Ndërlidhjet

Ndotja e ajrit rrit vdekshmërinë te fëmijët


Ndotja e ajrit në Maqedoni po merr përmasa shqetësuese për shëndetin e njerëzve, para së gjithash të fëmijëve. Çdo i dyti fëmijë që ka kërkuar ndihmën mjekësore është diagnostikuar me probleme të frymëmarrjes. Kjo situatë është e pranishme vite më radhë, por kulmi ka arritur në dy-tre vitet e fundit, bazuar në të dhënat jo vetëm të institucioneve shëndetësore të vendit, por edhe të organizatave ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, nga ndotja e ajrit në Maqedoni vdesin 1.350 njerëz në vit, ndërsa ekonomia e saj pëson dëme deri në 235 milionë euro, si rezultat i vdekjeve të hershme, shpenzimeve për shëndetësi, uljes së produktivitetit dhe mungesës në vendet e punës.

Shkupi dhe Tetova janë dy qytetet më të ndotura ku prania e grimcave të ngurta helmuese që qëndrojnë në ajër, të njohura si MP10, është mbi dhjetë herë mbi normat e lejuara.

Gjendja rëndohet në periudhën e dimrit kur edhe nis sezoni i ngrohjes, ndërsa si shkaktar paraqiten edhe kompanitë prodhuese, kombinatet metalurgjike që nuk i plotësojnë standardet ekologjike, makinat e shumta, e të tjerë.

“Ndotja e ajrit më së shumti godet fëmijët, për shkak se organizmi i tyre është në zhvillim e sipër, për shkak të frymëmarrjes më të shpeshtë në krahasim me të rriturit, andaj edhe më shumë janë të ekspozuar ndaj rrezikut kryesisht te mushkëritë apo organet e frymëmarrjes”, thotë Dragan Gjorgjiev, nga Instituti i Shëndetit Publik.

Analizat e këtij instituti tregojnë se rreth 50 për qind e fëmijëve të moshës deri në 6 vjet, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, kanë pasur pikërisht probleme me frymëmarrjen.

Edhe shoqatat ekologjike kanë alarmuar në vazhdimësi për gjendjen e rëndë dhe pasojat në rritje nga ndotja e ajrit.

“Në Tetovë, por edhe në vende tjera në Maqedoni, numri i fëmijëve që vuajnë nga problemet e frymëmarrjes, është rritur shumë. Autoritetet nuk po bëjnë sa duhet dhe nuk po e marrin seriozisht këtë gjendje”.

Vlerësoj se ata duhet të bëjnë gjithçka, jo vetëm për të minimizuar, por edhe për të eliminuar ndotjen e ajrit pasi jo vetëm që i kushton shëndetit të fëmijëve, por edhe kostoja ekonomike nga kjo gjendje është e madhe”, thotë Arianit Xhaferi nga shoqata ekologjike “Eco Guerila”, e cila ka organizuar protesta të shumta kundër ndotjes së ajrit, në veçanti për mbylljen e një kombinati metalurgjik në Tetovë, që llogaritet si ndotësi më i madh i ajrit në këtë qytet dhe më gjerë.

Ky kombinat është mbyllur para një jave, por përkohësisht deri në plotësimin e kushteve ekologjike. Nga Ministria e Ekologjisë kanë thënë se masa është ndërmarrë për shkak të mospërmbushjes së kritereve për mbrojtjen e popullatës nga ndotja e ajrit.

Vendime të tilla paralajmërojnë edhe në të ardhmen, ndërsa si faktorë apostrofojnë edhe komunikacionin e dendur me automjete, ngrohjen e dru dhe lëndë tjera djegëse gjatë sezonit të dimrit.

Nga Instituti i Shëndetit Publik, thonë se masat duhet kundër ndotjes së ajrit duhet të jenë gjithëpërfshirëse.

“Pa sigurimin e një ambient krejtësisht të pastër fëmijët, por edhe të rriturit gjithmonë do të jenë të ekspozuar nga rreziku i ndotjes së ajrit. Nuk do të ndihmojnë aspak masat parandaluese mjekësore, mund të jepen terapi të ndryshme, por ato vetëm përkohësisht do të ndihmojnë, pra duhet angazhim maksimal për sigurimin e një ambienti të pastër”, thekson Gjorgjiev nga Instituti i Shëndetit Publik.

Shoqatat joqeveritare nga ana tjetër, thonë se nuk do t’i ndalin aktivitetet e tyre kundër ndotjes së ajrit deri në sigurimin e një ambient të pastër.

“Qëllimi ynë është shumë i pastër, duam ajër për fëmijët tanë, duam ajër për ardhmërinë tonë, nuk duam ajër për vetveten, sepse nuk mund të lejojnë që edhe më tej të ngulfatemi në këtë qytet”, ka deklaruar Igballe Ferati nga shoqata ekologjike “Nëna dhe Fëmija”.(REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG