Autoritetet në Kosovë, kanë reaguar pas disa deklaratave të zyrtarëve të ushtrisë së Serbisë, se kanë mbështetjen e Rusisë se si po veprojnë në lidhje me Kosovën.
Kryeministri i Kosovës në dorëheqje, Ramush Haradinaj deri sa ka komentuar deklaratën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsilloviq, se Serbia ka mbështetjen e ushtrisë ruse për sfidat në Kosovë, ka thënë se provokimet duhet të pushojnë në Serbi.
"Komandanti i ri i ushtrisë së vjetër famëkeqe të Serbisë, Milan Mojsilloviq, paska deklaruar se kanë përkrahjen e ushtrisë ruse për sfidat në Kosovë. Ia kujtojmë atij se edhe Millosheviq mendonte njësoj, por i doli keq. Ata duhet t’i ndalin këto provokime", ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Mojsilloviq, i cili ka qëndruar për vizitë në Moskë të Rusisë, i ka thënë të përditshmes serbe, Veçernje Novosti, se “kemi marrë mbështetje nga udhëheqja ushtarake ruse, se si të veprojmë në lidhje me Kosovën".
"Sigurisht, ne jemi veçanërisht të interesuar për sigurinë e serbëve, jo vetëm në veri, por në të gjithë Kosovë”, ka thënë Mojsilloviq.
Zëvendësministri në dorëheqje, i Ministrisë së Mbrojtjes, Burim Ramadani tha të martën për Radion Evropa e Lirë se e vërteta është se këto janë mesazhe kërcënuese të Serbisë janë për gjithë rajonin dhe se sipas tij nuk bëhet fjalë vetëm për Kosovën.
"Sigurisht që për të gjithë ne në Kosovë kjo nuk është as e habitshme e as e befasishme, por se kjo edhe një herë e dëshmon që ushtria të cilën e udhëheq Mojsilloviq është e trashëgimisë gjenocidiale të spastrimit etnik dhe e shkatërrimit që ka bërë në shtete të ndryshme në rajon. Si e tillë trashëgimia në logjiken e tyre politike ka mbetur e njëjtë. Besoj se ky duhet të jetë një sinjal i qartë për NATO-n, për partnerët ndërkombëtarë se fatkeqësisht, Serbia nuk ka ndryshuar as edhe një pikë nga qëndrimet e Millosheviqit", tha Ramandani.
Ramadani theksoi se ushtria e Serbisë nuk ka qasje në Kosovë dhe as që mund të ketë.
"Ta kemi të qartë se as një këmbë e ushtarit të Serbisë nuk mund të futet në Kosovë por se këto janë deklarata provokuese të sistemit të Millosheviqit", tha Ramadani.
Njohësi i çështjeve të sigurisë në Kosovës, Nuredin Ibishi, tha për Radion Evropa e Lirë se autoritetet serbe, veçanërisht ato të ushtrisë, vazhdimisht kërcënojnë dhe tregojnë për praninë e Rusisë, veçanërisht në Serbi, në veri të Kosovës dhe Republikën Serbe.
Ai thotë se këto kërcënime do të ndikojë në situatën e tensionuar në rajon dhe se sipas tij kërcënimet nuk janë të rastësishme.
"Është një kërcënim i drejtpërdrejtë jo vetëm për autoritet e shtetit në Kosovë, por edhe për praninë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, KFOR-in që është mision in NATO-s si dhe është kërcënim edhe për misionin e BE-së, pra EULEX-in", tha Ibishi.
Në fund të muajit të korrik, Ministri serb i Mbrojtjes, në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se armatosja e Serbisë bëhet "vetëm për hir të paqes".
"Sa më të fuqishëm që jemi, lufta do të jetë më larg nesh", është shprehur Vulin.
Gjatë muajit korrik, Rumania, shtet anëtar i NATO-s, ka parandaluar dërgesën e 60 tankeve ruse dhe mjeteve tjera të armatosura, përmes Lumit Danub për në Serbi, për shkak të sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës.
Rusia në vitet e fundit ka punuar shumë për të kthyer apo për të rritur ndikimin në Evropë, në përgjithësi dhe po ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, vlerësojnë njohësit e fushës së diplomacisë.