Ndërlidhjet

Maqedoni: Prokuroria Speciale nis hetime të reja kundër zyrtarëve


Ilustrim
Ilustrim

Prokuroria Publike Speciale ka njoftuar nisjen e katër hetimeve të reja për shpërdorim detyre të zyrtarëve në pozita të ndryshme në shtet, të cilat siç thuhet, në forma të ndryshme kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në qindra mijëra euro.

Prokurorja speciale, Katica Janeva, tha se materialet mbi shpërdorimin e pushtetit janë siguruar përmes materialeve të besueshme, por edhe dëshmive verbale, se si këta persona kanë bërë larjen e parave të cilat në mënyrë të paligjshme kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve të pushtetit.

Dy rastet e para të koduara “Tabla” dhe “Trista” kanë të bëjnë me shpërdorim të detyrës zyrtare ku në mesin e të dyshuarve është edhe një ish ndihmës ministër i Punëve të Brendshme, ndërsa dy rastet e tjera të koduara si “Total” dhe “Tifani” kanë të bëjnë me fshehjen e tatimit ndërsa në shenjtër ka edhe disa gazetar të afërt me partinë e Gruevskit, VMRO DPMNE-në.

Në interes të hetimit dhe kompletimit të hetimeve nga Prokuroria Speciale, nuk kanë publikuar identitetin e të akuzuarve si dhe shumën e plotë të parave të keqpërdorura.

“Në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015, drejtoria e të hyrave publike dhe Ministria e Financave, jo vetëm që nuk kanë kryer obligimet e tyre ligjore, por përkundrazi kanë lejuar që individë dhe Ministri të tjera të punojnë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi duke i lejuar atyre të pasurohen në dëm të buxhetit të shtetit”, ka deklaruar prokurorja Katica Janeva, duke i ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me këtë institucion për nxjerrjen para drejtësisë të të gjithë zyrtarëve dhe personave të tjerë që mund të kenë keqpërdorur pozitën zyrtare.

“Të gjitha këto shpërdorime tatimore dhe shkeljet e ligjit për furnizime publike reflektohen në mënyrë direkte në standardin e varfër të qytetarëve dhe shërbimet financiare në të cilat jetojnë shumica e qytetarëve të vendit”, u shpreha Janeva.

Prokuroria Speciale ka hedhur poshtë pretendimet se me hetimet e reja ka për qëllim pengimet e punës së mediave për faktin se në mesin e të dyshuarve për fshehje tatimi dhe falsifikim dokumentesh janë edhe disa gazetarë të një medie të artë me pushtetin, prokurorja Lençe Risteva, tha se pretendimet e tilla aspak nuk qëndrojnë pasi qëllimi i prokurorisë është zbardhja e çdo rasti që ka të bëjë me shkeljet ligjore.

“Prokuroria Publike Speciale si institucion profesional dhe me përgjegjësi të lartë punon në interes të qytetarëve të Maqedonisë duke respektuar të gjitha ligjet që janë në fuqi. Duam të sqarojmë se për momentin asnjë media nuk është duke u hetuar nga prokuroria speciale që të thuhet se ne po bëjmë presione mbi punën e tyre".

"Nëse persona të caktuar në një farë mënyre janë të lidhur me media të caktuara dhe nga ana tjetër kanë bërë shkelje ligjore apo vepra penale, kuptohet se në interesin tonë, por të të gjithëve është që të vërtetojnë nëse veprat e tilla janë bërë që të mund të iniciojmë përgjegjësi për personat e tillë. Por, ne i hedhim poshtë të gjitha pohimet se gjoja po bëjmë presione mbi punën e mediave”, deklaroi prokurorja Lençe Risteva.

Prokuroria Speciale gjatë funksionimit të saj një vit e gjysmë ka ngritur hetime dhe akuza ndaj më shumë se 50 zyrtarëve të lartë shtetëror përfshirë në mesin e të cilëve është edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski, ministra si dhe shumë drejtorë e funksionar tjerë të lartë kryesisht nga partia VMRO- DPMNE. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG