TV-të amerikane: Trump siguron dy shtete, Clinton një
Disa rrjete televizive amerikane raportojnë se kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, ka fituar në shtetet Kentaki dhe Indiana, ndërsa kandidatja demokrate, Hillary Clinton, ka fituar në Vermont.
Trump dhe Clinton: Votoni!
Qendrat e votimit janë mbyllur tashmë në disa shtete amerikane, por kandidatët për president vazhdojnë t'iu bëjnë thirrje votuesve që të votojnë.
"Ka ende kohë", ka shkruar republikani Donald Trump në Twitter.
"Dita e votimeve gati po mbaron. Mos prisni, votoni tani", ka shkruar demokratja Hillary Clinton po ashtu në Twitter.
Në Floridë, njërin nga shtetet më të rëndësishme, kanë votuar rreth 70 përqind e votuesve.
Nis mbyllja e vendvotimeve në SHBA
Në Shtetet e Bashkuara kanë nisur të mbyllen vendvotimet për zgjedhjet presidenciale.
Shtetet Indiana dhe Kentaki kanë qenë të parat që i kanë kryer votimet.
Procesi zgjedhor shpejt do të përfundojë edhe në Virxhinia, Karolinën e Veriut dhe Ohajo.
Më pas, vëzhguesit thonë se mund të ketë të dhëna fillestare për fituesin e mundshëm.
Kandidati republikan, Donald Trump, sërish ka ngritur mundësinë e mospranimit të rezultateve nëse nuk janë në favor të tij, duke thënë se ka parë raporte për parregullsi në votime.
Biden: Votojmë për brezat e ardhshëm
"Nuk votojmë vetëm për veten tonë. Votojmë për fëmijët tanë, nipërit dhe brezat e ardhshëm", ka shkruar nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në Twitter.
Biden, një kohë, është përfolur se do të kandidojë për president, por ai nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë.