Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Radios Evropa e Lirë se ‘pajtohet me zyrtarët e lartë amerikanë për krijimin e Forcës së Armatosur të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese’.
Thaëi tha se transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura “duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës vendor dhe i partneritetit të gjithëmbarshëm ndërkombëtarë, në veçanti SHBA-së dhe NATO-s”.
Ai tha se do ta nisë dhe udhëheqë një proces të diskutimeve me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës “për të shteruar të gjitha mundësitë e koordinimit me ta për krijimin e Ushtrisë së Kosovës”.
Në intervistë me Radion Evropa e Lirë, presidenti Thaçi tha se asgjë “nuk mund ta bllokojë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, meqë siç tha “është një e drejtë e patjetërsueshme e qytetarëve të Kosovës dhe e institucioneve të një vendi të pavarur dhe sovran”.
Në intervistë presidenti Thaçi flet edhe për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë dhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale serbe edhe në territorin e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Zoti President, zyrtarët amerikanë që kanë vizituar Kosovën kanë shprehur shqetësimin e Washingtonit zyrtar lidhur me procesin e transformimit të FSK-së me ligj. Ata kanë thënë se e përkrahin transformimin por vetëm me ndryshimet kushtetuese në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent. A është kjo temë tani ‘jashtë tavolinës’ kur flasim për transformimin me ligj?
Hashim Thaçi: Ideja për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është ide e sotme, është në kuadër të projektit për rishikimin e sektorit të sigurisë. Ndërsa, ne kemi pajtueshmëri të plotë si Kosovë me SHBA-në dhe NATO-n që nga fillimi i vitit 2014 për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Unë edhe dje jam takuar me zotin Hoyt Yee gjithashtu edhe me ambasadorin e SHBA-së zotin Delawie. Ajo që është me shumë rëndësi është se kemi qëllimin e njëjtë, objektiven e njëjtë që Kosova të ketë Forcat e veta të Armatosura, të jetë një proces gradual, gjithëpërfshirës, me praninë e të gjitha komuniteteve, përfshirë këtu edhe serbët.
Ata janë të përfshirë edhe tani, por jemi që të marrin rol edhe më aktiv që të kemi Forca të Armatosura të Kosovës si Forcë multietnike, e standardeve të NATO-s. Dakordohemi plotësisht që ky proces të ndodh përmes ndryshimeve kushtetuese. Tani edhe koha që ka mbetur është një mundësi e re, në veçanti pas kthimit të Lista Sërpska në institucionet e Kosovës, që të diskutojmë me ta, t’i dëgjojmë sërish shqetësimet në mënyrën më serioze të mundshme, vullnetin e tyre dhe që të gjithë të jenë pjesë e këtij procesi, pra gjithëpërfshirës vendor dhe partneritetit të gjithëmbarshëm ndërkombëtarë në veçanti të SHBA-së dhe NATO-s.
Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se ngadalë duhet të bëhen përpjekje për ndryshime kushtetuese për transforimimin…
Hashim Thaçi: Definitivisht, ne jemi gati të nisim këto ndryshime kushtetuese. Do të vazhdojmë në ditët dhe javët e ardhshme me komunitetin serb të flasim me Lista Sërpska dhe me të gjitha komunitetet e tjera, që të jetë një proces i koordinuar dhe mirë i organizuar. Unë nuk besoj se dikush mund të rezistojë, kësaj të drejte të institucioneve të Kosovës për themelimin e ushtrisë, deri në pafundësi apo të pretendojë të vë veto sepse askush nuk ka veto. Ne duam që të themelojmë ushtri të Kosovës për të qenë pjesë e integruar në NATO dhe jo ushtri të Kosovës për të qenë e izoluar. Prandaj do të punojmë gjithanshëm edhe në rrafshin koordinues vendor me të gjithë por edhe në rrafshin ndërkombëtar që të jetë një angazhim i pranueshëm nga të gjithë dhe i mirëpritur nga të gjithë.
Radio Evropa e Lirë: Por a ka Lista Serbe ndonjë kusht që t’I japin mbështetje FSK-së?
Hashim Thaçi: Realisht deri më tani nuk kanë prezantuar ndonjë platformë se si ata do të mund të inkuadroheshin në këtë proces, apo ndonjë ide. Me përjashtim të refuzimit që e kishin të nxitur, inkurajuar dhe të urdhëruar nga Beogradi. Unë nuk dua të besoj se pas kthimit në institucione ata do të vazhdojnë të jenë refuzues në kuptimin absolut. Do ta kuptojnë se themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është i drejtuar kundër askujt përkundrazi është në shërbim të qytetarëve pa dallim etnie, do të jetë një forcë multietnike e kritereve dhe vlerave të NATO-s.
Në ditët e ardhshme planifikoj që të takohem edhe personalisht, të bisedoj me ta në mënyrën më të sinqertë dhe të përgjegjshme dhe në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të lëvizin përpara. Unë e theksoj se ne do të jemi shumë serioz në këtë proces. Ka filluar, do të përmbyllet suksesshëm, do ta themelojmë ushtrinë e Kosovës dhe do ta ruajmë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare. Me rëndësi është shumë që tani agjenda e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është më vetëm një agjendë lokale por është agjendë e nivelit më të lartë botëror që do të përfshijnë edhe SHBA-në edhe NATO-n. Ky ka qenë edhe synimi edhe qëllimi im. Është një proces i pakthyeshëm.
Radio Evropa e Lirë: E keni një plan si t’i bindni serbët, meqë kanë qenë kategorik se nuk do ta votojnë, siç thonë, kurrë ushtrinë?
Hashim Thaçi: Në politikë nuk ka kurrë, kurrë! Nuk mund të thuhet kurrë se një proces nuk mund të ndodh. Nuk ka forcë që do të mund ta bllokojë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Është një e drejt e patjetërsueshme e qytetarëve të Kosovës dhe e institucioneve të një vendi të pavarur dhe sovran. Tani hapat duhet të koordinohen që të jetë një proces inkluziv, I dëgjimit edhe të opinioneve të ndryshme dhe në të njëjtën kohë unë dua të besoj fuqishëm se serbët e kanë kuptuar që ideja jonë nuk është e drejtuar kundër askujt përkundrazi është në interesin e të gjithëve që vendi ynë të faktorizohet dhe forcohet.
Radio Evropa e Lirë: A duhet qeveria ta tërheqë ligjin?
Hashim Thaçi: Mendoj se koha që ka mbetur është e mjaftueshme që të ndodhin bisedimet e hapura me komunitetin serb, prej bartësve të institucioneve dhe e thash se do të udhëheqë vet me këtë proces të diskutimeve me ta. Do të jetë një proces plotësisht i koordinuar me qeverinë dhe Kuvendin, pasi vetë kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Mustafa kanë qenë ndër të parët që janë informuar me idenë time që nëse serbët shkojnë deri në pafundësi me propozimin për ndryshime kushtetuese atëherë Kosova ka të drejtën e vet edhe ligjore për themelimin e ushtrisë. Kështu që agjenda nuk do të ndalet.
Do të respektohen hapat e domosdoshëm. Do të shterim të gjitha mundësitë e koordinimit me serbët. Të bëjmë gjithçka që është e mundur për integrimin e tyre në proces dhe unë shpresoj dhe besoj se përvoja ime në këto vite që kam bashkëpunuar me ta më thotë se diçka e tillë është e mundshme dhe serbët do të jenë pjesë e procesit.
Radio Evropa e Lirë: Pse ky insistim tash për krijimin e ushtrisë?
Hashim Thaçi: Në fakt ne jemi vonuar. Por, duke u vonuar dhe shpresuar tema e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës sikur filloi të qitet në harresë edhe prej partnerëve tanë ndërkombëtar dhe ky ishte shqetësimi. Prandaj, ideja për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës është përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore. Është e drejtë e jona. Ne nuk themelojmë ushtri për të sulmuar asnjë vend, përkundrazi ne duam vetëm që ta kemi ushtrinë tonë, të standardeve të NATO-s, të integruar në NATO.
Natyrisht të kemi ushtrinë tonë mbrojtëse në shërbim të të gjithë njerëzve, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Kështu që ideja jonë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nuk ndërlidhet fare me zhvillimet në rajon. Kosova nuk mund të paguaj çmimin, gjoja të destabilitetit rajonal, me themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, sepse kjo është injorancë totale e vlerësimit politik prej kujtdo qoftë dhe është plotësisht e pa qëndrueshme sepse Kosova nuk është fajtore për forcimin e Rusisë në Republikën Srpska (në Bosnjë e Hercegovinë).
Kosova nuk është fajtore për fuqizimin e Rusisë në Serbi dhe sjelljen e MIG-ve (aeroplanë ushtarakë) rus atje dhe teknologjisë tjetër ushtarake dhe bazave ruse në Serbi. Gjithashtu, Kosova nuk mund të paguaj çmim për pretendimet e rrezikshme të Rusisë në Mal të Zi apo të bllokadave politike në Maqedoni. Kosova ka rrugën e vet. Ka ndërtuar raporte të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe jemi në proces të rëndësishëm të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Andaj, përkundrazi, unë mendoj se themelimi i Forcave të Armatosurat ë Kosovës e ndihmon edhe dialogun politik, e lehtëson edhe normalizimin e raporteve me Serbinë. Prandaj, mendoj që duhet kuptuar që këtë të drejtë tonën, me përjashtim të Serbisë, të gjitha vendet e rajonit e përkrahin unanimisht.
Radio Evropa e Lirë: Dje kemi parë një revoltë të qytetarëve nëpër rrugët e Kosovës, të cilët dolën të protestojnë, të bllokojnë për disa orë rrugët në shenjë kundërshtimi të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale serbe dhe fushatës zgjedhore. I shpejtë ishte edhe reagimi i Brukselit. Por, a duhet Kosova të lejojë fushatën zgjedhore të një shteti tjetër brenda territorit të saj?
Hashim Thaçi: Qeveria e Kosovës ka nxjerrë vendimin e drejtë, që kryeministri Vuçiq t’i vizitoj serbët e Kosovës. Mendoj se nga lëvizja e lirë dhe vizitat e ndërsjella nuk humb askush, përkundrazi sjellin normalitet dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Ne jemi përcaktuar që të respektojmë veprimet të cilat kanë qenë edhe më herët të qendrave të grumbullimit për votuesit serb, sepse ata kanë të drejtën e dyshtetësisë sikurse edhe të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës.
Prandaj edhe pjesëmarrja në tubime elektorale nuk do të ishte fundi i botës. Unë e kam mbështetur plotësisht vendimin e Qeverisë së Kosovës. Ndërsa kufizimi kohor është i diskutueshëm. Kurse e potencoj fuqishëm se bllokadat e rrugëve nuk janë zgjidhje. Përkundrazi ne kemi dialoguar, kemi punuar që të kemi lëvizje të lirë të njerëzve, të mallrave, të zyrtarëve, kështu që është diçka plotësisht e papranueshme që rrugët të bllokohen.
Radio Evropa e Lirë: A është dakorduar Kosova në Bruksel për këto vizita, siç thuhej në qëndrimet e djeshme të BE-së?
Hashim Thaçi: Këto çështje nuk diskutohen në Bruksel. Por, mendoj se ky është definitivisht vendim autonom i vendeve tona, sepse jemi të pavarura e sovrane. Kryeministri Vuçiq ka paraqitur kërkesën e rregullt institucioneve të Republikës së Kosovës, që në një formë a tjetrën është edhe njohje për shtetin e Kosovës. Kështu që mendoj se gjithçka ka qenë në suaza të praktikave të mëhershme. Nuk ka pasur ndonjë risi.
Radio Evropa e Lirë: Por, Vuçiq nuk erdhi. Tha se nuk i pranon kushtëzimet e Prishtinës?
Hashim Thaçi: Është vendimi i tij, mendoj përsëri që kushtëzimi kohor për mua ka qenë i diskutueshëm, sepse tek e fundit, si tri orë si pesë orë, njësoj.
Radio Evropa e Lirë: Sa keni informata, a do të mbahen zgjedhjet serbe të dielën në Kosovë?
Hashim Thaçi: Tani është në autoritetin e institucioneve përkatëse të sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet e OSBE-së. Kështu që gjithçka do të jetë në suazat e praktikave të mëhershme.
Radio Evropa e Lirë: Tani, meqë serbët janë kthyer në Kuvendin dhe institucionet e Kosovës. A mund të pritet fillimi i punës për krijimin e Asociacionit dhe a jeni në dijeni nëse ata do të përkrahin demarkacionin, apo edhe ushtrinë në një pako, bashkë?
Hashim Thaçi: Kosova është vonuar me themelimin e Asociacionit, në veçanti pas opinionit të Gjykatës Kushtetuese. Duhet të filloj sa më shpejt hartimi i statutit të këtij Asociacioni. Ndërsa sa i përket demarkacionit, mendoj që të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se pa kalimin e këtij kushti, si i vetmi për liberalizimin e vizave, Bashkimi Evropian nuk ndryshon qëndrim dhe qytetarët e Kosovës do të mbeten të izoluar. Prandaj, mendoj që rikthimi i serbëve është një mundësi e mirë që të punohet drejt një votimi në Kuvend. Kjo do të ishte e shëndetshme për shoqërinë kosovare, për konsolidimin e shtetit tonë dhe të drejtën për lëvizje të lirë të qytetarëve. Në të kundërtën, duke mos themeluar Asociacionin, duke mos kaluar demarkacionin, duke mos e fituar të drejtën për liberalizim të vizave, do të mbetemi si vend, si shoqëri, si shtet të bllokuar, padrejtësisht, por edhe me fajin tonë.
Radio Evropa e Lirë: Prisni të hapet debati rreth këtyre çështjeve në Kuvend?
Hashim Thaçi: Mendoj që debati ka përfunduar tash e tri vite kurse ne sillemi në një vend duke diskutuar, debatuar këto tri çështje. Kosova duhet t’i jap drejtim vetvetes. Dëshiron drejtimin e duhur apo dëshiron një vendnumërim edhe në të ardhmen. Nuk guxojmë të lejojmë vendnumërim. Duhet të marrim vendime përkatëse – jemi të gatshëm t’i kalojmë këto sfida apo duhet të ndodhë një fillim i ri.
Radio Evropa e Lirë: Nëse nuk kalojnë këto sfida, a janë zgjedhjet zgjidhje?
Hashim Thaçi: Kjo çështje u takon partive politike. Unë si president i vendit do të respektoj kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, do të thotë për zgjedhjet e rregullta, por nëse ka marrëveshje politik mes spektrit politik, atëherë unë do të respektoj vullnetin e tyre. (REL)