Agjencia amerikane, FBI, është nën presion për të paraqitur më tepër detaje të hetimit të ripërtërirë lidhur me përdorimin e e-mailave privatë të kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton, derisa ajo ishte sekretare e Shtetit.
Drejtori i FBI-së, James Comey, më 28 tetor, pra disa ditë para zgjedhjeve presidenciale, e ka njoftuar Kongresin e Shteteve të Bashkuara, se agjencia po e shikon një grumbull të e-mailave të rinj.
Kandidatja demokrate, Hillary Clinton, këtë lëvizje e ka quajtur “të paprecedente” dhe “thellësisht shqetësuese”, derisa rivali i saj republikan, Donnald Trump, e ka përshëndetur vendimin e FBI-së.
Në letrën e tij dërguar Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Comey tha se FBI-ja ka mësuar për e-maila të rinj që duket se janë “të rëndësishëm”për hetimin e mëparshëm lidhur me përdorimin e serverit privat nga ana e zonjës Clinton, kur ajo ishte diplomatja më e lartë në administratën e presidentit, Barack Obama.
Megjithatë, ai nuk ka dhënë shpjegime më të hollësishme.
Në memorandumin e dërguar te personeli i FBI-së, Comey ka pranuar se “ne zakonisht nuk i themi Kongresit për hetimet që janë në zhvillim e sipër” dhe ka shtuar se ai kishte ndjerë “obligim” ta bëjë këtë gjë, duke pasur parasysh se ai më parë kishte dëshmuar se hetimi i FBI-së, ishte kompletuar.
Shefi i FBI-së është kritikuar ashpër nga Hillary Clinton dhe ekipi i saj, për vendimin që këtë informacion ta bëjë publik pak kohë para ditës së zgjedhjeve.
“Në fakt, nuk është vetëm e çuditshme, por është e paprecedente dhe është thellësisht shqetësuese, pasi votuesit meritojnë të kenë fakte të plota dhe komplete. Prandaj, ne i kemi bërë thirrje drejtorit Comey të shpjegojë çdo gjë menjëherë. Paraqiti të gjitha në tavolinë”, është shprehur Hillary Clinton.
Shefi i fushatës së saj presidenciale, John Podesta, ka thënë se informacioni i paraqitur nga Comey ishte “i gjatë në sugjerim” dhe “i shkurtër në fakte”.
Rivali i Clintonit, republikani Donald Trump, gjatë një fushate në Kolorado, ka thënë se kjo çështje është “skandali më i madh politik” në Shtetet e Bashkuara prej rastit Watergate, nga i cili u tërhoq presidenti, Richard Nixon.
“Hillary nuk duhet ta fajësojë askënd pos vetvetes për rritjen e vështirësive ligjore. Aksioni i saj penal ishte i paramenduar dhe i qëllimshëm”, ka theksuar Donald Trump, i cili vetë është treguar i paepur lidhur me skandalin e dyshuar të keqtrajtimit seksual.
“Hillary e ka krijuar një server ilegal për qëllim të qartë për mbrojtjen e sjelljes së saj kriminale nga zbulimi dhe ekspozimi publik”, është shprehur Trump.
Njëherësh, katër senatorë demokratë, i kanë bërë thirrje FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë, për të dhënë më shumë informacione deri më 31 tetor, për hapat hetues që po ndërmerren.
Më herët, FBI-ja pati vendosur se Clinton, e cila ka shërbyer si sekretare e Shtetit në periudhën 2009 – 2013, kishte mbajtur informacione sekrete në serverin privat të e-mailave.
Në muajin korrik, Comey kishte thënë se Clinton ishte “ekstremisht e pakujdesshme” në marrjen me materiale të ndjeshme gjatë shërbimit të saj si diplomatja më e lartë në Uashington, por kishte shtuar se ajo nuk kishte bërë vepër penale.
E-mailat e fundit janë gjetur në kuadër të një hetimi ndaj personit, Anthony Weiner, ish-bashkëshort i njërës prej ndihmëseve më të afërta të Hillary Clintonit, Huma Abedin.
Pajisjet që u takojnë atyre ishin konfiskuar gjatë hetimit të FBI-së për mesazhet joligjore që ish-kongresistin Anthony Weiner, dyshohet se ia kishte dërguar një vajze 15-vjeçare.
Facebook Forum