Shumë premtime të zyrtarëve të lartë qeveritarë për zhvillim ekonomik, rrjedhimisht rritjen e shkallës së punësimit, janë heshtur apo nuk janë realizuar në mungesë të angazhimit dhe seriozitetit të autoriteteve kompetente, thonë ekspertë për çështje ekonomike.
Një premtim i zyrtarëve qeveritarë para dy vjetësh ka qenë krijimi i një Fondi për Punësim dhe Zhvillim duke u bazuar në mjetet e Fondit të Privatizimit dhe Trustit Pensional të Kosovës, që arrijnë shifrën rreth 1. 9 miliard euro.
Si Fond, ishte thënë se do të krijojë mundësi të reja të përkrahjes së punësimit dhe zhvillimit ekonomik, duke përdorur praktikat më të mira investuese.
Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, thotë se ky premtim ka qenë vetëm në kuadër të fushatës zgjedhore dhe jo vullnet apo angazhim i mëtutjeshëm i autoriteteve qeveritare.
“Duhet kuptuar se viti 2014 ka qenë kohë zgjedhjesh, më shumë ka pasur premtime, joshje të elektoratit se sa kanë pasur bazë reale ato që janë premtuar. Edhe çështja e Fondit të Privatizimit dhe Fondit të Trustit të Kursimeve Pensionale, nuk janë çështje të vullnetit të një kryeministri apo kryetari,cilido qoftë, që ato të mobilizohen për zhvillimin e Kosovës”.
“Duhet infrastrukturë ligjore, instrumente të sigurisë, garanci, të cilat nuk i ka bërë as kjo Qeveri, as që i ka bërë Qeveria e kaluar. Për këtë arsye çështja është heshtur”, thotë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.
Profesori në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se gjatë vitit 2014 të gjitha partitë kanë premtuar skenar për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.
Edhe krijimi i këtij Fondi, që sipas tij, ka qenë ambicioz, ka mbetur i heshtur për shkak të mungesës se seriozitetit të autoriteteve në Kosovë, pasi për shfrytëzimin e mjeteve të Privatizimit dhe Trustit, nevojiten edhe ndryshime në aspektin ligjor.
“Ato mjete nuk mund të shfrytëzohen nëse nuk krijohet baza e qëndrueshme juridike dhe të ndryshohet edhe Ligji për Privatizim dhe ai i Fondit të Trustit Pensional të Kosovës. Kosova ka rreth 2 miliardë euro që gjenden në bankat e vendeve perëndimore, ku norma e interesit është zero”.
“Ku ato mjete sjellin 10 apo qindra mijëra euro interes në vit, kurse në Kosovë ka mungesë kronike të investimeve. Problemi qëndron në joseriozitetin ose mosguximin që ato mjete të investohen në Kosovë, me qëllim që të arrihet edhe shkalla më e lartë e zhvillimit, të shtimit të Bruto Produktit Vendor, me çka do të ulej edhe shkalla e papunësisë”, vlerëson Bektashi.
Megjithatë, pas ndryshimeve të nevojshme ligjore, investimi i këtyre mjeteve në projekte të ndryshme, thotë Rexhepi, duhet të ketë kthim të garantuar. Ai shton se në Kosovë nuk ka mungesë të mjeteve financiare, por mungesë të menaxhimit të tyre.
“Problemi kryesor në Kosovë qëndron te çështja e menaxhimit të parasë, çështja e krijimit të mundësive absorbuese, mundësive shpenzuese qoftë të bizneseve, qoftë të Qeverisë. Mirëpo, shpenzimet që të jenë në projekte profitabile , në projekte që garantojnë zhvillim, garantojnë ndryshim të situatës sociale dhe në të njëjtën kohë, që investimi ka një kthim të garantuar apo një kthim të madh, në mënyrë që mos të ketë lëkundje as në sistemin bankar dhe as në buxhet”, shpjegon Rexhepi.
Rreth 1. 3miliard euro ka arritur Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK). Këto investime janë të shtrira në mbi 60 shtete të botës, apo në afër 2000 emetues botërorë.
Kurse, Fondi i Mirëbesimit nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, sipas të dhënave të kësaj agjencie, ka arritur shumën prej mbi 661 milionë eurosh, të cilat deponohen në Bankën Qendrore të Republikës Kosovës, e prej aty investohen në tregjet e jashtme.
Nga ky fond parashihet të kompensohen kredituesit potencialë të ndërmarrjeve shoqërore.
Facebook Forum