Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut importon më shumë mbeturina sesa që i shkakton vet


Maqedonia e Veriut importon dhjetëfish më shumë mbeturina nga ajo që shkaktojnë qytetarët e saj, bazuar në statistikat zyrtare.

Sipas statistikave gjatë vitit 2012 deri në vitin 2014 në Maqedoninë e Veriut janë importuar 8 milionë e 200 mijë ton mbeturina, vlerë kjo që është shumë më e lartë se vitet paraprake dhe pas kësaj.

Më së shumti mbeturina, Maqedonia e Veriut ka importuar gjatë vitit 2014 nga Bullgaria edhe atë mbi 7 milionë ton, përkatësisht shtatë milion e 400 mijë ton mbeturina, po të njëjtin vit janë importuar 490 mijë ton mbeturina nga Serbia dhe mbi 250 mijë ton mbeturina nga Emiratet e Bashkuara Arabe. tregojnë të dhënat që ka siguruar Radio Evropa e Lirë nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Po këtë vit, Maqedonia e Veriut ka importuar 32 mijë ton mbeturina nga Turqia dhe sasi më të vogla ka importuar dhe nga shumë vende të Bashkimit Evropian si Gjermania, Greqia, Spanja, Italia.

Redaksia ynë ka kërkuar të mësojë se për çfarë lloj mbeturinash të importuara bëhet fjalë, por nga dikasteri i Ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor, thonë se të dhënat për vitin 2014 kur në shtet janë importuar mbi 8 milionë ton mbeturina, dikasteri disponon me dokumentacion, por këto të dhëna nuk janë të vendosura në një regjistër që të jenë të çasshme për opinionin.

Nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe planifikimit hapësinor kanë bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar në Maqedoninë e Veriut janë importuar afërsisht 2 milionë ton mbeturina ku serish më së shumti mbeturina importohen nga Bullgaria edhe atë mbeturina të hekurishteve mbetje të gomave dhe akumulatorëve.

“Për këto lloj mbeturinash shteti disponon me kapacitete për ripërpunimin e mbeturinave”, ka thekuar për Radion Evropa e Lirë Ana Karanfillova Maznevska, drejtuese e sektorit për menaxhimin e mbeturinave në kuadër të Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Tema me importin e mbeturinave u aktualizua pasi Prokuroria në Bullgari ka ngritur hetime për dyshim ndaj një firme ku bashkëpronar paraqitet edhe drejtori i deponisë [ZJ1] Drislla të Shkupit, Bllazhe Ignatvski, hetim ky që ka të bëjë me importin e 25 kontenjerëve mbetje helmuese nga Italia për në Bullgari, për t’i përdorur si derivate djegëse në termocentralin e qytetit Varna.

Pasi të martën është shkaktuar drejtori i deponisë Drislla, Qyteti i Shkupit kanë bërë të ditur se do të inspektohet puna 9 vjeçare deponisë “Drislla”.

Por, nga Prokuroria e Shtetit thonë se deri sot askush nuk ka bërë kallëzime për aktivitete të mundshme joligjore në “Drislla”.

Arianit Xhaferi nga Organizata për Mbrojtjen e Ambientit Jetësor "ECO GUERILA", për Radion Evropa e Lirë thotë se institucionet nuk kanë kapacitet për të kontrolluar përmbajtjen e mbeturinave gjë që djegia e tyre në Maqedoninë e Veriut në masë të theksuar rrezikon ambientin jetësor.

“Dua të rikujtoj se në shkurt të vitit 2019 ne kemi bllokuar hyrjen e deponisë Drislla dhe ne si organizatë kemi kërkuar që menjëherë me ligj të ndalohet importi i mbeturinave për faktin se Maqedonia e Veriut nuk ka arritur si shtet të përforcojë kapacitetet e inspektorateve lokale dhe shtetërore për çështje të mjedisit si dhe nuk ka përforcuar kapacitetet e doganës për të kontrolluar se çfarë lloj mbeturinash importohen në vend.

"Institucionet e vendit nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për kontrollin e mbeturinave të importuara qofshin ato sa u përket pajisjeve adekuate për të kontrolluar përmbajtjen e mbeturinave por s’do mend se kemi të bëjmë edhe me një sistem shumë të korruptuar ku tani është sekret se doganat dhe inspektoratet nuk janë institucione të besueshme në vendin tonë“, thotë Xhaferi.

Edhe në rrjetet sociale në vazhdimësi janë paraqitur ankesa të qytetarëve se digjen mbeturina të rrezikshme me përmbajtje radioaktive që importohen nga jashtë vendit, më saktësisht nga Italia.

Por, Gordana Nikollovska nga drejtoria për siguri radioaktive thotë se shteti disponon me detektor adekuat për matjen e radioaktivitetit dhe nëse shënohen njësi më të larta se vlera e lejuara kjo gjë menjëherë do të detektohet.

“Importi i këtij lloji të mbeturinave është i ndaluar me ligj, megjithatë kjo nuk do të thotë se çdo ndalesë respektohet”, thotë Nikollovska.

Në procedurë parlamentare është dhe propozimi për ndryshimin e Ligjit për menaxhimin me mbeturinat me të cilin ndalohet importi i mbeturinave si burim për energji, përkatësisht mbeturinat të digjen.

“Struktura të organizuara kriminale të cilat bëjnë tregti me mbeturina jo rrallëherë falsifikojnë të dhënat e njësive të laboratorëve me atë që ajo çka deklarohet nuk është e njejtë me atë që është paketuar si mbeturinë e cila dhe ka dyshime se bëhet fjalë për mbeturina të rrezikshme, mbetje, barna e të tjera”, kanë nënvizuar nga Organizata për mbrojtjen e ambientit “Iniciativa O2”, duke theksuar se mafia italiane është duke vepruar në vendet e Ballkanit.

Të dhënat tregojnë se në Maqedoninë e Veriut brenda vitit shkaktohen 700 deri në 800 ton mbeturina komunale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG