Rreth 870 milionë euro të grumbulluara nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore dhe kursimeve pensionale, që janë të investuara jashtë vendit, nuk do të mund të kthehen në Kosovë.
Autoritetet kosovare kanë deklaruar se kthimi nuk mund të bëhet brenda një periudhe të shkurtër, për shkak të pengesave ligjore. Lidhur me këto çështje, ekspertë të ekonomisë kërkojnë nga institucionet e Kosovës që urgjentisht t'i ndryshojnë ligjet përkatëse të këtyre dy institucioneve.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Musa Limani, thotë se mjetet e privatizimit dhe të Trustit Pensional, janë të investuara në banka të vendeve të ndryshme perëndimore dhe, sipas tij, mbajtja e këtyre mjeteve jashtë vendit është jofavorizuese për ekonominë e Kosovës.
Ndërkaq, se çfarë do të përfitonte ekonomia e Kosovës nëse këto mjete do të hynin në funksion, eksperti Limani shpjegon:
“Po të kthehen këto mjete në sistemin bankar të Kosovës, atëherë do të ndryshojë politika kreditore, do të jetë shumë më e favorshme për biznesin kosovar dhe do të jepen kredi me kushte më të favorshme për bizneset”.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka bërë kërkesë për kthimin e këtij fondi në Kosovë. Ndërsa, Banka Qendrore e Kosovës, që e menaxhon atë, është arsyetuar se mjetet i investon sipas Ligjit për BQK-në, si dhe Politikës së Investimeve që bazohet në sigurinë e mjeteve, likuiditetin e tyre dhe normën e kthimit nga investimet.
Njëkohësisht, Trusti i Kursimeve Pensionale, sipas ligjit, vetëm 5 për qind të fondit është i obliguar ta investojë në Kosovë, kurse pjesën tjetër jashtë vendit.
Udhëheqësi i Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike, Isa Mulaj, thotë se mbajtja e atyre fondeve jashtë vendit ka sjellë pasoja të rënda për ekonominë e Kosovës.
Mulaj thekson se nuk qëndrojnë arsyetimet se ato mbahen jashtë vendit për shkaqe sigurie.
“Problemi se ato fonde nuk kthehen në Kosovë dhe mbahen jashtë, është i lidhur me problemin e mosqeverisjes efikase edhe të atyre mjeteve ekzistuese që i ka Kosova. Pavarësisht se kemi plasuar mjete financiare jashtë, këtu brenda jemi dëshmitarë se kemi suficit buxhetor”, vlerëson Mulaj.
Ndryshe, deri më tani janë bërë disa nisma për ndryshimin e ligjeve të AKP-së dhe Trustit Pensional, në mënyrë që të eliminohen pengesat ligjore që fondet të kthehen në Kosovë.
Disa nga ekspertët e ekonomisë thonë se pa kthimin e këtyre fondeve, edhe investitorët e huaj do të hezitojnë të investojnë në Kosovë.
Eksperti i ekonomisë, Milazim Abazi, thotë se e gjithë kjo situatë përcjell një sinjal të keq tek investitorët e huaj.
“Është momenti i fundit që institucionet e Kosovës të vendosin që tash e tutje paratë të investohen në Kosovë. Ne duhet ta dimë se nëse ne, kosovarët, nuk investojmë, nuk duhet të presim nga të tjerët të investojnë. Ne duhet të investojmë vetë, të fitojmë dhe t’u tregojmë se ka siguri maksimale për investime”, shprehet Abazi.