Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë për mbrojtjen e “vlerave të luftës së UÇK-së", sipas kërkesës së parashtruar nga Partia Demokratike.
Rezoluta ka pasuar një debat tejet të ashpër të zhvilluar të enjten, ku protagonistë kryesorë ishin deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje.
Drafti i rezolutës është harmonizuar nga shefat e grupeve parlamentare të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën. Kurse Vetëvendosje ka propozuar pika tjera. Votimi ka sjellë si rezultat 61 vota për, asnjë kundër dhe 11 abstenime.
Në këtë rezolutë thuhet se Kuvendi i Kosovës zotohet që brenda gjashtë muajve do ta miratojë Ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për çlirim.
Në rezolutën e harmonizuar thuhet, pos tjerash, se pjesëtarët e UÇK-së ishin faktorë vendimtar për sjelljen e lirisë dhe në këtë drejtim duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre të merituar institucional, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
“Edhe në rastin e dënimit të grupit Drenica, i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve e pushtetit publik dhe sidomos gjykatave që t’i kushtojnë kujdes esencës të së drejtës që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe ta shqyrtojë mundësinë e arritjes së atij qëllimi me kufizim më të vogël”, thuhet në rezolutë.
Seanca është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës, pas konfirmimit të dënimit ndaj pjesëtarëve të gjykuar në rastin e njohur si “Drenica 1 dhe 2”, ku bëjnë pjesë kryesisht ish-udhëheqës të UÇK-së, përkatësisht figura politike të PDK-së.
Rasti i fundit, sipas PDK-së, “tregon një shpërfaqje të re të një qasjeje të tillë ku jo vetëm dënimi, por edhe i tërë procesi, ishte një tendencë e mohimit të vlerave sublime".
Seanca për vlerat e luftës së UÇK-së ka filluar të enjten, me një debat që ka zgjatur deri në orët e vona të mbrëmjes. (REL)
Facebook Forum