Shtatë kandidatë demokratë për president të Shteteve të Bashkuara kanë zhvilluar debatin e fundit presidencial për vitin 2019, duke shpërfaqur qasje të ndryshme në çështjet si taksat dhe tregtia.
Marrëveshjet tregtare: përkrahja dhe kundërshtimet
Ndasitë kanë filluar menjëherë pas nisjes së diskutimeve për një marrëveshje tregtare të Amerikës Veriore, të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve të enjten.
Senatori Bernie Sanders ka thënë se ai kundërshton marrëveshjen derisa senatorja, Amy Klobuchar ka thënë se do të votojë për të.
Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar marrëveshjen tregtare në mes të Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kandasë me përkrahje të demokratëve dhe republikanëve.
Presidenti amerikan, Donald Trump e ka konsideruar këtë vendim si fitore, derisa disa liderë demokratë kanë shprehur dyshime nëse ky dokument do të garantojë më shumë të drejta për punëtorët.
Sanders ka thënë se ka votuar kundër marrëveshjes, meqë sipas tij, ajo nuk do të heqë mangësitë e marrëveshjes paraprake.
“Kjo nuk do t’i ndalojë korporatat nga shkuarja në Meksikë. Neve na duhet një politikë tregtare që funksionon për punëtorët dhe bujqit”.
Përveç tjerash, Sanders ka thënë se marrëveshja e re nuk ka përmendur kurrë ndryshimet klimatike, andaj kur ky dokument të prezantohet për miratim në Senat, ai ka thënë se nuk do të votojë për të.
Klobuchar nga Minesota mendon ndryshe.
“Unë besoj se kemi shënuar ndryshim me këtë marrëveshje”, ka thënë ajo.
Taksat
Një përplasje në mes të senatores, Elizabeth Warren dhe kryetarit të Indianas, Pete Buttigieg ka bërë të qarta dallimet në mes të qëndrimeve të ndryshme që ekzistojnë për taksat në mesin e demokratëve.
I pyetur nga një moderator për të komentuar kritikat rreth planit të saj për të vendosur taksa ndaj të pasursve që kanë më shumë se 50 milionë dollarë, senatorja Warren është përgjigjur ashpër.
“Ata e kanë gabim”, ka thënë ajo, para se të deklaronte se taksa dy-centëshe në pasurinë mbi 50 milionë dollarë, do t’iu mundësonte Shteteve të Bahkuara të krijojnë fond për edukim, pension dhe kujdes shëndetësor për miliona amerikanë.
Mirëpo Buttigieg i ka konsideruar këto deklarata “të rreme”, meqë sipas tij presidenti i ri duhet ose të prezantojë ide radikale ose të mos bëjë asgjë.
“Neve na duhet të prezantojmë ide të mëdha. Dhe po, taksat në individë të pasur dhe në korporata duhet të rriten. Neve na duhet të jemi të mençur edhe rreth premtimeve që po bëjmë dhe të sigurohemi që këto premtime mund t’i mbajmë pa taksat, për të cilat ekonomistët thonë se dëmtojnë ekonominë”.
“Kryerja e punëve”
Ish nën-presidenti amerikan, Joe Biden ka përsëritur sërish thirrjen e tij që demokratët duhet të bashkojnë shtetin, pasi Trump të largohet nga zyra.
“Unë refuzoj të pranoj teorinë që e përkrahin disa në këtë skenë se ne kurrë nuk mund të arrijmë në pikën kur do të bashkëpunojmë sërish. Nëse ky është realiteti, atëherë ne kemi vdekur si komb”, ka thënë ai.
Mes tjerash, ai ka mbrojtur edhe djalin e tij Hunter, i cili gjendet në qendër të akuzave kundër Trumpit, që kanë rezultuar me akuzim të presidentit nga Dhoma e Përfaqësuesve për abuzim me pushtet dhe pengim të punës së Kongresit.
“Nëse dikush ka arsye që të zemërohet me republikanët, atëherë ai jam unë. Ata më kanë sulmuar mua, djalin dhe gjithë familjen time. Unë nuk kam dashuri për ata, mirëpo na duhet të kryejmë punët”.
Hetimet kundër Trumpit kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit amerikan dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.
Një informator është ankuar duke pretenduar se Trump “ka përdorur pozitën e tij për të kërkuar ndihmë nga një shtet i huaj”, në prag të procesit zgjedhor për një mandat tjetër presidencial.
Trump e ka konsideruar hetimin për shkarkim si “mashtrim” mirëpo e ka pranuar se “i ka vështirësuar punën”.
Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.
Kjo është hera e tretë në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi.
Përgatiti: Krenare Cubolli