Ata janë elemente kyçe në luftën kundër koronavirusit.
Reagentët.
Kjo fjalë përshkruan përbërësit kryesorë të secilit test me bazë kimike, i cili në këtë pandemi përmban përzierje inorganike, bashkë me enzima, sonda dhe substanca elementare, që duhen për të krijuar gjenin e koronavirusit.
Ata janë të domosdoshëm në testet për koronavirus, për të luftuar sëmundjen Covid-19 që shkakton koronavirusi i ri, i cili deri më 18 prill kanë lënë të vdekur më shumë se 156,000 persona nga 2.2 milionë të infektuar, prej kur koronavirusi ka kaluar në njerëz nga Kina Qendrore në nëntor të vitit të kaluar.
Pse testimi është i rëndësishëm për të rrafshuar lakoren e COVID-19?
Rëndësia e reagentëve do të vazhdojë të tejkalojë furnizimet në shumë vende, pasi sfida për trajtim dhe vaksina të sigurta vazhdon, ndërkohë që qeveritë mbështesin qasjen “testime, testime, testime”, dhe tentojnë të largojnë miliarda njerëz nga izolimi.
Pavarësisht qëndrueshmërisë në shishe, kriza me Covid-19 ka vënë në pah cenueshmërinë si pasojë e mungesës së reagentëve, pasi kërkesa për ata është rritur papritur, eksportet janë ndalur dhe rezerva nuk ka. Mungesa e tyre shoqërohet edhe me probleme siç është kapaciteti i kufizuar i prodhimit dhe tregu i dominuar nga pak kompani.
“Çështja është se në thelb këto janë enzima të specializuara dhe substanca që duhet të krijohen”, ka thënë Davey Smith, bashkë-koordinator në një prej Qendrave Shëndetësore të Institutit Kombëtar për AIDS në Shtetet e Bashkaura.
- Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.
“Mirëpo e dini, ne gjithmonë kemi pasur mjaft kapacitete për të kryer testet që na janë dashur. Ne nuk kemi menduar se do të kryejmë testime të kësaj shkalle për pandeminë e re”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
Pa reagentë nuk ka teste të besueshme
Në qendër të përpjekjeve të mëdha për të testuar njerëzit në masë, nuk është vetëm aftësia për të kuptuar se kush është i infektuar – siç është vënë theksi nga zyrtarët, të cilët po tentojnë ta ndalin dhe dobësojnë virusin – por edhe të identifikojnë dikënd që krijon antitrupa, që ka shenja se infektimi ka kaluar dhe nëse eventualisht është krijuar imuniteti.
Testet që janë përdorur më së shumti deri më tani janë të ashtuquajturit, RT-PCR, të cilët mbledhin materialin gjenetik, i cili më pas shumëzohet me polimeraza dhe zmadhohet në laboratore. Ata më vonë përmes disa substancave shënjestrojnë disa zona të gjenit, për të kuptuar nëse ka prezencë të kodit gjenetik të koronavirusit në trupin e pacientit.
Kategoria e dytë e testimit është serologjike, që ndan mostrat e gjakut për antitrupa, të krijuar nga ekspozimi më i hershëm ndaj virusit. Kjo mënyrë e testimit është më pak e zakonshme, por tejet e rëndësishme teksa përhapet vala e parë e sëmundjes Covid-19.
Ekspertët thonë se mjekëve dhe politikbërësve do t’iu duhet të mësojnë më shumë rreth pacientëve pa simptoma dhe atyre që janë shëruar, në mënyrë që të analizojnë pyetjet për imunitet dhe ndjeshmëri, teksa synojnë të lehtësojnë kufizimet për distancim fizik dhe izolim.
Të dyja llojet e testimit kërkojnë reagentë të pastër, kompleks dhe një sasi të konsiderueshme të tyre.
“Është një lloj tjetër lëndë kimike që nxjerr virusin, një tjetër që zmadhon virusin dhe tjetër që identifikon atë”, ka thënë Smith, i cili është po ashtu studiues tradicional për virologji në Universitetin e Kalifornisë, në San Diego.
- Kosovës i duhen më shumë teste për koronavirusin
- Dr. Trampuz: Normalizimi i jetës, vetëm pas vaksinës në vitin tjetër
“Por e gjithë ajo kimi dhe të gjitha ato enzima, kripëra dhe tampona janë thjesht kimikate që janë të përfshira [në testin PCR] dhe quhen reagentë, dhe procedura e njëjtë vlen edhe për antitrupa”.
“Nuk ka pasur kurrë mungesa”
Udhëheqësi i Asociacionit britanik për tregti në fushën e prodhimit të testeve për koronavirus ka thënë së fundmi dhe “nuk ka pasur kurrë mungesë të reagentëve kimikë deri më tash”.
Mirëpo në kohën e pandemisë, Doris-Ann Williams nga Asociacioni Britanik për Diagnoza In Vitro ka thënë për të përditshmen amerikane The New York Times “se të gjitha shtetet më të mëdha në botë janë duke kërkuar të njëjtën gjë në kohën e njëjtë”.
Për arsye të panjohura, shumica e shteteve nuk kanë ruajtur reagentë pavarësisht epidemive të fundit sikurse SARS (2003), MERS (2012, 2015, 2018) , EBOLA (2014-16, 2019) dhe Zika (2015-16).
Megjithatë ka përjashtime sikurse Koreja Jugore, e cila prodhon dhe eksporton teste pas përballjes me shpërthimin MERS, pesë vjet më parë.
Megjithatë, as vetë Seuli nuk ka mundur që të ketë të gjithë reagentët në dorë para 10 janarit, kur një ekip i shkencëtarëve, që ka punuar në epiqendrën kineze të përhapjes së virusit, ka publikuar gjenin “fillestar” të koronavirusit të ri, që zyrtarisht njihet si SARS-CoV-2.
Kjo për shkak se substancat fillestare janë në të vërtetë copëza të kodit gjenetik të rritura në laborator, të cilat duhet të përputhen me materialin e kodit gjenetik të virusit të shënjestruar, ashtu që të ndihmohet në procesin e nxjerrjes së këtij të fundit.
Papritmas të rëndësishëm
Deri më mesin e muajit janar, Kina, lidere botërore në krijimin dhe eksportimin e reagentëve dhe testeve për koronavirus, ka qenë duke u përballur me sfidë të testeve për diagnostikim të sëmundjes Covid-19 në provincën Hubei dhe vendet tjera.
Kërkesa kineze dhe ndalimi i eksportit kanë ndikuar në mungesë të furnizimeve, e cila më pas ka ndikuar në përgjigjen ndaj virusit në botë, ndërkohë që pandemia është zgjeruar.
Kjo gjë ka pasur efekt edhe në Evropë, në “epiqendrën” e dytë të koronavirusit në muajin mars, e cila shumë shpejt është përballur me mungesë të testeve.
Sipas udhëheqësit të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve, Andrea Ammon, Evropa ende nuk e ka tejkaluar këtë krizë.
Në Shtetet e Bashkuara, Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, ka fajësuar “një reagent që nuk është duke funksionuar siç duhet” në kohën kur është bërë vlerësimi i sasisë së testeve në muajin shkurt.
Një muaj më vonë, udhëheqësi i kësaj Qendre ka paralajmëruar se “ka mungesë” të reagentëve thelbësorë për testime.
Prodhuesit globalë të testeve me vështirësi kanë tentuar të përmbushin kërkesat në tregjet evropiane dhe ato të Amerikës Veriore, ndërkohë që kanë bërë prioritet vendet e pasura që kanë bërë kërkesë për teste, dhe duke lënë anash shtetet e varfëra, që nuk mund t’iu bëjnë konkurencë tregjeve të mëdha.
“Ne nuk kemi krijuar rezerva të tyre. Ne vetëm jemi varur në platformat tona të rregullta të testimeve dhe ato nuk kanë qenë të gatshme për këtë”, ka thënë Smith.
“Dua të them se ka pasur shumë gabime që janë bërë, mirëpo një nga më të mëdhatë ka qenë se nuk kemi rezerva të këtyre reagentëve”.