Ndërlidhjet

Nisma për të riaktivizuar Parlamentin e shpërbërë të Maqedonisë së Veriut


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut ka arritur nisma për thirrjen e seancës urgjente ku deputetët do të duhet të konfirmojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për dy herë radhazi nga ana e presidentit të shtetit Stevo Pendarovski, më 18 mars dhe 16 prill.

Partia më e madhe në pushtet Lidhja Social-Demokrate e cila ka iniciuar këtë nismë me nënshkrimin e 35 deputetëve mbështetur dhe nga partitë më të vogla shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, thirret në nenin 65 të Kushtetutës së vendit, në bazë të cilit mandati mund të vazhdohet në rast të gjendjes së jashtëzakonshme edhe në rast se shpërndahet institucioni ligjvënës.

Por, kjo nismë nuk ka gjetur mbështetje nga partia më e madhe maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE dhe partia shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim.

VMRO DPMNE ka dalë me qëndrim të prerë se kuvendi i shpërbërë nuk mund të mbajë seancë.

Naser Ziberi, njohës i çështjeve juridike, ish-deputet, për Radion Evropa e Lirë sqaron se kushtet për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme në mungesë të parlamentit, tashmë janë miratuar nga Këshilli për Siguri Nacionale dhe ekspertët e shëndetësisë të konsultuar nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, dhe me konstatimin e gjendjes së jashtëzakonshme pavarësisht se kush e ka konstatuar, sërish i jepet autorizim qeverisë dhe presidentit që të ushtrojnë detyrat që janë kompetencë të vetë Parlamentit.

“Pa dyshim se motivet janë politike, si për ata që e kanë ngritur këtë iniciativë gjithashtu dhe ata që e kundërshtojnë të njëjtën. Mendoj se partitë politike nëse mbeten në qëndrimet ekzistuese seancë nuk do të ketë sepse është vështirë që të sigurohen dy të tretat e votave ndërsa pa këtë shumicë parlamentare seanca eventuale do të dështonte dhe e gjithë kjo do të ishte vetëm një propagandë partiake pa efekte konkrete”, thotë Ziberi.

Përderisa, Nena Markoviq, ligjërues i shkencave politike, vlerëson se deputetët është duhur që më herët të kërkonin që të thirrej Parlamenti që të bartin një pjesë të përgjegjësisë për masat e marra nga ana e qeverisë në luftën kundër pandemisë me koronavirusin.

“Me siguri edhe ata kanë pritur që të qetësohet pandemia, edhe ata pak kanë bërë strategji me këtë cështje. Megjithatë, sa më herët do të ishte më mirë. Së paku do ta dinim, do të kishte kohë që të gjitha partitë t’i hekurosnin dallimet edhe se ende nuk është vonë për një takim liderësh tek presidenti, ku do të mund të vihej deri te një konsensus i përbashkët, nëse diçka e tillë përgjithësisht është e mundur".

"Duke pasur parasysh këto interpretime totalisht të polarizuara të Kushtetutës, unë jam skeptik se deri tek ajo mund të vihet. Prandaj mendoj se duhet që një orë e më parë të thirret mbledhja e Parlamentit dhe të vazhdojë me funksionin e kontrollit ndaj pushtetit ekzekutiv, mendoj se kjo do të kishte qenë opsioni më i mirë”, thotë Markoviq.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut u shpërbë në shkurt për shkak të caktimit të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill, por të njëjtat u prolonguan si rrjedhojë e krizës së koronavirust për një afat të pacaktuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG