Ndërlidhjet

Trupa e Baletit në skena ndërkombëtare, pa përkrahje institucionale


Kosovo: Interview with Ahmet Brahimaj
Kosovo: Interview with Ahmet Brahimaj

Trupa e Baletit të Kosovës punon në kushte jo të mira. Kështu ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i kësaj trupe, Ahmet Brahimaj. Ai tregon se për Trupën e Baletit nuk ka përkrahje të duhur institucionale, por sipas Brahimajt, balerinët kanë vullnet dhe nuk do të ndalen së punuari.

Radio Evropa e Lirë: Z.Brahimaj së fundmi trupa e Baletit të Kosovës ka pasur disa paraqitje në skenat e vendeve evropiane. Si është pritur atje?

Ahmet Brahimaj: Po, këtë vit e kemi filluar sezonin mirë, do të thotë i kemi pasur deri tani dy premiera dhe kemi qenë në Berlin. Kemi qenë në Hamburg, edhe tash së fundmi mbrëmë jemi kthyer nga Parisi. Do të thotë i kemi pasur në Gjermani shtatë shfaqje, dhe në Paris tre. Mendoj që baleti jonë e ka arritur një nivel të duhur artistik, edhe në njohuri profesionale. Kështu që jemi pritur jashtëzakonisht mirë në Gjermani me një shfaqje tjetër, do të thotë kemi qenë me dy shfaqje të ndryshme në Paris dhe në Gjermani. Publik kemi pasur mjaftueshëm, brohoritje, duartrokitje do të thotë njerëzit kanë dalë pas shfaqjes dhe na kanë uruar dhe na kanë përgëzuar për suksesin që kemi arritur si trupë.

Gjithashtu edhe në Paris, e ka organizuar ambasada jonë atje që mund të ju falënderohemi. Mirëpo kryesorja është se tri shfaqjet që i kemi pasur, tri mbrëmje, kanë shkuar shumë mirë dhe kemi pas rreth 600 shikues, e që nuk janë pak.

Radio Evropa e Lirë: A keni arritur që të siguroni bashkëpunim me trupat tjera të baletit në botë, por edhe me koreografë të huaj, të cilët mund të angazhohen në shfaqje të caktuara të Baletit Kombëtar të Kosovës?

Ahmet Brahimaj: Po, ne kemi shkuar gjithmonë në këtë drejtim do të thotë që të kemi sa më shumë bashkëpunime ndërkombëtare dhe me shumë koreografë botërorë. Ne tash do të shkojmë me 1 korrik do të jemi në Bullgari, në festival. Në tetor do të jemi në Finlandë. Në shtator do të kemi një koreograf nga Amerika, në dhjetor e kemi premierën e fundit për këtë vit të cilën do ta bën balerini Sinan Kajtazi, me muzikë, me të gjitha, me libreto me të gjitha i ka përgatitur vetë. Kështu që, ne kemi bashkëpunime me shumë koreografë botërorë dhe kemi miqësi jashtëzakonisht të madhe. Kemi formuar një rrjet të bashkëpunëtorëve.

Kemi oferta çdo ditë nga koreograf të rinj të cilët e përcjellin, të cilët kanë dëshirë të punojnë me ne sepse na çmojnë si trupë shumë serioze me nivel edhe artistik edhe teknik. Por, edhe me një modesti e cila që ndoshta në ndonjë trupë tjetër mungon. Do të thotë e kemi një gjeneratë të shkëlqyeshme e cila e bën punën me vullnet dhe janë shumë modest në bashkëpunim me koreografët. Bashkëpunim me koreografë kemi nga Kuba e deri në Azi, koreografë që kemi bashkëpunuar me ta pra, deri në Afrikë të Jugut.

Radio Evropa e Lirë: Gjatë këtij viti, cilat janë angazhimet që e presin Baletin Kombëtar të Kosovës?

Ahmet Brahimaj: Po ne tashmë i kemi pasur dy premiera edhe i kemi edhe dy deri në fund të vitit. Një bashkëpunim ndërkombëtar, dy balerinë tanë do të shkojnë në Gratz të Austrisë, janë të ftuar.

Pra katër premiera. Por, ne po përpiqemi që të jemi sa më aktiv në skenë edhe tonën edhe jashtë. Tash do të shkojnë një çift balerinësh dhe ata do ta kenë një premierë në Gratz një në Ljubljanë dhe në shtator do të jetë premiera në Prishtinë. Me siguri që edhe me Tiranën kemi pasur bashkëpunim të mirë sa ishte Ilir Kerni drejtor.

Me Shkupin kemi bashkëpunime do të thotë edhe kemi lëvizur në të gjitha qendrat shqiptare të Shkupit, Maqedonisë. Megjithëse ne në Kosovë kemi problem me teatro, janë teatrot edhe të vogël dhe nuk funksionojnë sa duhet, do të thotë dimrit nuk kanë ngrohje, verës nuk kanë organizim, por sa herë që na kanë ftuar kemi qenë të gatshëm dhe kemi shkuar edhe brenda Kosovës si në në Pejë, Prizren, Gjakovë, Gjilan kemi qenë në Skenderaj, në Mitrovicë shumë herë kemi qenë. Është një aktivitet i Trupës së Baletit, është për t’u lavdëruar.

Radio Evropa e Lirë: Komuniteti i artistëve të Kosovës në vazhdimësi kanë dhënë vërejtje për investime jo të bollshme në fushën e artit e kulturës. Në këtë pikë, si qëndron situata me baletin?

Ahmet Brahimaj: Baleti është art i cili punohet në rini dhe e ka stazhin e beneficuar. Në qoftë se ti i pret kushtet që të na i krijojë shteti jonë, i cili nuk merret fort me kulturë, i cili nuk e ka prioritet kulturën, atëherë faktikisht ju kalon shumë shpejtë karriera. Ne jemi shumë të vetëdijshëm se ku po jetojmë dhe kush po na udhëheq, prandaj jemi kompakt që të punojmë dhe mos t’i presim kushtet. Mos t’i presim kushtet, as të rrogave as të buxhetit për shfaqje as të ambientit ku punojmë.

Ne punojmë në podrum, e kemi një sallë në podrum të teatrit e cila nuk ka dritë, ajrin e ka të papastër, zhveshtoret janë katastrofë. Skena është e vogël për balet, kemi problem se ku t’i lëmë kostumet, kemi problem se ku ta lëmë skenografinë. Por, problemi kryesor është se skena është shumë e vogël për balet, edhe për tjerat por sidomos për balet. Teatri i vjetër i cili nuk i plotëson kushtet. Por, duke e llogaritur se deri sa të kthjellet politika jonë derisa t’i kthehet vetvetes, t’i kthehet shkollimit të kuadrove, këtyre të rinjve iu ikë koha. Unë iu kam preferuar gjithmonë, iu kam thënë mos prisni se nesër e mbaroni karrierën.

Prandaj, në këto kushte në këto mundësi që i kemi jepeni maksimumin dhe faktikisht e japin maksimumin. Ju e keni parë që asnjëherë nuk kemi bërë grevë, asnjëherë nuk e kemi anuluar asnjë provë, asnjëherë për asnjë kusht. Lërë më për shfaqje, kurrë nuk i kemi anuluar.

Prandaj unë mund të them lirisht që e kemi një gjeneratë e cila ka vlera edhe artistike edhe njerëzore edhe etike edhe morale, edhe çdo gjë. Prandaj është gjynah që këta nuk përkrahen sa duhet nga shteti jonë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG