Obama: Thirrje për unitet, pavarësisht rezultatit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, u bëri thirrje amerikanëve që të mbeten të bashkuar, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të 8 nëntorit.
Zgjedhjet kanë qenë rraskapitëse, të vështira dhe nganjëherë të çuditshme, tha Obama në një video që ueb-faqja amerikane Buzzfeed ka postuar në Twitter.
"Pa marrë parasysh se çfarë ndodh, dielli do të lindë në mëngjes dhe Amerika prapë do të jetë vendi më i madh në Tokë", tha Obama.
Ai shtoi se qytetarët nuk duhet ta konsiderojnë veten demokratë ose republikanë, por amerikanë.
Trump forcon epërsinë ndaj Clintonit
Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, ka forcuar epërsinë e tij në Kolegjin Zgjedhor.
Trump ka fituar shtete të mëdha si Teksasi dhe disa shtete jugore dhe qendrore.
Kandidatja demokrate, Hillary Clinton, ka fituar në Nju Jork, në Illinois dhe në shumicën e shteteve verilindore, por mbetet prapa Trumpit në garën për 270 votat e nevojshme nga Kolegji Zgjedhor.
Të dyja fushatat po presin me ankth Pensilvaninë, Karolinën e Veriut, Floridën, Virxhinian dhe Ohajon.
Dyzet milionë postime për zgjedhjet në Twitter
Twitter ka raportuar 40 milionë postime, vetëm më 8 nëntor, të cilat lidhen me zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara.
Për krahasim, në ditën e zgjedhjeve më 2012, janë bërë 31 milionë postime.
Tërbohen tregjet, dollari dhe nafta
Tregjet globale të aksioneve dhe dollari amerikan kanë shkuar në rënie të lirë, pasi kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, kryeson garën për Shtëpinë e Bardhë.
Aksionet e Tokios kanë rënë për gati 5 përqind më 9 nëntor, ndërsa indekset e Hong Kongut dhe Seulit për 3.3 përqind, respektivisht 2.8 përqind.
Indeksi Wall Street, ndërkaq, ka rënë për 3 përqind.
Dollari amerikan po ashtu ka rënë kundrejt jenit dhe euros.
Çmimet e naftës gjithashtu kanë rënë për më shumë se 4 përqind, në 43.17 dollarë për fuçi.
Shumica e tregjeve kanë favorizuar kandidaten demokrate, Hillary Clinton, përballë Trumpit, pasi investitorët i kanë parë politikat e saj si vazhdim i "status quo"-së që ka krijuar presidenti Barack Obama.