse kërkojnë riaktivizimin e kuvendit, ata duhet të kenë edhe ide të qartë se si do ta sigurojnë shumicën”, thotë Ivanovski.

Në Maqedoninë e Veriut, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill. Por, në mars, në vend u shpall gjendje e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe mbajtja e zgjedhjeve u anulua.

Aleksandar Kërzhallovski nga Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar, thotë se deputetët do të duhej që ta riaktivizonin kuvendin, në momentin që u anulua mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në muajin mars, pasi sipas tij, askush nuk e di se deri kur do të vazhdojë situata me koronavirusin e ri.

“Nëse vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme – gjë që nuk do të më befasonte – kjo do të thotë se ne duhet të funksionojmë pa parlament gjatë gjithë kohës? Kjo është e palogjikshme”, thotë Kërzhallovski.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Arsim Sinani, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas mosmarrëveshjeve rreth riaktivimizimit të parlamentit, fshihet taktizimi nga partitë politike për të përcaktuar kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, në kohën kur lehtësimi i masave kundër koronavirusit, po jep sinjale se vendi po shkon drejt normalizimit të situatës me pandeminë.

“Lidhja Socialdemokrate dëshiron zgjedhje të shpejta sepse mendon që do të sigurojë një fitore pa shumë mund, për shkak se shtyrja e zgjedhjeve do të mund të sjellë probleme të tjera për shkak të krizës rreth koronavirusit dhe sa më shpejt (v.j. të mbahen zgjedhjet) aq më mirë. E njëjta gjë vlen edhe për Aleancën për Shqiptarët dhe Lëvizjen Besa, parti të cilat mendojnë se kanë performancë të mirë dhe mund t’i fitojnë zgjedhjet. Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe VMRO-DPMNE, mendojnë se shtyrja e zgjedhjeve atyre u jep kohë të përfitojnë përmes mjegullës së krijuar”, thotë Sinani.

Ndryshe, vendimi i presidentit Stevo Pendarovski për gjendjen e jashtëzakonshme shfuqizohet më 17 maj. Njëzetenjë ditë pas kësaj date do të duheshin që të organizoheshin zgjedhjet e anuluara të 12 prillit. Por, e gjithë kjo sipas njohësve varet nga situata që e imponon koronavirusi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG