Ndërlidhjet

Marrëdhëniet SHBA-Rusi kanë ndryshuar, pavarësisht fituesit të zgjedhjeve


Ilustrim(©Shutterstock)
Ilustrim(©Shutterstock)

Në janar të vitit 2013, pak para se ta lironte pozitën e sekretares së Shtetit në administratën e presidentit Barack Obama, Hillary Clinton ofroi këshilla të pjesshme për shefin e saj rreth lidhjeve me Rusinë.

“Në kohë të zymta e këshillova Presidentin se ditë të vështira na presin përpara dhe se marrëdhënia jonë me Moskën mund të përshkallëzohet përpara se të përmirësohet”, ka kujtuar Clinton në memoaret e saj të publikuara një vit më vonë.

Kishte të drejtë: lidhjet SHBA-Rusi u përkeqësuan shpejt - dhe është e paqartë se kur mund të përmirësohen.

Clinton mund të hyjë në Shtëpinë e Bardhë nga muaji janar, nëse shumica e sondazheve janë të vërteta.

Por, edhe nëse rivali i saj republikan, Donald Trump, fiton, pas 8 nëntorit do të jetë gjithashtu e vërtetë se: marrëdhëniet me Rusinë kanë ndryshuar fundamentalisht.

Tani, sikur edhe gjatë Luftës së Ftohtë, Moska është prapë në krye ose afër kreut të agjendës së politikës së jashtme të SHBA-së.

“Ne jemi në një nivel edhe më të ulët të marrëdhënieve se sa ishin për një kohë të gjatë”, tha Thomas Graham, ish-ekspert për Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së George Bushit në vitet 2000.

Mosmarrëveshja më e thellë erdhi më 2014 kur Rusia iu kundërpërgjigj humbjes së presidentit miqësor të Moskës në Ukrainë, duke pushtuar Gadishullin Krime dhe duke mbështetur separatistët, lufta e të cilëve kundër Kijevit vazhdon, pavarësisht marrëveshjeve për armëpushim.

Dhe, Moska ka ndihmuar presidentin Bashar al Assad në luftën civile në Siri, duke provuar që të parandalojë rrëzimin e tij, përmes sfidimit të ndikimit të SHBA-së dhe rritjes së kontrollit rus në Lindjen e Mesme.

Ekziston një konsensus bipartizan se kemi një problem të madh me Rusinë dhe nëse për asgjë tjetër, qëndrimi është që ne duhet të jemi më të ashpër se sa kemi qenë në të kaluarën”, tha Graham, duke shtuar se ai “nuk e sheh asnjë nga administrata që do të dal e të thotë se ne duhet të bëjmë një ristartim, duhet të vendosim marrëdhënien me Rusinë në binarë konstruktiv”.

Trump, një afarist nga New Yorku, ka shfaqur vazhdimisht admirim për Vladimir Putinin. Në shtator, ai tha se presidenti rus “ka kontroll të madh në vendin e tij” dhe se ka qenë “lider më i madh se sa presidenti ynë”.

Ai, gjithashtu, ka kritikuar, atë që e quajti, mungesë të bashkëpunimit ndërmjet Washingtonit dhe Moskës rreth kërcënimeve të përbashkëta, siç janë militantët e Shtetit Islamik dhe terrorizmi.

“Do të kisha marrëdhënie shumë, shumë të mirë me Putinin dhe mendoj se do të kisha marrëdhënie shumë, shumë të mira me Rusinë”, tha ai gjatë një forumi televiziv në shtator.

Deklaratat e tilla u mirëpritën në Moskë. Putin e vlerësoi Trumpin në forumin e biznesit këtë vit duke e cilësuar si “person të talentuar pa asnjë dyshim” dhe shtypi pro-Kremlin i Rusisë shkroi për Trumpin duke e denigruar Clintonin.

Lidhjet e Trumpit me Rusinë, ndërkohë, u hetuan nga afër. Ish-kryesuesi i fushatës së tij, Paul Manafort, kishte përfaqësuar Viktor Yanukovychin, presidentin e larguar të Ukrainës një alet të ngushtë të Rusisë. Një këshilltar tjetër, Carter Page, njoftohej të jetë takuar me zyrtarë të lartë të Kremlinit përfshirë edhe ata nën sanksione të SHBA-së. Page tha muajin e kaluar se kishte lënë fushatën.

Nga ana e saj, Clinton e ka bërë të qartë se planifikon një qasje më agresive ndaj Rusisë. Shumë prej këshilltarëve të saj për Rusinë dhe çështjet evropiane, kanë folur publikisht për nevojën për të zmbrapsur veprimet e Moskës në Evropë, Ukrainë, Siri e gjetiu.

Në mesin e atyre që udhëheq ekipin e saj të këshilltarëve për Rusinë, janë Michael M McFaul, ish-ambasadori i SHBA-së në Rusi, Phil Gordon, një ish -zyrtar i Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit dhe Julie Smith, ish -zyrtare e Pentagonit dhe zëvendës-këshilltare për sigurinë kombëtare e nënpresidentit Joe Biden.

Gjithashtu, Clintonin, e këshillon edhe James Stavridis, një admiral në pension, i cili ishte komandant i NATO-s ndërmjet viteve 2009-2013. Ai ka bërë thirrje të vazhdueshme për kundërpërgjigje të fortë ndaj Rusisë në Ukrainë dhe së fundi ndaj sulmeve kibernetike në SHBA-së në ndërlidhje me zgjedhjet.

Edhe para akuzave për sulme kibernetike dhe përzierje në zgjedhjet e SHBA-së, Clinton e ka bërë të qartë se politika e SHBA-së ndaj Rusisë do të jetë më agresive nëse ajo zgjidhet.

"Do të donim që Putini të zgjidhte modernizimin e shtetit të tij dhe të ecte drejt Perëndimit në vend të vetë-fundosjes në rrënjët historike të sjelljeve sikur të carit dhe keqtrajtimit përgjatë kufijve kombëtar, si dhe projektimit të fuqisë ruse në vendet si Siria e ndonjë vend tjetër”, tha Clinton.

Kësaj duhet shtuar edhe faktin se ka një konsensus bipartizan në Kongres se një qasje më të ashpër ndaj Rusisë është e merituar.

Nga perspektiva e Moskës, ka shumë pak indikacione se lëvizjet agresive të Putinit - në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, në Siri dhe në Detin Baltik e të Zi – do të ndalen së shpejti.

Do të vazhdojnë të kryejnë ushtrime ushtarake. Do të vazhdojnë të demonstrojnë kapacitetet e tyre”, tha Graham dhe shtoi: “Nuk mendoj se ata duan që konflikti në Donbas t’u rrëshqas nga duart, por ata duan që të mos humbasin aftësinë që ta shfrytëzojnë konfliktin për pazare”.

Marrëdhënia e Putinit me Clintonit u ftoh para se ai të kthehej në Kremlin më 2012 në mandatin e tij aktual gjashtë vjeçar. Ai e akuzoi Clintonin për nxitje të protestave anti-qeveritare që shpërthyen në Moskë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011, që u shënuan me dëshmi të mashtrimeve të mëdha në favor të partisë së tij në pushtet.

“Po presim deri në fund të fushatës zgjedhor”, tha Sergei Lavrov, një aleat i ngushtë i Putinit, i cili deri në gusht ishte shef i stafit, në një deklaratë për Financial Times të Londrës më 24 tetor. “Duhet të presim për pak më shumë javë; duhet vetëm të kemi durim”.

Zgjedhjet në SHBA “nuk mund të bëhen më shpejt”, shkruan Fyodor Lukyanov, një analist rus i Politikës së Jashtme me lidhje të ngushta me qeverinë dhe redaktor në Rusia në Çështjet Globale. “Cilido të fitojë të paktën do të ketë hapësirë për të marrë frymë”, shkruan ai.

Por, para votimit, Rusia vendosi pengesa në rrugën e Clintonit. Kremlini u tërhoq nga dy marrëveshje simbolike por të rëndësishme bërthamore në tetor. Dhe, Moska vazhdon t’i pengojë përpjekjet amerikane në Siri duke mbështetur goditjen ushtarake siriane ndaj Aleppos lindore që ndodhet nën kontroll të rebelëve.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, e ka akuzuar administratën e Obamës për zbatimin e politikës së “tokës së djegur” ndaj Rusisë, megjithëse zyrtarët e SHBA-së besojnë se kjo tingëllon më shumë si ajo që po bën Moska në javët para zgjedhjeve.

Përgatiti: Arbër Vllahiu

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG