Ndërlidhjet

A ka paguar BE-ja para për refugjatët në Turqi apo jo?


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

"Ata nuk i paguan 6 miliardë euro-t e premtuara. Tani, ata thonë se do të ndajnë 1 miliardë euro. Kë po e gënjeni ju?".

Me këto fjalë, presidenti, Reccep Tayyip Erdogan, akuzoi Bashkimin Evropian (BE) për mosrespektimin e marrëveshjes për refugjatët me Turqinë. Ai e bëri deklaratën në Ankara gjatë një paraqitje të përbashkët me kryeministrin bullgar, Boyko Borisov, më 2 mars.

"Ne i miratuam këto para për Turqinë. Unë nuk mund ta kuptoj pse nuk u dhanë", tha ndërkaq kryeministri Borisov.

A e respekton BE-ja marrëveshjen e saj të vitit 2016 me Turqinë dhe a janë paguar paratë e premtuara? Përgjigjet janë në rreshtat e mëposhtëm.

Cila është marrëveshja?

Ndihma e BE-së për refugjatët në Turqi u dakordua më 18 mars të vitit 2016.

Ajo parashikonte që BE-ja të sigurojë 3 miliardë euro për të mbështetur refugjatët - veçanërisht, qasjen në arsim, shëndetësi, mbrojtje dhe mirëmbajtje. Më 29 qershor 2018, BE-ja vendosi të zgjasë afatin e këtij mekanizmi të ndihmës edhe për dy vitet e ardhshme dhe u angazhua që të ndajë edhe 3 miliardë euro të tjera.

Në atë kohë, Bullgaria mbante presidencën e Këshillit të BE-së. Turqia ishte e kënaqur me vendimin e BE-së.

Miratimi i mekanizmit u bë i njohur si "Marrëveshja e Refugjatëve BE-Turqi".

Në bazë të dokumentit, Bashkimi Evropian merrte përkushtimin të ndihmojë me 6 miliardë euro, dhe Ankaraja zotohej të ndihmonte refugjatët në territorin e saj dhe të parandalojë valët e migrantëve në Greqi dhe Bullgari, dhe prej andej në Evropën Perëndimore.

A janë dhënë paratë?

Shumica e mjeteve janë paguar. Që nga 31 dhjetori i vitit 2019, Mekanizmi i BE-së për Refugjatët në Turqi raporton se 4.7 nga 6 miliardë tashmë janë rënë dakord. Nga këto, 3.2 miliardë euro tashmë janë paguar. Ende ka projekte që janë duke u zbatuar ose kontraktuar, kështu që jo të gjitha paratë janë shpenzuar.

Pjesa e parë e mekanizmit, e cila ishte për vitin 2016-2017, është miratuar si e plotë në shumën prej 3 miliardë euro, dhe është drejtuar për projekte specifike. Nga këto, janë paguar 2.47 miliardë euro. Pjesa e dytë e mekanizmit për vitin 2018-2019 parasheh 2.96 miliardë euro, nga të cilat janë miratuar 1.7 miliardë euro, dhe janë paguar 750 milionë euro.

Kush i merr paratë?

Mekanizmi menaxhohet nga një Komitet Drejtues, i kryesuar nga Komisioni Evropian dhe në të cilin përfshihen edhe përfaqësues të të gjitha shteteve anëtare, si dhe një përfaqësues i Turqisë, i cili ka një votë këshilluese.

Ky komitet vendos se ku të drejtojë ndihmën, cilat aktivitete të financojë dhe me cilat organizata të punojë.

Ndihma e BE-së për refugjatët në Turqi asnjëherë nuk është parashikuar dhe negociuar si transfer i drejtpërdrejtë financiar i qeverisë në Ankara.

Kjo është bërë e qartë, që në fillim si për qeverinë turke ashtu edhe për çdo qeveri të vendit të BE-së.

Paratë shpërndahen në një projekt dhe në bazë transparente midis disa prej organizatave humanitare më të mëdha në botë. Këtu përfshihen organizatat e Kombeve të Bashkuara - të tilla si UNICEF, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Programi Botëror i Ushqimit dhe Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara.

Ndër organizatat tjera, gjithashtu Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe e Gjysmëhënës së Kuqe, organizata britanike Save the Children, ajo gjermane Welthungerhilfe dhe shumë të tjera.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG