Ndërlidhjet

Trump largon edhe McMasterin


H. R. McMaster
H. R. McMaster

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e zëvendësoi këshilltarin për siguri kombëtare, H.R. McMaster, me ish-të dërguarin e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, John Bolton.

Përmes një postimi në Twitter, Trump tha se e falënderon gjeneralin McMaster për shërbimin dhe se ai ka bërë një “punë të shkëlqyeshme”.

McMaster është largimi i fundit i një figure të lartë nga Shtëpia e Bardhë.

Javën e kaluar, Trump ka shkarkuar sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson, po ashtu duke njoftuar në Twitter, dhe e ka zëvendësuar atë me drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo.

Bolton do të marrë detyrën më 4 prill. Ai do të jetë këshilltari i tretë për siguri kombëtare i Trumpit në 14 muajt e administratës së tij.

Bolton, 69 vjeç, ka shërbyer në administratat e Ronald Reaganit, George Bushit të vjetër dhe George Bushit të ri.

Ai ka ndihmuar në ndërtimin e rastit kundër Saddam Husseinit, duke thënë se ish-diktatori irakian ka poseduar armë të shkatërrimit në masë, por kjo teori ka dalë më pas e gabuar.

Bolton vazhdon të mbështesë pushtimin e Irakut dhe i ka bërë thirrje SHBA-së të sulmojë Iranin dhe Korenë e Veriut.

“Bolton, për kohë të gjatë, ka mbështetur ndryshimin e regjimit në Korenë e Veriut dhe lidhje më të afërta me Tajvanin. Lidhni rripat e sigurisë”, ka thënë për agjencinë Reuters Bonnie Glaser, ekspert për Azinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në Uashington.

Shkarkimi në Twitter që shkundi botën
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:08:41 0:00

Me një deklaratë të shkurtër, gjenerali McMaster e falënderoi presidentin Trump dhe tha se do të aplikojë për pensionim nga ushtria amerikane, këtë verë.

McMaster është angazhuar në presidencën Trump për të zëvendësuar Michael Flynnin, i cili është shkarkuar nga posti i këshilltarit për siguri kombëtare në shkurt të vitit të kaluar, për shkak të keqinformimit të administratës për kontaktet e tij me zyrtarët rusë.

Njoftimi për zëvendësimin e McMasterit erdhi një ditë pasi Trump u shpreh i zemëruar me rrjedhjen e informacioneve nga presidenca e tij, sipas të cilave, ai është këshilluar në mënyrë specifike që të mos e përgëzojë presidentin rus, Vladimir Putin, për rizgjedhjen e tij të diskutueshme.

Emërimi i Boltonit nuk kërkon konfirmim nga Senati i Shteteve të Bashkuara.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG