Njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut, thonë se është bërë e zakonshme që gjithmonë para mbajtjes së zgjedhjeve, partnerët e koalicionit qeveritar të ashpërsojnë raportet mes veti, për të treguar para elektoratit se kush është mbrojtës më i denjë i interaseve të tyre, por thonë se është shumë e shkurtër koha prej 50 ditëve deri në shpërbërjen e Parlamentit që të testohet realisht koalicioni qeverisës.
Kriza mes partnerëve të koalicionit qeverisës LSDMS-së dhe BDI-së, u provokua pas dorëzimit të pesëmijë amendamenteve të partisë shqiptare në pushtet bashkë me njëmijë amendamentet e VMRO DPMNE-së lidhur me ndryshimet e kodit zgjedhor.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se do të konsultohet rreth shqyrtimit të pozicioneve me kryesinë e partisë dhe partitë më të vogla që janë pjesë e koalicionit dhe do të dalin me vendimin ndaj kaolicionit me BDI-në.
“Ky (numri i amendamenteve) është një mesazh shumë i palogjikshëm nga partneri jonë, BDI. Ne kemi folur se përse është e nevojshme një njësi zgjedhore. Nuk guxojmë të mos e dëgjojmë edhe zërin e partive më të vogla. Këto amendamente janë sinjal se duan ta bllokojnë procesin. Kështu bllokohet demokracia në procesin e vendimmarrjes”, tha për mediat Zaev.
Por, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, është arsyetuar se amendamentet janë në funksion të mbrojtjes së fuqizimit të elektoratit shqiptar.
Naser Ziberi, njohës i çështjeve politike, ish-deputet, për Radion Evropa e Lirë thotë se është bërë praktikë që gjithmonë para zgjedhjeve qofshin ato parlamentare apo lokale, partnerët e koalicionit qeverisës ata shqiptarë dhe maqedonas të shprehin kundërshtime rreth çështjeve të caktuara me qellim që të përmirësojnë imazhin para votuesve.
“Në esencë nuk ka ndonjë dallim konceptual serioz që do të mund të çojë deri në prishjen eventuale të koalicionit bashkëqeverisës. Ndoshta kjo qeveri po i numron ditët, përkatësisht së shpejti do të rikonfirmohet qeveria e re teknike e tranzicionit me kryeministër të ri teknik dhe ministra të tjerë dhe nuk ka kohë për të bërë ndonjë ndryshim eventual për një bashkërenditje të strukturës qeverisëse" .
"Pra, me një fjalë konstatoj se kjo është vetëm një përpjekje për të rritur mbështetjen në elektorat në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, vlerëson Naser Ziberi.
Përderisa, politikologu maqedonas, Nikolla Dujovski, shprehet më i përmbajtur rreth asaj se sa është reale kriza mes partnerëve të koalicionit qeverisës.
“Nëse bëhet fjalë për ndonjë skenar politik ose jo unë nuk mund të them do të isha i përmbajtur në këtë drejtim, sepse kjo situatë mund të vlerësohet në mënyra të ndryshme. Parlamenti do të shpërbëhet pas 50 ditësh dhe në asnjë mënyrë nuk ka hapësirë për ndryshim të partnerëve të koalicionit gjatë kësaj periudhe përderisa pas zgjedhjeve mbetet të shihet se si do të vazhdojnë raportet mes BDI-së dhe LSDM-së", thotë Dujovski.
Nga ana tjetër, Naser Ziberi thotë se tensionet mes partnerëve të koalicionit qeverisës do të jenë edhe më të theksuara deri në mbajtjen e zgjedhjeve, por shton se elektorati tanimë e ka të qartë fushëveprimin e të dy partive andaj vështirë se do të mund të kenë ndonjë ndikim real.
“Mendoj se janë tentativa të kota për arsye se kjo dramë e krijuar lexohet që nga larg. Dy partitë që qeverisin gjatë gjithë mandatit pa probleme dhe vetëm në prag të zgjedhjeve nxjerrin diferenca në qëndrime, është një lojë e tejdukshme dhe nuk mendoj se do të kenë ndikim dhe efekt në elektorat", thotë Ziberi, duke kujtuar se partnerët e koalicionit edhe më herët kanë pasur dallime rreth çështjes së ligjit që rregullon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, pas rekomandimeve të Komisionit të Venedikut, emërimit të kryeprokurorit publik, si dhe çështje të tjera.
Nga ana tjetër, partitë politike shqiptare në opozitë, përplasjet mes Lidhjes Socialdemokrate të kryeministrit Zoran Zaev dhe Bashkimit Demokratik për Integrim i shohin si tentim që BDI-ja të krijojë pozicione më të relaksuara me VMRO DPMNE-në, nëse partia maqedonase në opozitë arrin të shënojë fitore.