Ndërlidhjet

Marrëveshja e Përzhinës mes zbatimit dhe kërkesave për ridefinim


Kërkesat e diplomacisë perëndimore për vendosjen urgjente të dialogut mes partive për plotësimin e pikave të Marrëveshjes së Përzhinës dhe caktimin e një date të re për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, vazhdojnë të kushtëzohen nga partitë me plotësimin e kërkesave të reja, e madje edhe me vlerësime për nevojën e një marrëveshjeje të re.

Një nga katër partitë politike nënshkruese të marrëveshjes së qershorit të vitit të kaluar, Partia Demokratike Shqiptare, konsideron se Marrëveshja është rrënuar, andaj mbi themelet e saj, sipas saj, duhet ndërtuar një marrëveshje e re.

Kreu i kësaj partie Menduh Thaçi, pas takimit me të dërguarin e posaçëm gjerman, Johannes Haindl u shpreh pesimist nëse gjërat do të mund të lëvizin nga pozicioni zero, siç u shpreh ai.

Thaçi thotë se është koha që partitë të ulen dhe të bisedojnë edhe për çështje tjera, para se gjithash për ato etnike, që duhet të jenë pjesë e kritereve tjera për zgjidhjen e krizës politike.

“Mundohem të flas me kujdes, por ja që patjetër duhet t'i themi gjërat hapur në opinion që të kuptohet se çfarë ne kërkojmë. Ku e kemi pikën e raporteve ndëretnike, apo për kërkesat e shqiptarëve në kuadër të Marrëveshjes së Përzhinës? Ku e kemi çështjen e keqpërdorimit të buxhetit? Ku i kemi çështjet tjera, e kështu me radhë. Pra, nuk ka një qasje serioze”, ka deklaruar kryetar i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e qeverisë mbështet vazhdimin e negociatave për zgjidhjen e krizës politike, në veçanti pas vendimit të presidentit për anulimin e të gjitha faljeve të zyrtarëve të inkriminuar. BDI-ja vlerëson se partitë duhet ulen dhe të bisedojnë për të gjitha çështjet e hapura me qëllim zgjidhjen e shpejtë të krizës politike.

“Partitë politike duhet të angazhohen për miratimin e ligjeve dhe plotësimin e kushteve për zgjedhje si dhe të mbështesin Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe Prokurorinë Speciale që ta bëjnë punën e vet të përcaktuar me ligj”, thuhet në njoftimin me shkrim të BDI-së që drejtohet nga Ali Ahmeti.

Por, partia kryesore e opozitës, Lidhja Social-Demokrate edhe pas vizitës së diplomatit gjerman mbetet në qëndrimin për realizimin e dy kërkesave kryesore, që janë pjesë e një plani të prezantuar për dalje nga kriza. Ajo kërkon që deri më 18 qershor, Gjykata Kushtetuese të deklarohet lidhur me një nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë të punës së prokurorisë speciale, që ajo të mund të vazhdojë punën pa pengesa në hetimin e të gjithë zyrtarëve të dyshuar për vepra të rënda penale.

“Vetëm nëse këto dy kushte plotësohen, marrëveshja e Përzhinës mund të mbijetojë. Për dalje nga kriza e thellë duhet që urgjentisht të sigurohet sundimi i së drejtës dhe formimi i një qeverie, e cila do të përmbushë të gjitha kushtet për zgjedhje të lira dhe të besueshme, pastrimin r listës zgjedhore, reformat në media dhe kushte tjera”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Nga VMRO-ja thonë se marrëveshja e Përzhinës ekziston dhe se zgjidhja e krizës qëndron në mbajtjen sa më të shpejt të zgjedhjeve. Zëdhënësi i partisë, Ivo Kotevski thotë se VMRO-ja asnjëherë nuk ka kundërshtuar plotësimin e kushteve për zgjedhje.

“Kemi kemi thënë se pikërisht Zaevi duhet të tregojë se kur sipas tij janë plotësuar kushtet që të kemi zgjedhje. Ne, jemi kundër mbajtës së vendit peng dhe përfshirjes së LSDM-së në qeveri pa legjitimitet, apo me të vetmin qëllim, pengimin reformave. Një përvojë të tillë e kishim për shatë muaj dhe pamë se nuk solli asgjë të mirë për qytetarët, vendi u bllokua ndërsa anëtarët e LSDM-së me asgjë nuk i kontribuan në organizimin e zgjedhjeve”, ka deklaruar Kotevski në një prononcim me shkrim.

Njohësit e çështjeve politike thonë se me qëndrimet e tilla partitë janë kthyer të fillimet e nënshkrimit të marrëveshjes politike duke përforcuar qëndrimet nëse mbajtja e zgjedhjeve, apo plotësimi i kushteve janë më me rëndësi për dalje nga kriza.

Ata thonë se partitë duhet të marrin në konsideratë mesazhet e përfaqësuesve ndërkombëtar pasi në të kundërtën kriza do të vazhdojë ndërsa pakënaqësitë do të rriten me forma të ndryshme të protestave që do të rëndojnë edhe më shumë situatën në vend.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG