Ndërlidhjet

Shtëpitë për serbët në veri do të ndërtohen pavarësisht kundërshtimeve


Foto nga arkivi / Mitrovica veriore
Foto nga arkivi / Mitrovica veriore

Përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës kanë deklaruar se ndërtimi i 300 shtëpive të reja, të nisura ditë më parë me vënien e gurthemelit nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, do të fillojë të bëhet pavarësisht nga kundërshtimet e qeverisë në Prishtinë.

Kryetari i Organit të Përkohshëm të Zveçanit, institucion ky i krijuar nga Beogradi zyrtar, Ivan Todosijeviq, i tha Radios Evropa e Lirë, se i mbetet Prishtinës që të tregojë vullnetin e mirë për të dhënë lejen e ndërtimit për shtëpitë, gurthemeli i të cilave është vënë.

"Gurthemeli është vënë dhe së shpejti do të fillohet ndërtimin. Nëse do të kishte vullnet të mirë Prishtina në mënyrë të papengueshme do të lëshonte lejet e tilla nga pala kosovare. Është vetëm çështja e vullnetit të mirë të Prishtinës, por jemi dëshmitarë të këtyre 17 viteve të fundit, Prishtina në asnjë moment nuk ka treguar vullnetin e mirë për të ndihmuar kthimin e popullatës serbe në Kosovë dhe Metohi”, tha Todosijeviq, duke akuzuar autoritetet qendrore në Prishtinë, për siç tha, tentim për të penguar procesin e nisur.

Rreth 300 shtëpi janë planifikuar të ndërtohen me një fond të ndarë nga Qeveria e Serbisë, në një luginë ndërmjet Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit. Përfaqësues politikë serbë thonë se me ndërtimin e shtëpive synohet kthimi i rreth 1 mijë e 500 serbëve të shpërngulur pas luftës në Kosovë.

Por, vënia e gurëthemelit të shtëpive për serbët në veri, është kundërshtuar nga autoritetet në Kosovë, të cilat thonë se veprimet e tilla janë në kundërshtim me ligjin dhe prishin marrëdhëniet ndërmjet qytetarëve të Kosovës.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, i tha Radio Evropa e Lirë se investimet e Serbisë në një pjesë të territorit të Kosovës, pa marrëveshje dhe njoftime paraprake janë ndërhyrje në çështjet e brendshme të shtetit.

Sipas tij, financimi i projekteve të tilla të mëdha dhe donacionet të cilat mund të vinë në Kosovë duhet të bëhen përmes institucioneve qendrore të Kosovës.

"Duhet të konsiderohet si ndërhyrje sepse nuk ka pasur kurrfarë informate paraprake zyrtare përkitazi me ndonjë projekt donator që shteti i Serbisë dëshiron ta realizojë në drejtim të komunitetit serb në Kosovë", tha Agani.

Ai tha se për të bërë çfarëdo ndërtimi brenda territorit të Kosovës, vetë komunat duhet të marrin leje përkatëse.

"Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor si pjesë e Qeverisë së Kosovës është e vendosur që çfarëdo lloj aktiviteti ndërtimor në atë pjesë të territorit të shtetit tonë të zbatohet në bazë të legjislacionit i cili është në fuqi dhe në ketë aspekt ju kemi bërë me dije organeve komunale, se domosdoshmërisht duhet të respektohet legjislacioni. Pra, komuna e Zveçanit paraprakisht para dhënies së çdo kushti ndërtimor ose leje të ndërtimit nevojitet të ketë planin zhvillimor komunal dhe hartën zonale të komunës", tha Agani.

Agani tha se Qeveria po angazhohet që të krijojë kushte normale për të gjithë qytetarët e saj si dhe kthimin e tyre në shtëpitë dhe vendbanimet e tyre pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

"Ju e dini që me vite të tëra ata kanë refuzuar që të bashkëpunojnë me organet qendrore të vendit. Në vitet e fundit kemi një ndryshim evident të kësaj situate dhe kemi një integrim shumë më të mirë. Kemi një ndarje të mjeteve të konsiderueshme të buxhetit në vitin 2015 për realizim në vitin 2016", tha Agani duke shtuar se vetëm nga ministria që ai drejton janë ndarë mbi një milion euro për projektet të ndryshme.

Projekti i Qeverisë së Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, u cilësua si i pari i këtij lloji për, siç thuhet, kthimin e serbëve të shpërngulur ndërkohë që zyrtarët serbë thonë se projektet e këtilla nuk janë të drejtuara kundër askujt.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG