AP sjell edhe disa rezultate...
Agjencia e lajmeve Associated Press raporton se kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton, ka fituar në shtetet: Delauer, Merilend, Masaçusets, Nju Xhërsi dhe Distrikti i Kolumbisë.
Në anën tjetër, kandidati republikan, Donald Trump, ka fituar në Misisipi dhe Oklahoma.
Clinton del para Trumpit në numërimin e Kolegjit Zgjedhor
Kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton, kryeson në numërimin e Kolegjit Zgjedhor.
Clinton ka fituar disa shtete verilindore, të cilat e kanë nxjerrë në epërsi përballë rivalit republikan, Donald Trump.
Trump ka shënuar fitore në Kentaki, Indiana, Karolinën e Jugut dhe Oklahoma, por të dyja fushatat janë duke pritur me padurim numërimin e votave në shtetet me popullsi më të mëdha, që ofrojnë po ashtu më shumë vota të domosdoshme elektorale.
Shtetet që duhet të fitohen përfshijnë Floridën, Ohajon dhe Karolinën e Veriut.
Republikanët parashihet se do të dominojnë Dhomën e Përfaqësuesve
Parashikimet e dy rrjeteve televizive në SHBA tregojnë se Partia Republikane do të vazhdojë të mbajë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Duke u thirrur në rezultatet e hershme të zgjedhjeve të 8 nëntorit, NBC dhe ABC thonë se republikanët do të mbajnë së paku 218 ulëse nga 435 sa janë gjithsej.
Republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve që gjashtë vjet.
Trump në avantazh të konsiderueshëm
Kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton, ka fituar në Nju Jork, por rivali i saj republikan, Donald Trump, ka kapur Teksasin, i cili i ka dhënë një avantazh të konsiderueshëm në Kolegjin Zgjedhor.
Pas mbylljes së vendvotimeve në shtetet qendrore, lindore dhe jugore, fitoret e parashikuara për Trumpin i japin atij udhëheqje solide në votën popullore dhe në numërimin e Kolegjit Zgjedhor.
Të dyja fushatat po presin me ankth rezultatet në shtetet e cilësuara si fushëbeteja: Pensilvani, Karolina e Veriut dhe Ohajo.
Analistët po vëzhgojnë nga afër edhe Floridën.
Virxhinia gjithashtu duket se është e prirë kah republikanët, çfarë do të ishte një goditje e madhe për Clintonin.