Ndërlidhjet

Ukraina del përfundimisht nga “Perandoria Ruse”


Ceremonia simbolike e "hapjes së dyerve drejt BE-së"
Ceremonia simbolike e "hapjes së dyerve drejt BE-së"

Ukrainasit festuan ditën e parë të udhëtimit pa viza në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian.

“Vendi ynë ka dalë përfundimisht nga Perandoria Ruse”, tha presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko.

Ukrainasit, që kanë pasaporta biometrike, do të mund të hyjnë pa viza në të gjitha shtetet e BE-së, përveç Irlandës dhe Britanisë, dhe do të mund të qëndrojnë deri në 90 ditë në një periudhë 180 ditëshe.

Regjimi pa viza iu vlen edhe për Norvegjinë, Islandën, Lihtenshtajnin dhe Zvicrën.

Poroshenko takoi homologun sllovak, Andrej Kiska, në kufirin Ukrainë-Sllovaki, për të hapur “derën simbolike të BE-së”.

“E kemi pritur kohë të gjatë këtë ditë”, tha Poroshenko në vendkalimin kufitar Uzhgorod.

Mijëra njerëz nga Ukraina kanë kaluar kufirin me vendet e BE-së deri në mesditën e së dielës, tha Ministria e Jashtme në Kiev.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, duke urar Ukrainën për liberalizimin e vizave, tha se kjo është “një ditë për t’u mbajtur në mend”. “Udhëtimi pa viza për ukrainasit tani është realitet”, shkroi Tusk në Twitter.

Në një video-adresim, komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, tha se udhëtimi pa viza është arritur pas një procesi të gjatë të reformave.

“Të nderuar qytetarë të Ukrainës, ju përgëzoj ju dhe vendin tuaj për liberalizimin e vizave. Ka qenë një proces i gjatë, por reformat janë shpaguar. Ky është një moment historik që tregon se Bashkimi Evropian i mban premtimet”, tha Hahn.

Paraardhësi i Poroshenkos, Viktor Yanukovych, është përmbysur nga pushteti në vitin 2014, si pasojë e protestave masive pro-evropiane.

Protestuesit janë ngritur pasi Yanukovych ka hequr dorë nga një marrëveshje për forcimin e marrëdhënieve me BE-në, në favor të përafrimit me Rusinë.

Rusia, pas përmbysjes së Yanukovychit, ka aneksuar rajonin e Krimesë nga Ukraina dhe ka nxitur një luftë separatiste në lindje të Ukrainës.

Pjesa më e madhe e Ukrainës së sotme ka qenë pjesë e Perandorisë Ruse duke filluar nga shekulli 17. Ukraina po ashtu ka qenë nën kontrollin e Moskës si republikë sovjetike, gjatë pjesës më të madhe të shekullit 20. Ukraina është pavarësuar pas shpërbërjes sovjetike në vitin 1991.

Ukraina ka kërkuar udhëtimin pa viza në BE për rreth një dekadë, por vetëm në dhjetor të vitit 2015, Komisioni Evropian ka raportuar se ky vend i ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme, si menaxhimi i kufirit dhe siguria e pasaportave.

Dokumenti për liberalizim vizash është nënshkruar më 17 maj në Strasburg nga përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG