Ndërlidhjet

Qëndrueshmëria e koalicionit qeverisës


Ilustrim
Ilustrim

Partnerët e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike Kosovës, kanë shpeshtuar kritikat ndaj njëri-tjetrit lidhur me punën që bëjnë zyrtarët e partive përkatëse në institucione, si në atë të nivelit qendror, ashtu edhe në atë lokal.

Së fundi, zëvendësministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Isni Kilaj, nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se në ministrinë në të cilën punon, partneri i koalicionit ka bërë shumë shkelje dhe se, sipas tij, gjëra të tilla ka dëgjuar se kanë ndodhur edhe në institucione të tjera nga partneri i koalicionit LDK-ja.

"Sa kam informacion, ka plasaritje ose ka sjellje të tilla të zyrtarëve të LDK-së edhe në ministritë e tjera dhe në pushtetin lokal, por unë nuk jam shumë kompetent të flas për këto çështje", tha Kilaj për Radion Evropa e Lirë.

Kilaj tha se ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdulla Hoti, ka bërë shumë shkelje të mëdha të marrëveshjeve, dhe siç tha ai, të gjitha shkeljet janë argumentuar.

Ministri Hoti është kritikuar nga zëvendësi i tij se kohëve të fundit ka bërë punësime të anëtarëve të LDK-së në ministri, por edhe shkelje të tjera.

Zëvendësministri pranon se kohëve të fundit ka zëra që flasin për mospajtime ndërmjet partnerëve të koalicionit të disa raste.

"Po tash janë aktuale ato, ne i pamë zhvillimet në Pejë, reagimin e kryetarit të Komunës së Pejës, po e dimë edhe për ministrin e Shëndetësisë, po edhe në disa ministri të tjera që ka pasur tendenca të tilla të acarimit të raporteve", theksoi Kilaj.

Një ditë më parë, Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka paralajmëruar prishjen e koalicionit me PDK-në, në Komunën e Pejës.

Muhaxheri është nervozuar me partnerin e deritashëm dhe ka shkarkuar dy drejtorë të PDK-së në komunë, pasi që partnerët e koalicionit nuk votuan për moskalimin e ndryshimeve për rishpërndarjen e disa fondeve të projekteve.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili është edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar për mediat në Prishtinë se askush nuk mund të flasë për marrëdhëniet e koalicionit qeverisës, përpos atij dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Kryeministri Mustafa u shpreh se të tjerët, si ministrat dhe zëvendësministrat, mund të kryejnë punët e tyre dhe të mos merren me çështjen e funksionimit të koalicionit.

"Kjo është punë e partnerëve të koalicionit dhe këta partnerë kryesorë të koalicionit tani jemi unë dhe kryetari i PDK-së, zoti Veseli. Ne të dy drejtojmë çështjet dhe koalicioni nuk është punë e të tjerëve", u shpreh Mustafa për mediat në Prishtinë.

Nga ana tjetër, analistët politikë konsiderojnë se koalicioni qeverisës PDK- LDK, është krijuar vetëm për interesa personale dhe sipas tyre, si i tillë nuk mund të qëndrojë shumë gjatë.

Imer Mushkolaj, analist politik, tha për Radion Evropa e Lirë se koalicioni qeverisës aktual në vend, nuk është i natyrshëm.

"Tash jemi në një situatë ku pas konsumimit të një kohë të qeverisjes bashkë, kanë filluar të dalin në pah përçarjes, unë besoj se këto përçarje ose këto çarje që duken të vogla, tash do të vijnë duke u shtuar në javët edhe muajt e ardhshëm, gjithnjë duke pasur parasysh faktin se megjithatë do të caktohet mbajtja e zgjedhjeve para se të përfundojë mandati i këtij koalicioni qeverisë", vlerësoi Mushkolaj.

Ai theksoi se përplasje mund të kenë në ditët në vijim edhe për shkak të mundësisë së riformatimit të Qeverisë ose edhe kërkimit të përgjegjësive nga ministrat e Qeverisë.

"Këto çarje nuk pritet të bëhen për arsye parimore por vetëm për interesa partiake në radhë të parë të përmbushjes së apetiteve të individëve të caktuar", thekson Mushkolaj.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshjen e koalicionit në nëntor të vitit 2014.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG