Ndërlidhjet

Tensione në Shkup – përplasje e protesuesve me policinë


Protesta masive janë mbajtur në Shkup të hënën në mbrëmje në organizim të revolucionit shumëngjyrësh ndërsa në to kanë marrë pjesë edhe drejtuesit e opozitës së bashkuar të udhëhequr nga Lidhja Social-Demokrate. Protestat që kanë zgjatur deri pak para mesnatës janë përshkruar me tensione të shumta.

Policia ishte në shënjestër të protestuesve që hodhën gjësende të forta, në momentin kur ka ndaluar protestuesit të rrëzojnë një përmendore para Kuvendit të Maqedonisë. Protestuesit hodhën ngjyrë dhe thyen xhamat e ndërtesës së Ministrisë së Drejtësisë dhe të disa objekteve tjera qeveritare.

Protestat kanë pasuar një ultimatum të shoqërisë civile, i cili ka skaduar të shtunën, drejtuar institucioneve për plotësimin e kërkesave të saj për krijimin e kushteve për prokurorinë speciale që të punojë pa pengesa në hetimin e zyrtarëve të dyshuar për vepra të rënda penale, për mos ndjekjen e aktivistëve të saj si dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira. Pas injorimit të këtyre kërkesave nga qeveria, protestuesit kanë dalë me kërkesa të reja.

“Qytetarët duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së krizës, jo që të vendosim, jo që të jetë pjesë e politikave, jo që të luftojmë për pushtet, por që të sigurohemi se në tavolinën e bisedimeve do të zhvillohen negociata transparente që çdo qytetar i Maqedonisë të dije se çfarë po ndodh prapa dyerve”, ka deklaruar Dejan Stojkovski, një nga drejtuesit e shoqërisë civile, e cila po proteston tani e dy muaj.

Ai tha se revolucioni shumëngjyrësh kërkon gjithashtu nga Gjykata Kushtetuese që sa më parë të vendos mbi nismën e ngritur për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për prokurorinë speciale, që puna e saj të mos mbetet peng e kësaj nisme që mbahet nga pushteti si armë për shuarjen e prokurorisë në rast rreziku nga ndjekja e mëtejmë e zyrtarëve të saj.

Nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska tha se qeveria i ka ditët e numëruara. Përgjegjësia për krimet e bëra dhe zgjedhjet e lira tha Sheqerinska janë alternativa e vetme për dalje nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhet vendi.

“Kjo krizë ka vetëm një dalje, përmes drejtësisë, përgjegjësisë, ata që kanë vjedhur, ata që kanë mashtruar, duhet të përgjigjen. Kjo qeveri duhet të jap dorëheqje dhe të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike që qytetarët të vendosin se kujt i japin besimin për të qeverisur me vendin. Zgjidhje tjetër nuk ka”,ka deklaruar Shekeqinska.

Por, nga ana tjetër janë mbajtur edhe kundër protesta të organizuara nga mbështetësit e qeverisë. Ata kanë protestuar para gjykatës penale, e cila kishte vendosur masën e arrestit shtëpiak për një kryetar komune që po hetohet nga prokuroria speciale.

“Kësaj radhe në ndërtesën e gjykatës do të hyjnë vetëm disa njerëz për t’i dorëzuar një deklaratë, por ata duhet ta kenë të qartë se herën tjetër do të hyjnë shumë më tepër njerëz dhe atëherë duhet të japin llogari se pse punojnë nën presion dhe pse tolerojnë që në punën e tyre të përzihen njerëz të dëshmuar me vepra të ndryshme kriminale”, ka deklaruar Alekandar Pandov nga Shoqata për Mbrojtjen e Maqedonisë.

Protesta dhe kundër protesta po mbahen një kohë të gjatë dhe në disa raste policia evituar përplasjen mes dy grupeve. Kriza politike në Maqedoni duket pa zgjidhje përkundër presioneve të fuqishme nga jashtë. Apeleve të shumta për ulje në bisedime partitë i janë përgjigjur javën e kaluar, por pa ndonjë marrëveshje konkretet.

Pastrimi i listës zgjedhore, reformat në media dhe para se gjithash puna e prokurorisë speciale, janë disa nga pikat për të cilat partitë politike nuk po mund të merren vesh.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG