Përderisa ende nuk ka ndonjë reagim të përfaqësuesve ndërkombëtarë në Bosnjë e Hercegovinë, lidhur me vendimin për shpalljen e referendumit në Republikën Serbe, i cili është paralajmëruar të mbahet me 25 shtator, politikanët e këtij vendi po bëjnë veprimedëshpëruese.
Në referendumin e paralajmëruar, qytetarët e Republikës Serbe do të deklaroheshin nëse e mbështesin vendimin që 9 janari të festohet si Dita e entitetit.
Bakir Izetbegoviq, kryesues i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, ka thënë se do të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës të nis procedurën e kontestit ndërmjet Bosnjë e Hercegovinës dhe Republikës Serbe.
“Mendoj që të gjithë në këtë shtet duhet ta respektojnë Kushtetutën e vendit, ligjet, sundimin e ligjit dhe institucionet. Kjo që po e bën këto ditë Republika Serbe është kundër kësaj”, ka thënë Izetbegoviq.
Por, të njëjtin qëndrim nuk e ndajnë edhe dy anëtarët e tjerë të presidencës së shtetit. Dragan Çoviq, kryetar i Bashkësisë Demokratike Kroate të Bonjë e Hercegovinës, vlerëson se referendumi, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë shkel Marrëveshjen e Dejtonit, nuk duhet të ndalohet.
“Madje, mendoj se nuk ka kuptim që të ndalohet, sepse referendumi është formë përmes së cilës dikush duhet të deklarohet në mënyrë demokratike për një temë nga kompetenca kushtetuese, për zonën për të cilën vlerësohet si e tillë”, tha Çoviq.
Mladen Ivaniq, anëtari serb i kryesisë së Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, thotë se ekziston, sipas tij, edhe një zgjidhje alternative.
“Propozoj që pyetja (në referendum) të jetë se a jeni për atë që 9 janari të jetë Dita e shtetësisë së Republikës Serbe”, tha Ivaniq.
Pikërisht data 9 janar, si Dita e Republikës Serbe, i ka bashkuar pushtetin dhe opozitën në këtë entitet të Bosnjë e Hercegovinës. Përderisa ata thonë se pyetja në referendum se ‘a jeni për atë që 9 janari të shënohet dhe festohet si ‘Dita e Republikës Serbe’ nuk fsheh asgjë kontestuese, në anën tjetër, analistët vlerësojnë se një gjë e tillë do të jetë kyçe për të ardhmen e Bosnjë e Hercegovinës, sepse, siç thuhet, përmes dyerve të vogla po i jepet shtetësia një entiteti, si dhe mundësia për shpërbërjen e Bosnjë e Hercegovinës..
Analisti politik, Zekerijah Smajiq , thotë se kjo do të paraqiste shkeljen më eklatante jo vetëm të Marrëveshjes së Dejtonit, por edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës. Gjithashtu, sipas tij, ky veprim është një skenar politik i organizuar mirë për qëndrimin përfundimtar të shumicës së qytetarëve serbë në Bosnjë e Hercegovinë dhe rajon, që një ditë, Republika Serbe ta sjellë vendimin për pavarësinë e saj.
“Prandaj, kushdo që e nënvlerëson këtë akt për referendumin, e nënvlerëson esencën që shpallja e 9 janarit për Ditë të Republikës Serbe është inaugurim i festës shtetërore. Ekzistojnë shkaqe serioze për shqetësim shumë serioz dhe cilido realist që i vëzhgon marrëdhëniet në Bosnjë e Hercegovinë, duhet të jetë i shqetësuar për rezultatin përfundimtar. Rezultati përfundimtar mund të jetë shkëputja e Republikës Serbe dhe krijimi i shtetit të pavarur”, theksoi Smajiq.
Pavarësisht gjithë kësaj që po ndodhë, përfaqësuesit ndërkombëtarë po heshtin. Gjithashtu, edhe shteti fqinj, Kroacia, lidhur me këtë çështje deri më tash nuk është deklaruar, ndërkaq, autoritetet e Serbisë thonë se nuk duan të përzihen në punët e brendshme të Republikës Serbe. Të dyja shtetet fqinje, Kroacia e Serbia, janë garantuese të Marrëveshjes së Dejtonit.
Konsultimet përbrenda Bashkësisë Ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë, lidhur me referendumin, po vazhdojnë, por ende nuk ka informata zyrtare se kur do të bëjnë diçka konkrete. I sigurt është fakti se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë kohë të mjaftueshme për të menduar, për shkak se referendumi është planifikuar të mbahet me 25 shtator.(REL)
Facebook Forum