Ndërlidhjet

Qytetarët detyrohen të mbajnë maska në Maqedoninë e Veriut


Shkup
Shkup

Disiplina në respektimin e masave për frenimin e përhapjes së koronavirusit është çelësi i suksesit për të luftuar infeksionin nga ky virus, theksojnë nga Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut duke komentuar masat e fundit të qeverisë, me ç`rast qytetarët detyrohen të mbajnë maska mbrojtëse edhe në ambientet e hapura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Autoritetet zyrtare të vendit kanë theksuar se zbutja e masave për sa i përket kufizimit të lëvizjes është e varur ngushtë nga disiplina e qytetarëve për të respektuar rekomandimet që kanë të bëjnë me mbajtjen e maskave dhe distancën fizike.

Sipas një dekreti të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, qytetarët duhet të mbajnë pajisjet mbrojtëse në fytyrë në të gjitha hapësirat publike, ku ka më shumë njerëz, siç janë tregjet, dyqanet, bankat, zyrat postare, institucionet shtetërore dhe shëndetësore, transporti publik.

Madje parashihen dhe gjoba prej 20 eurove nëse qyetarët nuk i respektojnë masat për mbrojtje personale.

Arif Latifi, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik në Kumanovë, qytet ky që ka numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut, për Radion Evropa e Lirë sqaron se vendosja e maskave dhe mbajtja e distancës fizike mbeten dy shtyllat kryesore në luftë për frenimin e përhapjes së koronavirusit në këtë moment.

“Maskat dhe dorëzat duhet t'i mbajnë qytetarët sepse ato janë shumë të rëndësishme sa i përket pengimit të përhapjes së infeksionit të koronavirustit. Nëse këto masa respektohen me shumë kujdes dhe paprekshmëri atëherë unë besoj se ne do të mund të vendosim kontroll për sa i përket përhapjes së koronavirusit".

"Respektimi i këtyre masave do tu sjell dobi qytetarëve sepse ata do ta ruajnë vetën dhe familjen e tyre nga infeksioni në njërën anë dhe në anën tjetër do të mund t'i kryejnë lirisht obligimet e ditës”, thotë Latifi.

Nga sot është shtyrë ora policore për 3 orë, përkatësisht ajo tani fillon në ora 19:00 dhe përfundon në ora 5:00 të mëngjesit.

Kjo, theksojnë nga Shtabi i krizës, do të vazhdojë nëse qytetarët nuk u përmbahen rekomandimeve dhe vendi nuk shënon rënie të numrit të infektuarve.

Ndërkaq, pjesa më e madhe e kryetarëve të komunave të Maqedonisë së Veriut kanë kërkuar nga pushteti qendror që të ndihmohen me sigurimin mjeteve mbrojtëse si dorezat dhe maskat për kategoritë e ndjeshme.

Qytetarët obligohen të mbajnë maska dhe doreza në hapësira hapura, siç janë tregjet dhe vendet ku nuk ka mundësi të mbahet një distancë fizike prej dy metrash.

Por, qytetarët ankohen se maskat nuk mund të gjinden në barnatore, ndërkohë që mjetet për mbrojtje tashmë kanë shënuar rritje të çmimeve disa fish nga çmimi që kishin para se të shpërthejë kriza me koronovirusin.

"Në barnatore nuk mund të gjejmë maska dhe mjete dezinfektuese, ose kur i gjenë janë me çmim shumë të lartë, nëse ne i respektojmë rekomandimet që një maskë ta përdorim dhe hedhim menjëherë kjo do të jetë shumë vështirë e përballueshme për buxhetin familjar", thotë Elena Dimitrievska e cila punon si shitëse në tregun e gjelbër të Shkupit.

Edhe Valon Dehari thotë se tërë ditën ka kërkuar maska dhe nuk ka arritur të gjejë në barnatoret e Shkupit. Andaj ai në vend të maskës ka vendosur shami pasi sic thotë, nuk është lejuar të futet në postë për të paguar faturat.

“Kërkova te disa barnatore, por nuk ka maska, tash e kam vendos këtë shami sepse s`më lan të hyj në postë. Duhet të krijohen kushte dhe pastaj të merret vendim për aplikimin e masve siç është kjo për mbajtjen e maskave" thotë Dehari.

Sociologët thonë se qytetarët do ta kenë të domosdoshme të ndryshojnë sjelljet dhe të heqin dorë nga një pjesë e madhe e shprehive sado që kjo të duket jo e natyrshme, përkatësisht që të punojnë dhe funksionojnë me fytyrën e mbuluar me maskë pasi koronavirusi për momentin mund të parandalohet vetëm përmes mjeteve mbrojtëse dhe distancës fizike.

“Nëse qytetarëve u shpjegohet në një formë të arsyeshme jo vetëm frika, por mbi të gjuha do të thosha vetëdija e tyre është ajo që do t'i bëjë qytetarët të respektojnë rregullat e reja gjatë funksionimit apo kryerjes së obligimeve ditore në rrethana që kanë të bëjnë me respektimin e rekomandimeve për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19".

"Nuk është kjo diçka e re, pastërtia dhe distanca janë diçka që e kanë të njohur mirë gjyshet tona. E dini pas përhapjes së kolerës u bë e zakonshme që shtëpitë të dezinfektohen duke u lyer me gëlqere çdo pranverë edhe pandemia e koronavirusit do të na mësojë të ndjejmë si të natyrshme respektimin e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave”, thotë për Radion Evropa e Lirë Jordan Shishovski.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka theksuar se është në përpilimin e një plani për kthimin e jetës në normalitet, duke zbutur masat që kanë të bëjnë me parandalimin e përhapjes së koronavirusit, megjithëse kanë theksuar se kjo nuk do të ndodhë shpejtë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG