Këtu e përfundojmë mbulimin e drejtpërdrejtë të inaugurimit të presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Faleminderit që na ndoqët!
Familja Trump ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa parada përuruese është drejt fundit.
Liderët botërorë shpresojnë në bashkëpinim me administratën Trump
Udhëheqës botërorë kanë uruar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pas inaugurimit të tij më 20 janar.
Ata kanë shprehur dëshirën për të punuar me administratën e tij, ndërsa disa liderë perëndimorë kanë bërë thirrje për vazhdim të bashkëpunimit në çështjet e sigurisë.
Kryeministrja britanike, Theresa May, duke folur për gazetën Financial Times, tha se mendon se Trump "e njeh rëndësinë e NATO-s", pavarësisht kritikave për aleancën ushtarake perëndimore.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, uroi Trumpin dhe tha se "fuqia e NATO-s është sa e mirë për Shtetet e Bashkuara, aq edhe për Evropën".
Kryeministri rus, Dmitry Medvedev, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, shprehën optimizëm për marrëdhëniet me administratën Trump, duke thënë se Rusia është e gatshme të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve me Uashingtonin.
Papa Françesku tha se Trump duhet t'i shfrytëzojë vlerat etike si udhëzuese.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, dhe presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, me postime në Twitter, kanë uruar Trumpin dhe kanë shfaqur shpresën për bashkëpunim me administratën e tij.
Trump: Kam shumë respekt për Bill e Hillary Clinton
Presidenti amerikan, Donald Trump ka falënderuar ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-sekretaren Hillary Clinton të cilët morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit.
“Nuk dua të them më shumë, sepse kam shumë respekt për këta dy njerëz, andaj ju falënderoj që ishit sot këtu”, ka thënë Trump.