Ndërlidhjet

Hahn: I paqartë afati kohor për liberalizim të vizave për Kosovën


Komisioneri i BE-së për politika të fqinjësisë dhe negociata të zgjerimit, Johannes Hahn, i tha Radio Evropa e Lirë se është “i paqartë afati kohor për liberalizimin e vizave për Kosovën” sepse, siç tha, “ende varet nga vendimet e saj”.

Hahn tha se kushti i Kosovës për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nuk është përmbushur dhe ritheksoi qëndrimin se ‘tani çdo gjë varet nga vetë Kosova”.

Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, komisioneri Hahn, tha se në krahasim me Kosovën dy vendet e tjera në paketë, Gjeorgjia dhe Ukraina I kanë përmbushur të gjitha kushtet dhe pritet që në vjeshtë të marrin dritën e gjelbër për liberalizim të vizave.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hahn fillimisht i përgjigjet pyetjes së Rikard Jozwiak të Evropës së Lirë, nëse këtë vjeshtë Gjeorgjia dhe Ukraina, por edhe Kosova mund të presin zgjidhje për liberalizimin e vizave?

“Sa i përket dy vende po. Jo Kosova. Në aspektin kohor për Kosovën ende është e paqartë, sepse ende varet nga vendimet e tyre”, tha Hahn.

Komisioneri Hahn ripërsëriti qëndrimin se Kosova duhet të përmbushë kriteret e përcaktuara, mbi të gjitha ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi, për të hapur rrugën për liberalizim të vizave.

“Kjo çështje tani varet nga vetë Kosova. Sepse, një nga standardet e rëndësishme është që të zgjidh këtë ‘konflikt’ të kufirit me Malin e Zi. Ka një marrëveshje me Malin e Zi që prej gushtit të vitit të kaluar. Mali i Zi e ka miratuar legjislacionin e nevojshëm nga ana e tij dhe ne ende po presim që të ketë hapa ligjorë edhe nga pala e Kosovës".

"Mendoj se do të duhej të ishte votuar (të enjten), por është pezulluar pa një datë të re të caktuar. Prandaj tani vërtetë ju takon kosovarëve që ta zgjidhin këtë. Ky është një kusht që ne nuk mund ta tejkalojmë dhe tani varet nga ta. Nëse kjo zgjidhet ashtu sic duhet, atëherë do të ketë një raport pozitiv nga ana jonë, pra nga Komisioni. Pastaj I takon Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian të marrin vendime të nevojshme", tha komisioneri Hahn.

Komisioneri Hahn tha se vendosja e kushteve, për tri vendet në kuadër të paketës për liberalizim të vizave, përfshirë Gjeorgjinë, Ukrainën e Kosovën, ishte ‘një lloj motivimi i cili vazhdon të jetë I pranishëm”

“Kishte dy çështje të pazgjidhura si dhe nëse që të dyja çështjet e pazgjidhura adresohen në mënyrë adekuate, atëherë mund të japim dritën e gjelbër me raportin pozitiv, dhe nuk na duhet një raport tjetër. Në këtë rrafsh ishte një lloj motivimi dhe ai është ende aty. Por, tani vërtetë ju takon kosovarëve që të dëshmojnë”.

Komisioneri Hahn ka folur edhe për kushtin e luftës më të thelluar kundër korrupsionit dhe qasjen që mund të kenë vendet anëtare të BE-së ndaj Kosovës në këtë fushë

“Mendoj se pasi Parlamenti Evropian të ketë miratuar masat e zgjeruara të pezullimit, që duhet të ndodh këto ditë, atëherë këto lloj shqetësimesh mund, me shumë gjasa, të adresohen. Nëse do të ketë zhvillime negative në të ardhmen, ose zhvillime të pakënaqshme, është një mundësi që të përdoret kjo masë".

"Ky është një argument tjetër pse Kosova duhet të marrë liberalizimin e vizave dhe sinqerisht është vendi i fundit në rajon. Nëse na dëshmohet se kanë përmbushur të gjitha kushtet atëherë mund të pritet një trajtim i drejt. Gjithnjë nëse i kanë përmbushur të gjitha kushtet, që janë përcaktuar, por gjithashtu bazuar edhe në miratimin e vendeve anëtare, ata duhet të kenë të drejtën e shpërblimit”, tha komisioneri Hahn për Radion Evropa e Lirë.

Komisioneri i BE-së theksoi se nga paketa e vendeve që janë paraparë për liberalizim të vizave, Gjeorgjia dhe Ukraina kanë avancuar më shumë dhe nënvizoi se vetëm ‘Ukraina ka pasur mbi 140 kushte për të përmbushur’ dhe që sipas tij do të ndihmojnë në ndryshimin e “fytyrës së vendit duke forcuar luftën kundër korrupsionit”. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG